fbpx

“Newborn” ndryshon sërish pamje në prag të 7-vjetorit të Pavarësisë

Në prag të përvjetorit të shtatë të Pavarësisë së Kosovës, monumenti i pavarësisë “NEWBORN” në Prishtinë ka marrë tashmë një pamje krejtësisht tjetër.

Qytetarë të mbledhur para Pallatit të Rinisë në Prishtinë kanë filluar t’’ia ndërrojnë pamjen, duke vizatuar e lënë mesazhet e tyre në shkronjat e obeliskut të Pavarësisë.

Se çfarë pamje do të ketë “NEWBORN”, kureshtar është edhe vet autori i këtij monumenti, Fisnik Ismajli.

“Nuk e kam as idenë më të vogël si do të duket. Natyrisht që është mbushur me njerëz, gjithmonë mbushet me njerëz. Po shihet entuziazmi, ende s’janë mbushur dy orë që kemi filluar dhe një pjesë e madhe është ngjyrosur. Këta do të vazhdojnë të ngjyrosin, dikush vizaton diçka sot, nesër dikush vizaton mbi këto. Ta shohim në fund, do të dalë diçka shumë e larmishme”, tha Fisnik Ismajli, autor i “NEWBORN”.

Hapësirë i është dhënë edhe personave me aftësi të kufizuara, me sindromëen “down”, ndërsa më të entuziazmuarit janë fëmijët.

“Ne kemi dhënë si ide, që një shkronjë t’u kushtohet vetëm fëmijëve, pra pjesa e parë të jetë për ata me syndromën ‘down’, kjo është logo e autizmit, si dhe pjesa tjetër ku fëmijët kanë mundësi të vendosin duart”, tha Fortuna Haziri.

“Unë po shkruaj emrin tim dhe po vizatoj një zemër, “smile”, etj.”, thotë Rea Kafexholli.

Në momentin që po pikturonte në monument, studenti i Arkitekturës Granit Lumnica dha një porosi për të gjithë ata, që po ikin në mënyrë ilegale nga Kosova.

“Shfrytëzoj rastin, që gjithë shqiptarëve t’u uroj festën e Pavarësisë dhe u bëj apel të mos ikin, por ta ndërtojmë vetë Kosovën. Kjo është e jona”, tha Granit Lumnica.

“NEWBORN”, realizuar me ide të Fisnik Ismajlit, u vendos ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, fillimisht me ngjyrë të verdhë, në të cilin vendosën firmat qytetarë të shumtë.

Ky është viti i tretë, e është shndërruar tashmë në traditë që “NEWBORN” të ndërrojë pamje. Në vitin 2013 monumenti u mbush me flamuj të shteteve që kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, ndërsa në vitin 2014 me simbolet e uniformave ushtarake për nder të 15-vjetorit të Çlirimit të Kosovës. / TCH

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close