Fjalët e një ëngjëlli

Bisedova me një ëngjëll sot. Ashtu pa pritur. Po shëtisja në kopësht.Në shtëpinë e prindërve të mi. Më pëlqen të rrotullohem aty kokëposhtë e të shoh gjurmët që lënë këmbët e mia në bar.Nënës sime nuk i pëlqen të më shohin fqinjët duke ecur e vetmuar. E di ku e ka hallin .Njerëzve u duhet shumë pak për të të shpallur përfundimisht ,,të çuditshme,,.Pastaj e dinë që edhe shkruaj.Dhe sipas ca botëkuptimeve që nuk e di prej nga kanë ardhur,artistët janë njerëz që jetojnë çuditshëm , mbysin dhimbjen me alkool   ,e ca gjëra tjera që s’më kujtohen tani.Po kjo nuk është e vërtetë. Ju betohem që nuk është e vërtetë.Ndonjëherë më ndodh të lë një bisedë të pa përfunduar sepse m’u në mes të bisedës më kujtohet një fjali shumë e bukur që mund t’i shkonte shumë një poezie dashurie ,por vetëm kaq .Disa thonë që shkruajnë bukur vetëm kur janë të dëshpëruar  ,po unë mendoj se edhe ajo nuk është gjithë aq e vërtetë.Kur jam e dëshpëruar ose qaj ose shkruaj gjëra të zymta ,ndërsa kur jam e lumtur ,gjë që ndodh në shumicën e kohës, shkruaj gjëra të bukura.Kur fqinjët më pyesin nëse më ka humbur diçka ,apo ç’kërkoj në bar ,u them se kërkoj një ide.Ata qeshin . Kujtojnë se është një shaka . Po në fakt nuk është fare shaka.Sot gjeta një pendë shpendi të bardhë në bar. Ç’është kjo  ?! –thashë me vete . Ne nuk kemi shpendë në lagje. E futa në xhep. M’u duk si e rrënë nga krahët e një ëngjëlli. E di , shumica nga ju nuk besojnë në ëngjuj.  Po unë besoj . Kush më shpëtoi atëherë kur rrashë në lum nga varka e kur nuk dija not akoma?!Kush më shpëtoi atëherë nga gjithë ajo përbuzje ,e nga gjithë ai përçmim  që më bënë njërëzit ?! Nga thashethemet , nga ligësia , nga përgojimet e nga gjithë ata njërës që më tregonin me gisht sikur të isha krimineli më i madh i këtij planeti ?!  Kush ?! INatyrisht që kisha një ëngjëll  pranë , sepse njerëzit  kanë shumë qejf të dënojnë.Më zuri lemza. Pastaj pashë një pendë tjetër. Ç’më thotë ky ëngjëll që më sillet pranë ,e që se shoh dot ?! Për kë bëhet fjalë  ?! Për ty  ?!  Ç’duhet të bëj për ty dhe pse ?! Do ta bëj  me kënaqësi ,pavarësisht kontos negative emocionale që ke tek unë. Ti e di që je në minus tek unë prej kohësh. Minus emocional natyrisht. Sipas llogarisë sime kështu është ,megjithatë unë nuk jam  llogaritare e mirë. Por po mësoj . Po të kisha qenë llogaritare e mirë nuk do t’i mbaja aq gjatë në jetën time gjithë ata  plehra që më rrethonin . Ca ishin lidhje gjaku ,ca shoqe ,e ca miq pune. Megjithatë qenë plehra.Ca nga këto plehra më sillnin ndonjëherë dhurata të vogla dhe mendonin se kishin fituar të drejtën të më torturonin e shtrydhnin emocionalisht. Mirë që nuk punoj në bankë. Do ta falimentoja bankën për pak kohë nga kreditet e mira  që po u jepja njerëzve më të pisët të botës. Edhe atë thjesht për ca bindje që më ishin futur në kokë. Po një ditë e pashë veten të lodhur e të rrënë shpirtërisht. Dhe e preka fundin , jo vetëm me trup  po edhe me palcën e kockave. Isha e konsumuar në maksimum  e ata që kishin marrë prej meje nuk kishin më ç’të mernin . Ikën.Dhe ashtu e rrënë ,kërkova ndihmën e një ëngjëlli. Dhe çuditërisht ishte  ëngjëlli që më mësoi ekonominë. Ekonominë e jetës . Atë që nuk ta mëson dot as një profesor i Fakultetit Ekonomik. Mblodha veten  ashtu pak nga pak. Qe një përpjekje  gjigande , po e bëra. Pastaj sahanlëpirësit më vërshuan prapë ,kur më panë në këmbë.Prap e donin ndihmën time. Ca kishin edhe lotë në sy.Mua më erdhi keq prapë,po ëngjëllin pranë e kisha koprac.E çuditshme, po të kërkosh ndihmë nga një ëngjëll ai nuk të lë vetëm gjer në fund.Po njerëzit të lënë ,që në momentin e parë kur rrëzohesh. ,,Nuk i