Letër nga një i pafajshëm që dergjet në burgun e skëterrshëm

( ose, sëpaku ti më kupto, nëse je baba i mirë për fëmijët e tu dhe baba i kombit)

Baba, në këtë letër do të hasësh shumë elemente rrëfimi, ngaqë  kam nevojë për ndihmën tënde. Më lehtë do të isha mbrojtur nga një zogori ujqërish se sa nga tufa e klandestinëve. Mosha ime e re, njësoj si e shokëve të mi, ka ndryshuar mentalitetin. Ti nuk më njeh mua baba dhe nuk je munduar të më njohësh. U rrita shpejt, prapa syve të tu.  Dua të të them ngulshëm, se, po të më jepet mundësia, do ta ndryshoja jo vetëm këtë copëz shtet, por edhe Ballkanin e rrëmujave, hileqarëve, klandestinëve, meskinëve… Shëmbëllimet e ëndrrave të frikshme, ngado që ecim  na ftojnë të dëgjojmë llomotitje llapërdhare, që dalin nga gojëligët.  Formula e vramendjeve nuk ekziston më. Kryeqyteti është mbushur me baljozë fronesh. Ata, thuase kanë zbritur nga gojëdhënat për të sunduar si llupsa e si hamshorë. Ditë për ditë duan nga një dash të pjekur dhe natë për natë lëmesen me nga një vashë të dergjur. Kuestorët s’kanë bezdi për lirinë absolute që e kërkojnë disidentët symprehtë. Ata shëmbëllejnë me rrugaçë qejfpaprishur që s’dinë se ç’bëjnë, vetëm për t’i arritur lartësitë. Gazetarët e ngurafët shtrijnë dorën si lypsa për të thënë një fjalë goje. Por, ata që tregohen disident e nuk iu binden urdhërave të partive pozitë e opozitë, ose padronëve të kamur, dëgjojnë hakërrimet, gjëmën dhe bëhen stoik. Frikacakët kërkojnë formulën e shuarjes së më të zëshmëve. Aty për aty, ndryshojnë kërkesat dhe stilet e të jetuarit. Ushtrimi i dhunës është bërë pelin i kohës, pa kohë. Rrëfimet përrallore me princa e princesha, vijnë për ata që na erdhën  me topuz në krah, për një copë fron. Asgjë e re s’po ndodh për popullin, në këtë katund të vjetër, përveç një farfuritjeje  folklorike, si në kohërat e kaluara, gati aspak e ndërgjegjshme. Për mbarëvajtjen e një far paqeje, po matufosen ata që mbajnë ndërsjetulla krenajen e vendit, kurse zezona e vdekjeve, përbuzjeve, varfërive i përket popullit. Në kësi atmosferash të zvetnuara të përditshmërisë sonë, askush nuk është i aftë të vë kontroll mbi zezonën. Rrugëve të kryeqytetit shikojmë skllevër, uzurpues, mashtrues, drogaman, totemë… Populli i ngujuar brenda së keqes, mbështjellë kokën me pëllëmbë, si sarmë , ngaqë nuk e kupton se nga i fryen uragani. Të ashtuquajturit baljoz dhe konstandinë meskinë,  gjatë ditëve me diell shtiren se kacafyten, kurse në mbrëmje, bashkë gjerbin kjomën e pemëve të zgjedhura nga tregjet botërore.  Të logjikishmit e futur në konfuzion, nuk e dinë se cili është lirikërkuesi dhe cili është uzurpatori. Më të vuajtur e të dëmtuar na dalin ata të kolltuqeve. Kurse populli, sipas tyre, na del i kamur. Janë bërë  bashkë sorrat e kukuvajkat. Po fute smirën në bark, do t’i shohësh si enden meskinët nëpër botë, e bëjnë shtatë palë qejfe. Baba,  ti nuk do t’i kuptosh punët perfide të tyre, po mbete një skllotë, një mashë e madhe, për interesa të vockla. Të dy palët e karremeve hartojnë programe, rikrijojnë ligje se sa njerëz në vit do të vdesin nga epidemitë, cilëve prej tyre do t’ju ndërtohet një varr dhe një sarkofag me briliante, cilët nuk do të kenë varr, pastaj sa prej tyre do të mund të ndërtojnë pallate në stilin rokoko dhe cilëve do t’u digjen e do t’ju rrënohen shtëpitë, sa qytetarëve do t’ua marrin pasurinë me pretekst se e kanë haram, cilëve do t’ua qëndisin dosiet me dëshmitarë të rrejshëm…  Po mbetem gomerë veshgjatë, do të na kalërojnë edhe shumë vite e do të na thonë: hyp se të vrava dhe zbrit se të vrava. Mbase e kupton baba se nga na  vjen gjendja mugëll. Klandestinët, të mirat e kësaj bote i duan për vete.  Pastaj, ata lazdranët paskomunistë me sjelljet e tyre infantile përçmojnë gjuhët, kulturën e fqinjëve. Pështyjnë dhe i deinkurajojnë shkrimtarët. “Kaluan kohërat e librave dhe puna e Luigit të -XIV-“- thonë.  Bota e tyre sillet rreth parasë dhe jetës mondane.  Për çdo ditë varrosnin nga një ideal që të mos iu tundet froni. Populli i luste të zgjedhurit e tyre që e trajtojnë veten si fisnik, që të thonë troç se çka duhet të bëjnë për zhvillimn e shtetit. Ku të gjejnë para për investime në bujqësi, kush do t’ju hap rrugë?  Populli prêt e pret nën hije dhe mbledh gorrica për ta shuar urinë, herë pas here me synim që kurdoherë e kurdoqoftë, t’i kundërvihen,  ideologjisë së gabuar. Përgjuesit si puna jote, na quanin të rrezikshëm edhe të pasinqertë.

