Japonia del nga recesioni, por rritja sërish zhgënjen pritshmëritë

Japonia ka mundur të dalë nga recesioni gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar, por ekonomia e tretë më e madhe në botë është rritur jo aq sa ç’pritej.

Ekonomia japoneze është rritur me një normë vjetore prej 2.2% në 3 muajt e fundit të vitit të kaluar, sipas të dhënave paraprake, ndryshe nga sa ishte parashikuar për një rritje prej 3.7%.

Rritja në tremujorin e fundit erdhi pas tkurrjes së ekonomisë gjatë dy tremujorëve paraardhës. Japonia është duke rimarrë veten pas një rritjeje të taksave të shitjes, që ndalën shpenzimet.

Ekonomia u rrit me 0.6% përgjatë periudhës së tanishme, pas tremujorit të kaluar, por edhe kjo rritje është nën nivelin e parashikuar prej 0.9%.

Të dhënat tregojnë një rikuperim të brishtë në një vend ku ndienja e konsumit mbetet e lëkundshme dhe tepër e dobët, edhe pasi kryeministri Shinzo Abe shtynë për më vonë një rritje të dytë të taksave të shitjes, që ishte parashikuar për në tetor të këtij viti.

Konsumi privat, që ka një ndikim prej 60% në ekonomi, është rritur me 0.3% në tremujorin e katërt, më pak se 0.7%, vlerë e parashikuar nga ekonomistët.

Një ekonomist i lartë i Analitikës në kompaninë “Moody’s”, Glenn Levine, tha se eksportet kanë dhënë një shtim solid në rritjen ekonomike, duke mbajtur peshën e gjysmës së kësaj rritjeje të fundit, ndërsa pjesa tjetër e ekonomisë mbetet relativisht e ndrydhur.

Eksportet janë rritur me 2.7% në tremujorin e katërt, krahasuar me atë të tretin, ndërsa importet u shtuan gjithashtu me 1.3%.

Por, komponenti më zhgënjyes i PBB-së ka qenë rritja “e pavlerë” e investimeve në biznes.

“Sektori i koorporatave në Japoni është po shijon nivele rekorde fitimi dhe qëndron mbi një mal me parà, ndërkohë që firmat eksportuese në veçanti po përfitojnë nga shitjet më të mira të ndikuara edhe prej lirimit të jenit”, tha Levine. “Megjithatë, deri më tani firmat kanë qenë nguruese për të hequr mënjanë një pjesë të këtyre parave, për t’i investuar ato në kapacitete shtesë”.

Rritja më e dobët nga sa parashikohej e Japonisë vjen pavarësisht një serie masash stimuluese të marra nga Qeveria. Në dhjetor, kabineti i Abes miratoi një paketë stimuluese prej 29 miliardë dollarësh, për të ndihmuar biznesin dhe konsumatorët, vetëm 2 javë pasi fitoi zgjedhjet e parakohshme.

Gjithsesi, tregjet kanë reaguar pozitivisht ndaj kësaj rritjeje, teksa indeksi standard “Nikkei 225” ka kapur nivelet më të larta në 8 vitet e fundit, prej 18,047.07 në mëngjes, niveli më i lartë që prej korrikut 2007. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button