ke borxh asnjeriu . Madje as njerëzve të familjes.,,-më thoshte ëngjëlli. Është pak e vështirë për ta pranuar këtë. Të mos i kem borxh as nënës ?! As babit ?! As shoqes ?! Po ëngjëlli qe këmbëngulës . ,,Askush nuk ka të drejtë të të vjedhë gëzimin e jetës . Madje as nëna. Ndonjëherë disa gjëra ndodhin nga mosdija ,po ti ke plotësisht të drejtë të mbrosh gëzimin e jetës tënde.Dhe jo vetëm të drejtë , ky është detyrimi që ke ndaj vetes.,,E pranova. Qe urdhër i prerë. S’ka më kredi të pa mbuluara, për asnjë. Restrikcion. I hapa librat e mi ,hulumtova të kaluarën , arkivin. Kontrolloja kontot . Ëngjëlli u tmerua nga ato konto . Vetëm ke dhënë , më bërtiti ashpër  dhe mua më erdhi turp për diplomën time të Fakultetit Ekonomik.I mori librat  dhe i hodhi të gjithë. Këta njerëz duhet t’i hedhësh –më tha . E pashë emrin e një shoqes sime aty tek librat që i hidhte . Jo –thashë . Kjo më ka sjellë një palë vathë të bukur nga Italia.Po shiko më mirë –më tha .Të ka përgojuar  1456 herë , të ka bërë të qash 345 herë , të ka thyer në krenari  54 herë , të ka injorua  876 herë  , të ka degraduar , të ka bërë të humbasësh besimin tek vetja , të ka bërë të ndjehesh si plehrë   , të ka manipuluar , gënjyer …. do ta mbash akoma ?!  Hidhe – thashë.I paskam paguar me lot ata vathë.Hodha edhe ca njerëz me të cilët kam lidhje gjaku. Pak e vështirë po është diçka që bëhet.Edhe Shekspiri ka të drejtë kur thotë:,, Familja nuk është gjithmonë biologjike ,,. Familje janë njerëzit që i ke pranë kur ti ke nevojë, ata që të mbështesin , respektojnë e të trajtojnë mirë.Kushdo që të bën të ndjehesh  i vogël , ose më i vogël se ata ,nuk është familje . Të paktën unë kështu mendoj.Unë jam e lodhur së qeni e vogël. I hodha të gjithë . Mbeta vetëm . Po është më mirë të jesh vetëm se sa i rrethuar me plehra. Pastaj ngadalë fillova të investoj tek ca njerëz. Jo para ,se unë para nuk kam, por  kohë. Tani kam filluar të mësoj edhe të marr. Dhe kam më pak njerëz pranë ,po me konto pozitive. Kur dikush ka konto emocionale pozitive ,edhe tolerohet ndonjë gabim i vogël sepse ne të gjithë njerëz jemi  , po ata që kanë vetëm minuse  , eleminohen pa përjashtim.Është ky një program kompjuteristik që ma ka krijuar ëngjëlli im. Askush nuk ka të drejtë të më vjedhë gëzimin e jetës , e as të më trajtojë pa respekt.Programi aktivizohet menjëherë kur kontoja emocionale arrin vlerën minus . Programi gjithashtu më ruan edhe ekuilibrin. Jeta është të marrësh dhe të japësh. Edhe po more gjithmonë ,pa dhënë asgjë do të eleminohesh shpejt nga kontot e të tjerëve. Vetëm të marrësh ,është po aq e rrezikshme sa edhe vetëm të japësh. Po edhe këtu ka diçka .  Secili jep atë që ka. Dhe merr atë që i duhet. Dhe gjërat nuk maten gjithmonë me makina llogaritëse dhe kalkulatorë. Edhe një buzëqeshje që na bën të ndjehemi mirë ,vlen . Edhe  një njëri që na rri pranë ,pavarësisht se nuk na i zgjidh dot hallet ,vlen. Se sa saktësisht vlejnë gjërat ,njeriu e ndjen me zemër. Hidhni tutje kalkulatorët.

Pashë edhe një pendë tjetër të bardhë  . Pastaj edhe një tjetër dhe këmbët më çuan tek një rrënjë domatesh që babi im e ka mbjellur në kopsht. Kishte tre fruta domatesh të gjelbërta , një gjysëm të kuqe dhe një  të prishur . E këputa domaten e prishur. E hodha në plehra.M’u kujtua ai miku im që punon tek Sektori i krimit të organizuar.Kriminelë bëhen njërëzit që rrinë tepër gjatë në ambientet e krimit-thotë ai. Njeriu duhet t’i zgjedhë me kujdes njërëzit që i mban pranë vetes. Më zuri prapë lemza. Nuk e di pse këmbët më sollën tek ajo domate dhe ç’lidhje kishte kjo me ty. Po ndoshta ti e di më mirë këtë gjë .

Lajme të ngjashme

Back to top button