Analizë: Konfuzionet në rastin “Puçi” si mjet për manipulimin e publikut

 

Është shumë e vështirë që në kushte të konfuzionit, të krijuar nga ana e pushtetit, mediat ta trajtojnë çdo informatë, gjysmëinformatë ose informatë të rrejshme. Mirëpo, ato kanë në dispozicion një vegël të fuqishme: të parashtrojnë pyetje dhe të kërkojnë redukimin e përgjigjeve deri në një nivel shumë elementar, kur thjesht bëhet shumë e ngushtë edhe hapësira për dezinformim dhe për t’u fshehur në një re pluhuri të krijuar me qëllim.

 

Shkruan: prof. dr. Mirjana Najçevska, еksperte për të drejtat e njeriut

 

Në një analizë të mëparshme (Kërkimi i sqarimit është njëra nga veglat për kontroll të pushtetit) theksova:

“Gazetari sipas funksionit duhet të jetë këmbëngulës, deri në nivelin e një mize të mërzitshme. Gazetari duhet të kërkojë sqarime, t’i gjuajë gabimet, të potencojë kundërthëniet. Përsëri dhe përsëri, derisa të mos vijë deri te thelbi i një deklarate, deri sa të mos zhvishet çështja se ai që e ka dhënë deklaratën a ka arugmente thelbësore ose të mbetet pa mbrojtje. Vetëm kështu, penda gazetareske mund të japë një goditje të vërtetë. Gjithçka tjetër është vetëm gudulisje e pushtetit.”

Kjo veçanërisht ka të bëjë me situata kur strukturat në pushtet përpiqen ta zhvendosin vëmendjen prej tyre, gjegjësisht kur përpiqen ta largojnë përgjegjësinë për disa aktivitete të tyre dhe të arrijnë impunity (mosndëshkim) të funksionarëve të lartë të pushtetit.

Njëra nga mënyrat se si realizohet efekti i këtillë është futja e konfuzionit në informim. Kur pushteti përdor konfuzion në informim që ta manipulojë publikun, në shikim të parë duket sikur qytetarët kanë sasi të madhe informatash dhe se fitojnë mundësi që ta shohin situatën në tërësi, mirëpo me një analizë precize, mund të konstatohet një mënyrë specifike e sabotimit të informimit.

Kjo, zakonisht arrihet me ngarkimin e qytetarëve  me informata, duke ofruar sasi të madhe të informatave jo të plota, gjysmake/parciale, të nxjerra nga konteksit (të cilat mund të interpretohen në mënyra të ndryshme) dhe duke dhënë informata kontradiktore, që e mjegullojnë situatën e vërtetë.

Që ta realizojnë rolin e tyre të kontrolluesve të pushtetit, mediat duhe të përpiqen ta qartësojnë konfuzionin e informatave. Njëra nga mënyrat më të mira për këtë është parashtrimi i pyetjeve. Shumë pyetjeve. Derisa gjërat të redukohen në nivel të kuptueshëm dhe konsekuent.

 

KONFUZIONE TË KRIJUARA NGA KRYEMINISTRI GRUEVSKI

Elementi i parë i konfuzionit është futur në fjalimin e kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Në fjalim përmenden: kërcënime, shantazhe, shërbime sekrete, rrëzim të dhunshëm të rendit kushtetues… Fjalimi i kryeministrit është transmetuar në të gjitha mediat, është analizuar dhe është interpretuar në mënyra të ndryshme.

Grumbuj fajllash nga një shërbim i huaj në duart e LSDM-së dhe të Zaevit.

“Kryeministri shtoi se pas takimeve Zaevi ka filluar publikisht të flasë se posedon material të tillë, që e përforcoi kërcënimin se nëse nuk pranojnë formim të qeverisë teknike, ai do ta publikojë materialin.”

Kujt i kërcënohet Gruevski: Ne nuk jemi maqedonas të vegjël, por jemi maqedonas.

Gruevski porositi proces gjyqësor kundër Zaevit.

