Liria kërkon të mbrojë titullin kampion

Të dielën palestra sportive “Shaban Tërstena” në lagjen Çair, është nikoqire e kampionatit zgjedhor në mundje, në kategorinë e seniorëve. Këtë ngjarje sportive në cilësinë e organizmit si nikoqir e ka marrë KM Liria, e ku pritet që të marrin pjesë 12 klube.
Vetëm një ditë para kampionatit kryetari i klubit Liria, Betim Vrenezi ka thënë se gjithçka është gati dhe se shpreson në një sukses tjetër të ekipit të tij, pasi që këtë e paralajmëruan mundësit e rinj, të cilët ditë më parë u shpallën kampion në garat komunale për të rinj.

“Federata e Mundjes së Maqedonisë na kumtoi vendimin se ne do të jemi nikoqir i kampionatit zgjedhor, kemi punuar deri në momentin e fundit me stafin punues të klubit dhe kemi përfunduar të gjitha punët rreth organizimit. Kampionati fillon nëse, ndërsa luftërat do të zhvillohen në palestrën sportive “Shaban Tërstena”. Shpresoj që gjithçka do të shkojë siç duhet dhe se në mënyrën sa më të mirë do të organizojmë këtë eveniment. Edhe kësaj radhe kemi përkrahje maksimale nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, teksa besoj se mundësit tanë do të triumfojnë dhe do të shpallen kampion”, ka thënë Vrenezi.

Në kampionatin zgjedhor që u mbajt vitin e kaluar në Radovish, KM Liria ishte fitues me 11 medalje, prej tyre dy ari, tre të argjendta dhe gjashtë bronz dhe me gjithsejtë 34 pikë zuri vendin e parë, para nikoqirit Buçim dhe Ballkanecit që përfundoi në pozitën e tretë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button