Nga njëra anë, populli shqiptar dhe ai maqedhon, vërdallosej e trembej nga fshehanikët llomotitës që i detyronin të besonin se sa mund të ndikonte Serbia, Bullgaria, Kosova dhe Shqipëria në rrugëtimin e tyre. Ata e provokonin popullin me pyetjet e bezdishme se me cilin, nga këta shtete fqinje do të mishëroheshin përgjithmonë. Nga ana tjetër baljozët dhe konstandinët meskinë, bashkë me mediumet, vetë pyesnin e vet përgjigjeshin që t’i çelin punë vetes e ta quajnë marrëzi mbarëpopullore thënien: hani bukën e kryeqytetit të Maqedhonisë dhe mbani gajlen e shteteve të huaja. Ç’të të them… Ata sillen si nxënës zevzek që nuk duan të përmirësojnë asgjë. Frazat “ ne”, “ata” sillen vërdallë nëpër lagje e nëpër mediume, vetëm nga të varfërit, nga idealistët e shëmtuar, që mbeten elektorati më besnik… Baba, gabimet që na ndëshkojnë, na lënë pa frymë. Njeriu që fundoset, nis çdo gjë nga e para. Demokrati, në koshiencë duhet të përpiqet të arrijë lirinë e plotë shpirtërore që më mirë ta kuptojë rrobërinë e të tjetrëve.  Liria e vërtetë hedh në hendek, çdo lloj skllavërimi. Unë dhe suita e të rinjve, kishim shumë ëndrra, por na shkëputën zinxhirin e vizioneve, paskomunistët meskin që lezetohen nga froni. Ata shpërdorojnë postet dhe na falin buzëqeshje fallso. Në çdo kohë, na vijnë gjthëfarë dënimesh, gjithfarë goditjesh lemeritëse, nga të paanshmit.