Me qartësimin e konfuzionit që është bërë me fjalimin e kryeministrit, mediat e lëshuan mundësinë që të fitojnë përgjigje të qartë dhe përfundimtare (të cilën do t’ua përcillnin qytetarëve) në disa pyetje:

  • Prej kur marrja e informatave nga ndonjë shërbim i huaj paraqet shkelje të ligjit?
  • Pse Gruevski nuk ka reaguar që në takimin e parë kur mendon sa ndaj tij është ushtruar dhunë?
  • Pse Gruevski nuk është interesuar për shkeljet eventuale të ligjit për të cilat flet Zaevi dhe nuk ka ndërmarrë procedurë përkatëse ndaj organeve që janë kompetente t’i ruajnë këto të dhëna?
  • Pse Gruevski, për dyshimet e tij nuk i është drejtuar dhe nuk e ka alarmuar Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe Kryetarin e Republikës së Maqedonisë?
  • Pse Gruevski nuk është interesuar se si shërbimet e huaja kanë ardhur deri të informatat të cilat i ndajnë me Zaevin?
  • Prej kur kërkesa (e paraqitur në formë të presionit politik të bërë nga ana e lideri të partisë opozitare) për formimin e qeverisë teknike paraqet vepër të ndëshkueshme?

Pa fituar përgjigje në këto pyetje, mbetet vetëm pluhuri i ngritur për spiunim, dhunë, shantazh, rrezikim të interesave të shtetit. Mirëpo, mosfitimi i përgjigjeve në pyetjet e parashtruara në këtë mënyrë, është po aq “përgjigje e zëshme”.

 

KONFUZIONET E KRIJUARA NGA SHFRYTËZIMI I TERMIT “PUÇ” (ËSHTË PUÇ OSE JO)

Elementi i dytë i konfuzionit është futur nga Ministria për Punë të Brendshme dhe nga ministresha Gordana Jankullovska, nëpërmjet deklaratave të dhëna ne media dhe njoftimit zyrtar të dhënë në ueb-faqen e Ministrisë për Punë të Brendshme.

Në njoftimin e Ministrisë për Punë të Brendshme thuhet se: aksioni i udhëhequr me titullin “Puç”, rast i realizuar ku është penguar përpjekja për rrezikim të rendit kushtetues dhe marrjes jodemokratike të pushtetit, janë identifikuar në mënyrë precize njerëzit që dyshohen për “dhunë ndaj përfaqësuesve më të lartë të organeve shtetërore”, mbledhje të të dhënave nga viti 2012 me qëllim që t’u jepen shteteve të huaja, kërcënime serioze për posedim të materialit komprometues…

Në të përditshmen “Dnevnik“, është bërë analizë me të cilën trajtohen termet “dhunë” dhe “puç” në përputhje me Kodin Penal. Një analizë e ngjashme është bërë edhe në portalin “Prizma“, mirëpo me përfundime krejtësisht të tjera.

Për qartësimin e konfuzionit që është bërë me deklaratën zyrtare të dhënë nga Ministria për Punë të Brendshme, mediat e lëshuan rastin që të fitojnë përgjigje të qartë dhe përfundimtare (të cilën do t’ua përcillnin qytetarëve) në disa pyetje:

  • A përdoret termi “Puç” vetëm si emër i aksionit që është realizuar nga ana e Ministrisë për Punë të Brendshme apo bëhet fjalë për puç të dhunshëm në shtet.
  • Nëse bëhet fjalë për puç atëherë pse nuk është e involvuar asnjë strukturë shtetërore (Kryetari i shtetit, Këshilli i i sigurisë, Kuvendi, Komisioni për mbrojtje dhe siguri…)?
  • Në qoftë se bëhet fjalë aksion të rregullt policor, atëherë pse jo një, por dy ministra kyç (ministri për punë të jashtme, Poposki, dhe ministresha për punë të brendshme, Jankullovska), thirrën ambasadorë të huaj dhe i informuan për aksionin “Puçi”. Në qoftë se bëhet fjalë për aksion policor, veprimi i këtillë është shumë i çuditshëm, e në qoftë se bëhet fjalë për puç, atëherë mbetet pyetja se pse nuk janë aktivizuar të gjitha organet e shtetit, por vetëm organet gjyqësore si për rast të zakonshëm policor?

 

KONFUZIONE TË KRIJUARA NGA AKUZAT E PAQARTA PENALE NDAJ TË DYSHUARVE

Elementi i tretë еi konfuzionit ka të bëjë me veprat penale që përmenden, gjegjësisht, për të cilat janë privuar nga liria/të dyshuar/të akuzuar disa njerëz.

