Një gazetari interpretative

Që nuk do të jetë po ky koalicion pas zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni, kjo dihet, por shqetësimi qëndron në rrugën nëpër të cilën do të vijë ky transformim. Nëse lideri i LSDM-ës me maratonën e tij të demaskimit të skandaleve qeveritare sot shikohet si një hero popullor, madje më tepër nga publiku shqiptar sesa ai maqedonas, kjo nuk do të thotë se gjërat shkojnë mbarë. Ajo që është më shqetësuese për mua, ta merr mendja, është roli i gazetarisë në gjithë këtë histori. Çfarë ka bërë ajo deri më tani për rrëzimin e këtij pushteti? Sigurisht ka pasur tentativa por asnjëra nga ato nuk është çuar deri në fund. A e shihni shkëlqimin në sytë e gazetarëve sapo dekodifikohet sekreti i radhës nga Zaev? Ata janë të lumtur dhe ndjehen pjesë e këtij misioni “anti-shtet”, vetëm për faktin se mbështesin këtë aksion. Çdo qytetar i ndershëm e mbështet një aksion të tillë, por më duket se gazetaria nuk është kaq e zakonshme që t’u japë mbështetje dhe motivacion atyre që kanë për të thënë diçka, dhe kaq.

Keni parë ju të flitet te ne për hulumtim gazetaresk? Ka çarë dikush kokën për hallin e këtij populli? Nuk po flas për raportime të zakonshme se atë e bën edhe një person apo media e pakualifikuar dhe janë duke e bërë fatkeqësisht, por po flas për investigim. Këtu vetëm se vishen me petkun e gazetarit për t’u bërë zëri i asaj që ndodh, ku do të pasqyrojnë ngjarjet ashtu siç janë, përjashto këtu rastet sporadike. Me aq sa di, kjo nuk është detyrë vetme e gazetarisë, biles nëse doni, kjo është detyra e fundit që mund të bëjë një gazetar edhe atë kur s’ka punë tjetër, sepse nëse flitet vetëm për të vajtur e përcjellur konferenca për shtyp dhe për t’i zgjatur mikrofonin zotit ministër dhe mundësisht të bësh pak gjumë teksa ai është duke folur, atëherë nuk paskemi nevojë për gazetarë, kanë zyrën për marrëdhënie me publikun ata që merret me këtë punë, pse na u dashkan gazetarët?! Po mirë atëherë, ç’na duhet gazetaria nëse qenka kështu? Na duhet, na duhet edhe shumë biles. Na duhet për të parë dhe zbuluar të padukshmen, të pakuptueshmen, të paidentifikueshmen, kompleksen.

Ja pikërisht këtë që bën lideri i opozitës maqedonase, vetëm se kjo nuk është detyrë e tij, edhepse më vjen mirë që dikush ka arritur të ketë qasje në këto burime sekrete, por fundja ai ka interesin e ardhjes në pushtet dhe do bëjë çmos që t’a arrijë këtë me çdo kusht dhe ja ku po e arrin. Ndërsa gazetaria nuk vuan nga këto komplekse, nuk ka ç’i duhet pushteti, nuk ndeshet me konflikt interesash, nuk kërkon famë. A thua nuk kërkon? Në këtë vend fama dhe pushteti ka kapluar të gjithë shoqërinë, por po flas në parim. Nëse dikush është i interesuar të dijë se cili është qëllimi prioritar i këtij profesioni, atëherë ai është rruga drejt të vërtetave, jo vetë e vërteta, se atë nuk e arrijmë dot. Duke raportuar, duke pasqyruar ngjarje dhe duke vrapuar pas konferencave për shtyp, nuk je brenda kësaj rruge, për një arsye të thjeshtë, se pasqyrimi i atyre ngjarjeve nuk përmban të vërtetat, po t’i përmbante, nuk do të kishim nevojë për gazetari. Në këto raste je vetëm duke interpretuar, që nuk ka asgjë të keqe, por nuk je duke bërë gazetari reale. Kjo quhet gazetari interpretative. Nga ana tjetër, kemi atë që quhet gazetari investigative.

Ka nga ata që këtë lloj gazetarie e konsiderojnë vetëm si një kategori të profesionit. Në fakt kjo nuk është një kategori e veçantë por është vetë gazetaria. Pa hulumtim s’ka gazetari, pa zbuluar ndonjë “bombë” nuk ke bërë gjë, pa i “prishur” punë dikujt nuk ke ndrequr gjë. Por ama kjo punë do shumë investim, do para, do njerëz profesionistë që do të punojnë në kohëgjatësi dhe me durim, do zemra të pastra dhe mendje të panjollosura, sidomos politikisht dhe qe besa, do edhe pak guxim. Ku t’i gjejmë të gjitha këto të mbledhura në një vend? Është e vështirë por jo e pamundur, vetëm se këtu nuk punon njeri për të ndërtuar një shoqëri të tillë gazetareske.

Ne akoma s’dimë se për çfarë është fjala, nuk na ka rastisur të diskutojmë për tema të tilla. Më kujtohet ajo thënia e famshme e George Orwell, të cilin antikonformizmi i tij e shtyu të thotë se “Gazetaria shtyp atë që dikush nuk ka dashur të jetë shtypur. Çdo gjë tjetër është marrëdhënie me publikun”. Dikush mund të thotë se këto janë koncepte të vjetra, gjërat kanë ndryshuar tani, duhet të ecim përpara. Të ecësh përpara nuk do të thotë se duhet të flakësh tej çdo mendim të vjetër, edhe kjo punë do pak shkathtësi dhe maturi. Po të lexoni Noam Chomsky-n do të shihni se ai nuk flet për ngjarje ditore, por analizon gjërë e gjatë politikën e SHBA-ve, duke “hedhur 1001 bomba” që nga lufta e Vietnamit, ndërhyrjet ushtarake amerikane në Afganistan, Irak e me radhë.

Edhe Umberto Eco bën të njejtën gjë për skandalet e shteteve dhe popujve europianë. E bëjnë këta ama, që janë njerëz të letrave dhe që kanë njëfarë besueshmërie në publik, jo partitë opozitare të këtyre vendeve, ngase edhe opozita ka të njejtën sëmundje epidemike, pushtetin. Nuk është opozita ajo që lëshon “bomba”, nuk ka besueshmërinë e duhur për t’a bërë këtë, ndërsa këtu te ne as që vihet në dyshim fjala e një politikani, qoftë ai në pushtet ose jo. E si mund të mos vihet në dyshim fjala e një politikani? Ja ku na doli edhe një element i rëndësishëm i gazetarisë, “dyshimi”. Të dyshosh do të thotë të përpiqesh të qartësosh dyshimin, e kjo është një rrugë drejt të vërtetave. E kemi ne këtë si shoqëri?!

Jam pro publikimit të të gjitha skandaleve në mënyrë të paprecedent pasi të jenë verifikuar (ja, edhe verifikimi është punë e gazetarisë), të cilat pa dyshim se do të ndikojnë në rrënimin e kësaj qeverie, se edhe ashtu jemi shumë të lodhur nga kjo torturë që përshkon dhjetëvjeçarin e fundit. Duhet parë me keqardhje që këtë ekskluzivitet e posedon politika e jo vetë gazetaria ose bota intelektuale e vendit. Kam përshtypjen se vetëm për këtë arsye do të vazhdojmë të paguajmë fatura kilometrike.

Lajme të ngjashme

Back to top button