Konstandinët guhak, nuk kan bezdi kur populli i ngurafët, vreroset për zezonën e paharruar, për ekzekutimet, për të vrarët që nuk iu dihet varri. Zhbiruesit e stërvitur, përplasën ndjenjën e fajit te ca demonstrantë. Para nesh fanitet një ardhmëri e cunguar, plot ankthe. Shpesh kam dashur të iki nga ky vend e të arratisem diku larg, përtej përfytyrimit, në ndonjë shtet demokratik. Lexova diku se mendësia paskomuniste, mezi priste seancën e fundit që fajin ta hidhte mbi mua dhe mbi tetë demonstrantë tjerë. Gjithçkaja është e tymtë si në filma horrorr. Skam shpresë për rrethana lehtësuese. Ata, me mund, na vënë nga një gur të rëndë mbi tepe të kresë e na hedhin si qen, në varrezat e shpërbëra të famëkeqit. Kam frikë se mund të na dënojnë me burg të përjetshëm, edhe pse ne nuk jemi vrasës. Fonemat e kërkesave tona iu duken plumba. I mallkuar qoftë dhe u thaftë gishti im, poqese shkrep armë. Unë nuk mund të vras njerëz, baba.

Kombi është si individi. Është interesante të thuhet se nuk ka komb që nuk e idealizon trungun e vet dhe nuk ka njeri që nuk e idealizon veten. Secili te vetja shikon përsosmëri. Hendeku mes tmerrit dhe ideales thellohet dhe vlon si uji në temperatura të larta, në paskomunizmin multietnik. Njohja reciproke, mes nacionaliteteve dhe komunikimi i mirëfilltë do të na shpëtonte nga e keqja. Ç’na duhet lufta ne, mor aman ! Vdiqën kohërat e mesjetës së dhunshme. Le të na tallin, le të na çvlerësojnë sa të duan, unë do ta mbroj lirië e mendimit dhe lirinë e shprehjes me logjikën time. Ajo është arma ime e vetme.

Baba, më kujtohet sa i mirë ke qenë në fillim të tranzicionit. Edhe pse isha i vogël, çdo gjë perceptoja. Nuk e kuptoj përse ndryshove aq shumë. Metamorfoza që pësove, mua më përcolli inerci. Mezi e mbarova shkollën, ngaqë rritesha i stresuar.  E dija se vetëm nëna më përgjëronte. Unë të dua, por të them të drejtën në një gjendje të ëndërrt, sikur edhe të frikohem. Kur po t’i shkruaj këto fjalë, më vjen një nxehtësi nga thembrat,  më skuq në fytyrë e më ngrihet pushi i lëkurës, si pushi i hithrave pas një vese shiu. Sa keq që e prisha imazhin, të cilin e pata për ty, derisa isha adoleshent. Sa herë më vërtitesh në mendje, e më del para si një vegim që po më shuhet, kujtoj historinë e një mbreti mizor dhe pretendentin e fronit të tij. Historia dëshmon se ai mbret kriminel, emrin e të cilit nuk dua ta zë me gojë, për pushtet e verbëroi djalin e vetëm. Rrëfimi mbeti, se mbreti e kishte pas lidhur pjellën me zinxhir dhe e kishte sjellë në burgun e kryeqytetit tonë. Pak më vonë kishte urdhëruar verbimin e tij, pasi që në ato kohëra shumë të hershme, i verbuari konsiderohej si pretendent i pa aftë për drejtimin e shtetit. Kjo nuk i mjaftoi mbretit mizor. Ai e kishte pas përndjekur të birin në Kostandinopojë, për t’u siguruar edhe nga zëri i tij. Kjo nuk ka të bëjë fare me ne të dy, pasi që as ti nuk  je  mbret, as unë pretendent. Ta tregova sa për të thënë se baballarë ka shumë, por secili nuk mund të mbetet baba.

E kaluara dhe ardhmëria, jo e paqme, me një të tashme shumë të tensionuar,  u mbush me njerëz joracional dhe të korruptuar. Realiteti jo aq i bindshëm e i ndritshëm, na bën të mos iu besojmë edhe atyre që na kanë lindur.