Sipas disa mediave, i dyshuari i parë është pyetur vetëm për posedim të armës pa leje (Fokus).

Sipas të tjerave (Veçer):

“Sipas informatave nga policia, i dyshuar i parë është ish-drejtori i DSK-së, Zoran Verushevski, të cilin policia e akuzon për spiunim dhe ndihmë për të shkatuar dhunë mbi funksionarët shtetërorë.”

Sipas “А1 оn“, “МPB-ja me padi penale për Zaevin për dhunë, spiunim  dhe marrje jodemokratike të pushtetit”.

Sipas “Telegraf”-it:

“I gjithë grupi do të përgjigjet për dhunë ndaj organeve shtetërore, rrezikim të rendit kushtetues dhe të institucioneve demokratike, vepër kjo për të cilën për herë të parë ngritet padi në Maqedoni.”

Në “Fokus” është bërë një analizë eksperte e mundësisë për ndjekje penale të Zaevit, e cila është shumë interesante nga aspekti i potencimit të një pjese të elementeve jokonsekuente që i plason pushteti sa i përket padisë penale dhe të veprave penale për të cilat ngarkohen një pjesë e të dyshuarve, ndërsa, në “Dnevnik” është bërë analizë e akuzave të mundshme nga aspekti i qëndrueshmërisë dhe përkatësisë së tyre.

Për qartësimin e konfuzionit që është bërë me informatat e ndryshme për llojin e veprës për të cilën janë dyshuar katër njerëz, mediat e lëshuan mundësinë që të fitojnë përgjigje të qartë dhe përfundimtare (të cilën do t’ua përcillnin qytetarëve) se për çka njerëzit dyshohen me të vërtetë njerëzit kundër të cilëve janë ngritur padi në kuadër të aksionit “Puçi”:

  • Për përpjekje për rrëzim të rendit kushtetues dhe juridik të vendit me kërcënim për publikim të të dhënave për vepra të kryera kriminale (shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve) nga ana e funksionarëve të lartë të pushtetit? Në çfarë mënyre mund të mbrohet rendi kushtetues dhe juridik në qoftë se është e ndaluar publikimi i të dhënave për shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjeve nga ana e funksionarëve të lartë të pushtetit?
  • Për shkak të marrjes së të dhënave të fshehta nga shërbimet sekrete kur një vepër e këtillë penale as që është paraparë në Kodin Penal?
  • A mund të futet në dispozitën për sekret shtetëror, informata fshehja e të cilës e rënon/rrezikon rendit kushtetues dhe juridik të Maqedonisë, gjegjësisht a janë përmbushur në mënyrë kumulative dy elementet e sekretit shtetëror që janë të shënuara në Kodin Penal: vendimi nga ndonjë organ shtetëror që ndonjë informatë të shpallet si sekret shtetëror dhe rreziku për qytetarët dhe vendin në qoftë se ajo informatë nxirret para publikut?
  • Për shkak të detyrimit politik të bërë nga kryetari i një partie politike mbi kryetarin e një partie tjetër politike? Prej çka përbëhet lufta politike në qoftë se nuk ka detyrim politik si armë që përdoret në këtë luftë?

 

Уште ветар и магла - овојпат креирани од Јавното обвинителство за уште поголема конфузија. Фото: vhines200, 2014
Edhe më shumë erë dhe mjegull – kësaj radhe të krijuara nga Prokuroria publike për konfuzion edhe më të madh. Foto: vhines200, 2014

 

KONFUZIONE TË KRIJUARA NGA PROKURORI PUBLIK

Elementi i katërt i konfuzionit është futur nga ana e Prokurorit publik.

Problem që është i pranishëm vazhdimisht në raportimin mediatik është ajo se nuk shfrytëzohen përparësitë e botimeve elektornike dhe mundësia për të vendosur link deri te faqja zyrtare e Prokurorisë publike.

Në ueb-faqen zyrtare të PP-së qëndron një njoftim krejtësisht joprofesional, jo i plotë, dhe i pasaktë:

“Prokuroria publike e Republikës së Maqedonisë çmon se është e nevojshme të potencojë se publikimi i materialeve që mund të jenë lëndë e procedurës së mëtutjeshme penale është i ndaluar dhe dënohet me ligj.”

