Përderisa UKM ‘vlon’, studentët e USHT-së nuk prishin rehatinë

Studentët e USHT-së rrinë të qetë dhe nuk ankohen, përderisa kolegët e tyre pranë Universitetit Shën Kirili dhe Metodi tani më disa ditë kanë uzurpuar Universitetin duke kërkuar kështu autonominë. Nga ana tjetër i habitur shfaqet Ministri i arsimit, Abdilaqim Ademi për reagimin e këtyre të fundit duke thënë se diçka duhet të ndërmerret.

Denis Raufi, aktivist i Organizatës së Studentëve të Pavarur pranë USHT-së, thotë se në USHT nuk parashikohet të ndodh ndonjë aktivitet i ngjashëm.

“Jam në përcjellje të situatës që po zhvillohet në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi. Kurse sa i përket USHT-së, nuk e besoj që do të ketë ndonjë aktivitet, studentët e USHTsë janë në gjumin dimëror dhe sidomos Parlamenti Studentor. Si duket ne nuk e duam autonominë, na vjen mirë kur kemi ‘patronë’ mbi kokë”, tha për Portalb, Raufi.

Studentët në përgjithësi janë të pakënaqur me ligjet mirëpo frikësohen të flasin e lëre më të protestojnë apo të kenë ndonjë aktivitet të ngjashëm me kolegët e tyre.

“Kjo që po na bëhet është absurde, por edhe më keq është kur nuk ke mundësi të ankohesh. Po të flasim do të ndëshkohemi, ndoshta edhe do të na largojnë nga universiteti. Të gjithë pothuajse mendojnë njëjtë por asnjëri nuk e thotë zëshëm. Jemi nën presion, nuk guxojmë të ankohemi për asgjë se dënimet vijnë menjëherë. Nuk janë vetëm ligjet në USHT duhet të rregullohen edhe shumë gjëra tjera. Andaj vlerësojmë se nëse frikësohemi të themi që kjo nuk është në rregull, atëherë nuk na merr mendja që dikush do organizojë uzurpimin e universitetit”, thonë studentët e USHT-së.

Edhe pse i kontaktuar kryetari i Parlamentit studentor, Adrian Bilalli nuk u pergjigjet thirrjeve të redaksisë Portalb.

Ish ministri i arsimit Sulejman Rushit kohë më parë për ligjet në arsimin e lartë tha se duket sikur sillen nga njerez që bëjnë gara mes vete se kush do të sjell idenë më absurde, dita ditës qeveria më ngjan si Monty Python me skeçin Ministry of silly walks.

Sa i përket pasivitetit të studentëve të USHT-së, ai tha se është e vërtetë që forumet e studentëve janë të zëna peng nga politika.

“Është e vërtetë që forumet e studentëve janë të zëna peng nga politika. Është e vërtetë se ato kontrollohen nga e njëjta për qëllime të caktuara politike por nuk besoj se këto forume kontrollojnë realisht më shumë se 10 për qind të studentëve. Arsyet e qëndrimit në këtë gjendje latente i shoh diku tjetër.  Unë mendoj se studentët shqiptarë janë gjithashtu të vetëdijshëm për situatën në vend dhe janë të vetëdijshëm se hapësira akademike është mbytur. Nuk është se ata janë anemik dhe indiferent, por ata hezitojnë të reagojnë për shkak se janë të zhgënjyer dhe dyshojnë më shumë se të tjerët. Vetëm kujtoni që studentët shqiptarë protestuan mijëra herë dhe nuk besojnë më në politikë. Ata kanë frikë se mund të mashtrohen përsëri! Unë kam mirëkuptim!”, tha për Portalb, Rushiti.

Ndryshe studentët në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup shpallën autonominë studentore duke uzurpuar disa fakultete në Shkup.

LEXO MË SHUMË:

Na duhet evoluim akademik e jo revolucion i pakuptimtë!

Studentët inkurajojnë qytetarët që të demaskojnë qeverinë!

Reagime: MASH po shkatërron arsimin e Maqedonisë

Arsimi në Maqedoni një “anije” që ka goditur ajsbergun, objektivat e BE-së shumë larg

Studentët zgjerojnë zonën autonome

Lajme të ngjashme

Back to top button