Baba, unë mendoj se paskomunizmi, është shumë i ngjashëm me komunizmin si ideologji e të menduarit.  Kjo periudhë e trishtë  më mbushi me keqardhje, sepse shoqëria futet në stoicizëm, dikush dënohet e ridënohet për një copë identiteti … Paradokset qëndrojnë aty se zjarret vazhdojnë të rrinë të ndezur, pasiqë për çdo ditë iu hidhet, nga një lugë gjelle barot. Në këtë zallamahi të verbërish ne ulërisim. Meskinët furrin ujin që lumi të bëj shtrat andej nga iu pëlqen atyre dhe nuk e lënë rrjedhën e natyrshme të tij. Kjo nuk hap shtigje drejt mrekullisë.

Edhe paskomunizmi, njësoj si komunizmi i diktatorit, për ne mbetet një ekstrem i majtë, njësoj si fashizmi që mbetet një ekstrem i djathtë. Këtë thënie e kam lexuar diku. Edhe pse populli shqiptar ka etnogjenezën dhe formacionin e përcaktuar me shekuj, me të gjitha tiparet e duhura të një kombi të lashtë, ai ishte në shënjestër të sistemit të kaluar dhe sistemit në tranzicion që ec rrëshqanas, i lidhur pas bishtit të ish sistemit. Gjakftohtësisht po të them se soji ynë amorf, akoma  i pa ndërgjegjësuar,  flen e ngrihet me sy të kuq nga pagjumësia, nga lodhja prej punëve të rënda, prandaj mendja iu flenë, si t’ua mësyjnë rrugëve të botës. Duan shtëpi të larta dhe oborre të gjata. Asgjëja më nuk ka vlerë. Respektohet vetëm mendimi i aristokracisë paskomuniste. Pasojat mund të jenë fatale. Mbetem qorr që nga komunizmi, prej kuotave të vogla pjesëmarrëse, nëpër universitetet e kryeqyteteve të ish republikave. Si do të na pagëzonin konstandinët meskinë dhe baljozët, po të mos ishte gjallë Shqipëria e Kosova, ne që humbëm rrugët në oborrin tonë. Shqiptari mbahet në varfëri dhe në mjerim nga klandestinët. Historia jonë shtrembërohet dhe nuk mësohet as në shkollimin fillor. Atyre iu vjen keq për kohën kur ishin sundues e ne merrnim arratinë, rrugëve të kurbetit, se përndryshe, do të mbeteshim barinjë dhe shërbëtorë. Presim përnjëhershmërinë e një ndryshimi për të mirë, por s’vjen e s’vjen. Adhurojmë modelet e reja të të jetuarit dhe na duken aq të pa arritshme. Thelbi i ndalesave degjeneron gjykimin tonë të drejtë, por akoma nuk mendojmë se jemi soj kafshësh të udhëhequr nga gomerët. Mund të vdesim edhe nga apendisiti, poqese nuk ia mbushim xhepin hirurgut. Na rropën edhe tanët, baba.

Fenomeni më sublim që krijoi njerëzimi gjatë historisë njerëzore, pas urtësisë, është dashuria mbarë njerëzore, e cila në esencë duhet të jetë shkëmbim reciprok i privilegjeve.

Të lutem baba tregoju shokëve se biri yt është i paqtë fund e krye, kurse kodoshët e tu janë puçist. Asnjë njeri, nuk duhet të kaptoj male e fusha që ta gjej urtësinë, atë duhet ta mbartim me vete, ngado që sillemi. Ajo na vjen nga të parët tanë të virtytshëm. Nacionalizmi riprodhohet nga baljoz e konstandinë dhe nuk  ndërmendet që të shteret. Mundimqarëve askush nuk ua dëgjon fjalën. Ata kanë filluar të mallkojnë, pasi që e vërteta iu del  rrenë, kurse rrena e vërtetë. Ditën mallkojnë veten kurse natën, meskinët. Ata iu faniten edhe në ëndërr. Shpërthejnë si cunami, rrëmbejnë ç’gjejnë para, nuk pyesin për përkatësi feje e kombi. Cimbidhin popullin edhe kur sertënohet edhe kur sillet me admirim, kanë frikë se ua kërcënojnë fronin.

