Thaçi: Integrimi euro-atlantik do të sigurojë stabilitet dhe zhvillimin ekonomik

Në vazhdën e takimeve me diplomatë të huaj Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, sot në selinë e partisë priti në një takim të përbashkët Ambasadorin e Finlandës në Zagreb, Timo Rajakangas dhe Ambasadorin e Suedisë në vend, Matt Staffansson, të shoqëruar nga Asa Pehrson, përfaqësuese e Suedisë në Unionin Evropian në Bruksel.

Në këtë takim temë e diskutimit ishin zhvillimet e fundit politike në vend dhe në skenën ndërkombëtare.

Në takim Kryetari Thaçi nënvizoi rëndësinë e integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, që nënkupton edhe gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për çështjen e emrit me Greqinë. Integrimi në strukturat euro-atlantike do të siguron stabilitet dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe rajonit – theksoi Thaçi.

Kryetari Thaçi më tej siguroi bashkëbiseduesit se Partia Demokratike Shqiptare me politikën e saj të përgjegjshme do të vazhdojë të kontribuojë dhe të jetë pjesë e proceseve demokratike dhe perspektivës euro-atlantike të vendit.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që duhet të jepet kontribut maksimal për proceset demokratike dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, dhe se në këtë drejtim rikthimi i dialogut të mirëfilltë politik mes forcave kryesore politike në vend është me rëndësi të veçantë.

Bashkëbiseduesit u ndanë të kënaqur nga takimi, me premtim se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Back to top button