Mediat në fillim duhet të interesohen pikërisht për nivelin e lartë të joprofesionalizmit dhe të lapidaritetit të njoftimit zyrtar të Prokurorit publik, për mungesën e theksimit të neneve të ligjeve në të cilat thirret Prokurori publik dhe sqarimin e relevancës së këtyre neneve për rastin konkret.

Libertas” e transmeton njoftimin e Komitetit të Helsinkit, “24Vesti” e përmend njërin nga nenet, mirëpo nuk ofron sqarime dhe nuk e problematizon relevancën e tyre për rastin konkret.

Fokus“-i e parashtron çështjen e neneve në të cilat thirret Prokurori publik dhe pastaj i citon nenet e përmendura, mirëpo përsëri nuk e problematizon faktin se ato nene aspak nuk kanë të bëjnë me situatën konkrete. Në fakt, edhe në nenin 289 (për fshehtësinë e procedurës parahetimore) edhe në nenin 299 (për fshehtësinë e procedurës hetimore) bëhet fjalë për materiale që gjenerohen gjatë vetë procedurës edhe atë si pjesë e veprimeve të organeve hetuese, gjegjësisht, atyre gjyqësore, e jo për materiale të cilat ndonjëherë, në ndonjë situatë, mund të bëhen pjesë e procedurës penale.

Një sqarim i mirë i gjithë situatës në lidhje me procedurën dhe njoftimin e Prokurorit publik është dhënë në нleksionin gazetaresk të publikuar nga “Shërbimi për verifikimin e fakteve në media” dhe në formë pak më të shkurtër në “Slloboden peçat“, e poashtu edhe gazetarët u paraqitën me komunikatën e tyre në lidhje me paraqitjen e Prokurorit publik (Zëri i Amerikës).

Nga ana tjetër, vetëm një ditë pas kësaj deklarate, në TV “Sitel” u paraqitën të dhëna të cilat qartazi janë pjesë nga vetë veprimet hetimore:

“Sipas informatave të Sitel-it, në laptopin shtëpiak të të dyshuarit të parë janë fshehur analiza të plota të lëndëve, të bazuara në audio-inçizime të fituara ilegalisht, mënyrë e punës e cila ka qenë në kundërshtim me veprimin e shërbimeve të vendit.

Hetuesia ka dëshmi edhe për lidhjen e ish-drejtorit të DSK-së dhe liderit të LSDM-së. Njëri nga takimet e tyre të rregullta në Strumicë ka qenë i caktuar të mbahet ditën kur është arrestuar Verushevski. Një bashkëpunëtor i liderit të opozitës disa orë e ka pritur atë në hyrje të Strumicës, mirëpo kanë hequr dorë pasi nga mediat kanë kuptuar se është në stacion policor.”

E njëjta përsëritet edhe në të përditshmen “Veçer

“Hetuesia ka dëshmi edhe për lidhjen e ish-drejtorit të DSK-së dhe liderit të LSDM-së. Njëri nga takimet e tyre të rregullta në Strumicë ka qenë i caktuar të mbahet ditën kur është arrestuar Verushevski. Një bashkëpunëtor i liderit të opozitës disa orë e ka pritur atë në hyrje të Strumicës, mirëpo kanë hequr dorë pasi nga mediat kanë kuptuar se është në stacion policor.” 

Domethënë, jo pjesët e supozuara nga hetimi, por ato që tashmë janë vërtetuar, janë ato që nuk guxon të publikohen (e pikërisht të tilla janë shembujt e përmendur nga TV “Sitel”-i dhe nga e përditshmja “Veçer”).

Është shumë e vështirë që në kushte të konfuzionit, të krijuar nga ana e pushtetit, mediat ta trajtojnë çdo informatë, gjysmëinformatë ose informatë të rrejshme. Mirëpo, ato kanë në dispozicion një vegël të fuqishme: të parashtrojnë pyetje dhe të kërkojnë redukimin e përgjigjeve deri në një nivel shumë elementar, kur thjesht bëhet shumë e ngushtë edhe hapësira për dezinformim dhe për t’u fshehur në një re pluhuri të krijuar me qëllim. Kurse pluhuri pastrohet edhe me pyetje të mira që do të mbeten të papërgjigjura, apo jo?

Lajme të ngjashme

Back to top button