Politikat e reja na ofrojnë retorika bajate. Qëllimet janë të qarta: meskinët iu bien tupanëve, kurse ne duhet të lodrojmë sipas muzikës së tyre. Për lidershipin, janë të pa dëshiruara : ndryshimet, integrimi, toleranca, barazia… Kurse tufa, edhe pse e ndërdyshuar, merr hov marramendës  e nxjerr në shesh banderolat e ngurta: “Ne e duam Rusinë”- thonë ata. – “Jemi evropianë”-themi ne.

Baba, e keqja vjen si breshëri, si zjarri, kurse dhitë e cjepërit klandestinë, mbajnë bishtin përpjetë. Nga ata vijnë përçarjet, mosdurimet nacionale e religjioze, torturat, pabesitë brenda-përbrënda. Na kallin fitilin dhe nuk na lënë rehat ne, që ta rahatojnë veten. Edhe në fushata hedhin popullin në llumin e urrejtjes. Në fillim gllabërojnë votat, pastaj votuesit. Gjithçkaja mbytet në anarhi. Ngrihen lartë vetëm ata që marrin nëpër këmbë demokracinë. Sherret janë monopatet e para të ecejakeve. E tërë kjo që po ndodh është aq e pakuptimtë, baba. Ripërtrihet smira e verbër. Diplomatët e huaj përcjellin me vëmendje çdo gjë që ndodh në këtë shtet të vogël. Ne nuk ua ndajmë sytë dhe ua peshojmë çdo fjalë goje. Ndonjëherë mendoj se gjithçkaja është e kotë. E keqja na vjen prej andej, nga nuk e presim. Turma e nevojtarëve po rritet. Çdo përqethje tmerri vjen edhe prej atyre që anojnë nga sofistët. Ja si puna yte. Më fal baba, por e kam pa tjetër ta nxjerr helmin nga barku.

Frika më pushton çdo natë. Po nuk më ndihmove, unë nuk do të kthehem i gjallë prej këtu. Më duket se gjendem në humnerën më të thellë të kësaj toke. Dikur, komunizmi kultivoi ndjenjën e fuqishme të përkatësisë nacionale,  e cila, shpesh herë na fuste drejt një gjendjeje ekstaze. Nacionalizmi ëshë si kameleoni, herë i qetë e i bardhë, herë i flaktë dhe i kuq, herë i zbehtë dhe i trembur, herë me pamje fantazmogorike dhe rrallëherë  fytyrë  pëllumbi. Vërshimet e një identiteti të mitizuar, gjatë sistemit të kaluar, azdisën tejmase, narcizoidët e politikbërjes, që vazhdojnë të fetishojnë ca ikona nëpër male,  statujat memece brenda në qytet, të cilat i  shikojnë si kult për t’i futur në arkën e simboleve. Ne të rinjve, s’na mbeti gjë veçse të shikojmë një politikë të mbushur me bezdi, me sherre nga parelinjë të sertënuar që rrinë e na përgjojnë. Ata, mbase duan të na gllabërojnë si të jenë përbindsha. Thonë se robëria dhe kufizimi i lirisë sjell luftën, kurse lufta sjell lirinë. Kaluan kohërat e kanibalëve. Erdhi koha për një frymë të re. Të falësh është hyjnore. Duhet të ecim para. Duhet të ndërtojmë një fshat  të madh global, ku barrierat, dallimet do të bëhen më pak të rëndësishme. Kjo do të jetë sfida e këtij shekulli. Duhet diskutuar se çka na bashkon me të tjerët, e jo se çka na ndan. Politikanët tanë, janë si arixhinjtë, e lodhin kafshën e gjorë për të mbushur arkat e veta.

