Lëvizja BESA: Kumanova është e BESËS

Mbrëmë Lëvizja BESA në Kumanovë, formoi Këshilli Nismëtar Komunal për komunën e Kumanovës. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin disa nga anëtarët e Këshillit Nismëtar Qendror dhe disa nga anëtarët e Trupit Koordinues të Lëvizjes BESA.

Anëtari i Trupit Koordinues, Afrim Gashi, siç thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA, në fjalën e tij u ndal në arsyen e paraqitjes së BESËS në skenën politike të Maqedonisë.

“BESA ka që dy muaj që është në skenën politike të Maqedonisë dhe thoshin Lëvizja BESA është e dobët në Kumanovë mirëpo ju sonte të pranishëm e dëshmuat të kundërtën, Lëvizja BESA është shumë e fuqishme në Kumanovë.Unë ju them juve të pranishëm sonte këtu Kumanova gjithmonë ka qenë me BESË , sonte vetëm po dëshmohet se Kumanova është e BESËS”, tha Gashi.

Anëtari i Trupit koordinues, Zeqirija Ibrahimi në fjalimin e tij ka theksuar se sa i shitur dhe i montuar është sistemi i drejtësisë në vend.

“Sot ne gjithë e shtrojmë një pyetje se çfarë gjyqësori kemi ne, dhe kjo është çështja themelore jo vetëm e shqiptarëve edhe pse shqiptarët e vuajnë më së shumti këtë, por kjo është çështja a ja vlen të bëjmë shtet më kësi shteti të padrejtësisë? Gjithë sistemi i drejtësisë është sistem i cili ju shërben qarqeve kriminele në Maqedoni, sistem i cili shërben në dëm të qytetarëve, shtoi Ibrahimi.”

Pas tij fjalën e mori Adnan Azizi, po ashtu anëtar i Trupit Koordinues, i cili foli më shumë për gjendjen aktuale politikë në Maqedoni në lidhje me “bombat” që po bëhen publike këto dy javë në opinion.

“Jemi mbledhur sonte këtu për të kuvenduar si njerëz të Besës në këto çaste të rënda për kombin tonë në kohën kur vendi dhe shteti ku po jetojmë merr frymë rëndë nga hija e bombave të liderit të opozitës, ku kërcënon për të nxjerrë në shesh gjitha të palarat e këtij pushteti, ku aktorët kryesorë të kësaj loje të pistë janë politikanët”, tha Azizi.

Ai shtoi se ushtarët e UÇK­së apo veteranët e luftës nuk janë pronë e një subjekti politik ata janë më të mëdhenj se një parti, ata meritojnë respekt nga çdokush, nëse pak do ishin treguar të ndërgjegjshëm pushtetarët tanë që në çdo konkurs nga dy ushtarë të futën në punë askush sot nuk do ishte pa punë.

“Lëvizja BESA konsideron se njerëzit më meritorë për luftën e 2001 janë ushtarët e UÇK­së dhe gjithë rajoni i Likovës dhe Kumanovës, andaj ky vend do të trajtohet me prioritet, në çdo gjë, në punësime, investime dhe projekte zhvillimore, shtoi ai.” Pas tij u prezantua Këshilli Nismëtarë Komunal i Kumanovës, i përbërë nga të gjitha vendbanimet e Komunës me gjithsej 23 anëtarë, i cili për koordinator kishte zgjedhur ekonomistin Driton Sulejmani.

Lëvizja BESA paralajmëroi se do të vazhdojë me themelimin e këshillave nismëtare komunale edhe nëpër komunat e tjera shqiptare.

Lajme të ngjashme

Back to top button