Damasku demantoi përdorimin e gazit të helmuar

Aktivistët në Siri thonë se 100 persona janë vrarë gjatë një ofensive qeveritare pranë kryeqytetit Damask, ku forcat besnike të presidentit Bashar al Assad, kanë përdorur armët kimike.

Siria i mohoi menjëherë këto fakte. Media shtetërore njoftoi për aktivitet ushtarake në rajon, duke thënë se forcat qeveritare kishin vrarë terroristë, një term që i referohet rebelëve kundërshtarë të Al-Assad.

Organizata me bazë në Britani, “Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut”, tha se ushtria hodhi raketa në drejtim të Ghoutas Lindore dhe Perëndimore. Organizata citoi aktivistë në rajon të kenë thënë se gjatë operacionit janë përdorur gaze helmuese. Britania dhe Lidhja Arabe i kanë bërë thirrje Sirisë të lejojë hetuesit e Kombeve të Bashkuara, që tashmë ndodhen në vend, të hetojnë me kujdes zonat ku thuhet se janë përdorur armët kimike.

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague tha se është tepër i shqetësuar lidhur me njoftimet për sulme kimike, dhe shtoi se nëse provohet të jenë të vërteta, ato përfaqësojnë një shkallëzim shokues të situatës. Ai tha se Britania do ta çojë çështjen për diskutim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Back to top button