U ngujuam në tranzicion baba, duke shikuar si ruhen politikat e trashëguara nga e kaluara e kuqe, si ndërtohet një gjysëmetropole dhe si mbeten pa infrastrukturë lagjet tona që arnohen nën hijen e hënës.

Gazetarët e blerë nga qeveria, ngrejnë zërin si gjela dhe vazhdojnë me havazet e tyre, duke duruar censurën.. Politikanët mbeten të njejtë: njëra palë, gjoja përdor diplomacinë, tjerët arogancën dhe të fundit luajnë rolin e naivit. Ata na servojnë porosi me ekuivoke, mbushur me tharm mashtrues. Flasin për ca ligje që përngjajnë me prangat, të cilat i dënojnë e i ridënojnë vetëm të pafajshimit.  Baba, këtu s’ka ndarje sollomone vetëm për popullin.

Rrugët e kryeqytetit janë mbushur me përmendore të mbretërish mizor dhe me skulptura luanësh, të cilët, nën  hijen e llambave të neonit, marrin pamje dordolecash që bujqit i vënë për të trembur sorrat, nëpër arat me bostan. Tullë mbi tullë ngrihen objekte të stileve të huaja barok e rokoko. Këmbëngulësia e realizimit të projektit 2014, e shëmtoi qytetin.  Të huajt që rrallë vijnë  si vizitorë në vendin e multikulturave, ndërtojnë një imazh me figurë palaçoje. Gjysmëmetropola u nda në linja nacionale.  Konglomerati i klaneve, çirret për identitetin fetar që e shitoi Serbia, për identitetin nacional që ua përqesh Bullgaria dhe për emrin që po ua ndërron Greqia. Mos zot më keq, se dikush të të thotë, t’u shoftë emri.

Një meskin, gjoja kërkonte ndihmë nga gjermanët, nga francezët, nga anglezët, por kumti i tyre vonoi më shumë se një decenie. Të gjithë e dinin se ata që jetojnë në anën e majtë të Vardarit, në shtëpitë përdhese të ndërtuara rreth rrugëve të rrëpirëta, vazhdojnë ta nxjerrin ujin me kova kur iu futet brenda në bodrume, nga shirat e rrëmbyeshëm. Por heshtja zgjaste dhe bëhej mortore.  Ky sistem ma futi brengën vetiake.  Kanë thënë se fshati që digjet, kallauz nuk do, prandaj e kemi të qartë se varganit të sherreve mund t’ju shtohen: përbuzjet, fyerjet, konformistët, hajdutllëqet, burgosjet me qëllim që puna të shkojë, tërhiqe e mos e këput.

Problemet u lidhën si një suvale rreth qafës tonë. Ne rrënjësit,  jetojmë  duke ju bërë lak sherreve ndëretnike. Për këto gjëra nuk kemi biseduar kurrë, bashkë. Mbase ti edhe nuk i ke ditur, ose mua më shikoje si fëmijë, si njeri me tru të gjelbërt që nuk di çka do. E di se ti mundesh të më nxjerrësh nga kjo mynxyrë. Vetëm zotimi yt, mund të më shpëtojë. Po erdhën gardianët me nofkën “ Ujku” edhe mund të më rrjepin. Janë  të egër. Mund të më vënë te këmbët tela të xhveshur me rrymë  elektrike, mund të parashtrojnë mënyra të frikshme përgjimi, me pretekst se duan t’i zbulojnë qëllimet e mia. Mund të më rrahin aq shumë, sa që as mjekët nuk do të mund të mi ndalojnë çurkat e gjakut. Edhe mund të më ulin në karrigen elektrike.

Poqese turpërohesh nga yt bir dhe heq dorë përgjithmonë nga unë, do të marr guximin të arratisem nga kjo jetë mizore dhe po më zunë, le të më varin te telat me gjemba. Ki mëshirë për djalin tënd! Shpresa se do të më ndihmosh nuk më venitet.

Me respekt…

Lajme të ngjashme

Back to top button