Luftime të ashpra në Ukrainë pak para fillimit të armëpushimit

Luftimet vdekjeprurëse janë duke vazhduar me të madhe në lindje të Ukrainës, ndonëse kanë mbetur vetëm disa orë nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së Minskut, e nënshkruar gjatë kësaj jave.

Rebelët i kanë shtuar sulmet e tyre ndaj forcave ukrainase në disa qytete, sulme të cilat zbehin shpresat se marrëveshja e nënshkruar më 12 shkurt ndërmjet udhëheqësve të Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës, do të gjejë implementim.

Marrëveshja e armëpushimit hyn në fuqi në mesnatën mes të shtunës dhe të dielës.

Ushtria ukrainase ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur rreth 120 sulme të ndara nga ana e rebelëve.

Gjatë kësaj periudhe kohore, sipas zëdhënësit të ushtrisë ukrainase, Andriy Lysenko, shtatë ushtarë të Kievit janë vrarë dhe 23 të tjerë janë plagosur.

Qyteti Debaltseve, qytet i kontrolluar nga forcat qeveritare, thuhet të jetë caku kryesor i sulmeve të separatistëve.

“Rebelët po e shkatërrojnë qytetin Debaltseve. Ka bombardime të pandalshme drejt zonave të banimit dhe ndërtesave. Qyteti është në flakë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Vyacheslav Abroskin, shef i policisë pro-Kiev.

Ai shtoi se raketat e llojit Grad, e kanë goditur selinë e policisë së qytetit.

Qyteti Debaltseve ka qenë epiqendër e luftimeve të ashpra të ditëve të fundit, çka ka ndikuar edhe në largimin e mijëra civilëve.

Militantët thonë se i kanë rrethuar forcat ukrainase atje, gjë e cila kundërshtohet nga Kievi.

Qyteti port, Mariupol, thuhet të ketë qenë gjithashtu në qendër të sulmeve të reja, që kanë ndodhur më 14 shkurt.

Mariupol gjendet në Detin Azov dhe separatistët dyshohet se po bëjnë përpjekje ta marrin atë, me qëllim të krijimit të një korridori në mes të Rusisë dhe gadishullit Krime, të cilin e ka aneksuar paligjshëm Rusia në mars të vitit të kaluar.

Batalioni Azov, i cili është njësi vullnetare e Gardës Kombëtare të Ukrainës, njoftoi se luftimet po zhvillohen edhe në fshatin Shyrokyne, i cili gjendet në rajonin e Donjeckut.

Batalioni ka shkruar në një llogari në rrjetin social rus, VKontakte, se rebelët e kanë nisur një ofensivë, ndërsa po përdorin artileri, tanke dhe autoblinda.

Kievi e akuzon Moskën për dërgimin e armëve në Ukrainën lindore si përpjekje për t’i ndihmuar separatistët që të marrin sa më shumë territore para se të nisë armëpushimi.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Rusinë dhe rebelët se po veprojnë në kundërshtim me kushtet e marrëveshjes, e cila pritet të hyjë në fuqi.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, tha se Rusia e ka dislokuar në Debaltseve një sistem të mbrojtjes nga ajri së bashku me artileri dhe sisteme raketahedhëse.

“Kjo nuk është në kuadër të marrëveshjes së kësaj jave”, tha ajo.

Shtëpia e Bardhë është nën presion në rritje nga Kongresi, për ta furnizuar Ukrainën me armë vdekjeprurëse.

Sulmet e fundit e kanë shtyrë presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, që të shfaqë dyshime nëse marrëveshja e nënshkruar në Minsk do të implementohet.

“Nuk dua që dikush të ketë iluzione dhe unë të dukem si person naiv: jemi ende shumë larg paqes”, tha ai të premten gjatë një vizite në një zonë të trajnimit ushtarak.

Vendet e G7 thanë se janë të gatshëm që të marrin “masa të duhura” kundër atyre që shkelin marrëveshjen, një kërcënim i ri për sanksione të reja ekonomike ndaj Rusisë

Përmes një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Presidenca franceze, udhëheqësit e G7-ës thanë se vazhdojnë të jenë të shqetësuar për situatën në lindje të Ukrainës dhe veçanërisht për sulmet e fundit rreth qytetit Debaltseve.

“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet në ditët vijuese, veprime të cilat mund ta pengojnë fillimin e armëpushimit”, thuhet në deklaratë.

Konflikti në Ukrainën lindore, i nisur në prill të vitit të kaluar, deri tani ua ka marrë jetën më shumë se 5 mijë e 300 njerëzve, ndërsa qindra mijëra të tjerë i ka detyruar të zhvendosen. /rel

Lajme të ngjashme

Back to top button