Libia në rrugën e Egjiptit?

Qeveria ka kërcënuar se do të përdorë forcën për të rimarrë portet e naftës që po mbahen nga protestuesit e armatosur, duke rritur rrezikun e shpërthimit të një lufte civile në Libi.

Në Libi po rriten shqetësimet për një konflikt të stilit të Egjiptit ndërmjet Vëllazërisë Myslimane dhe forcave opozitare, teksa kryengritësit kanë bllokuar portet kryesore të naftës, ndërsa kryeqyteti është shtrënguar për konfrontime të armatosura, ka shkruar “The Guardian”.

Udhëheqësit në provincat e Sirenaikës dhe Fezanit po mendojnë të shkëputen nga qendra, teksa grupet kryengritëse po mobilizohen në mbarë vendin. Me eksportet e naftës që kanë rënë për 70 për qind, qeveria ka kërcënuar se do të përdorë forcën për të rimarrë terminalet e naftës që po mbahen nga protestuesit e armatosur, duke rritur rrezikun e shpërthimit të një lufte civile në Libi.

Tripoli është i tensionuar, me shkëmbime të përnatshme zjarri. Diplomatët, bashkë me shumë libianë ordinarë, po e monitorojnë një orë të vetëshpallur policore nga perëndimi deri në agim. Kryetari i Kongresit, Nuri Abu Sahmain, i ka ftuar për bisedime në kryeqytet grupet e lidhura me Vëllazërinë, dhe ka dislokuar trupa në qytet për të parandaluar atë që po cilësohet rrezik puçi.

Kjo masë emergjente e ka nxitur partinë kryesore opozitare, Aleancën e Forcave Nacionale të qendrës së djathtë, që të braktisë kongresin – hap të cilin e kanë ndjekur edhe disa parti të vogla etnike, duke e lënë Partinë për Drejtësi dhe Ndërtim të Vëllazërisë në krye të qeverisë me një autoritet të brishtë. “Ky është praktikisht kolaps i Kongresit”, ka thënë një diplomat në Tripoli.

Të dielën, ministri i Brendshëm, Mohamed Khalifa al Sheikh, ka dhënë dorëheqje nga posti, duke e akuzuar kryeministrin, Ali Zaidan, për mosmbështetjen e tij. Dorëheqja e tij, e cila ka ardhur pas asaj të zëvendëskryeministrit, Awadh al Barasi, e ka dobësuar edhe më tej qeverinë.
Zaidan ka marrë një qëndrim të ashpër ndaj protestuesve, duke kërcënuar se do t’ia mësyjë dy porteve më të mëdha të naftës me forcë, dhe duke i paralajmëruar kompanitë ndërkombëtare të naftës se anijet e tyre do të sulmohen nëse ato blejnë naftë nga kryengritësit. “Çdo anije që s’ka kontratë me shtetin dhe i afrohet terminaleve do të bombardohet nga ajri dhe deti”, ka thënë ai.

Kryengritësit libianë që i kanë bllokuar portet në provincën lindore të Sirenaikës, ku ndodhet pjesa më e madhe e naftës së Libisë, kanë thënë se do të kundërpërgjigjen nëse do të sulmohen.

Konflikti civil buron nga një kërkesë për autonomi nga Këshilli Kalimtar i Sirenaikës, i kryesuar nga një i afërm i ish-mbretit të Libisë, sheik Ahmed Al-Senussi. Deputetët e provincës tashmë janë larguar nga kryeqyteti. Libia përballet me mundësinë e një bllokimi të rezervave të saj të tjera të naftës, pasi udhëheqësit e provincës jugore të Fezanit janë solidarizuar me Sirenaikën.

Shumica e libianëve po i rezistojnë të ashtuquajtur Ligj i izolimit, i cili është krijuar për të hequr zyrtarët e kohës së Gaddafit nga ushtria, policia dhe qeveria, në mes të akuzave se ata do të zëvendësohen nga zyrtarët e Vëllazërisë. Edhe besnikëria e ushtrisë së vogël të Libisë është e paqartë: udhëheqësit e saj zor se do t’i pranojnë përjashtimet. Në mes të tensioneve, autoriteti i qeverisë tani shtrihet në kryeqytet dhe në Misrata, 160 kilometra larg, por jo edhe shumë përtej.

Teksa përleshjet e armatosura po vazhdojnë gjatë netëve në Tripoli, shqetësimet në mesin e banorëve po rriten. Ali Tarhuni, ish-disident që ka kryesuar ministrinë rebele të naftës gjatë Pranverës Arabe, po përpiqet të ndërmjetësojë ndërmjet dy palëve kundërshtare. “Kemi një krizë”, ka thënë ai. “Siguria është i vetmi prioritet që duhet ta ketë qeveri”, ka shtuar Tarhuni.

Lajme të ngjashme

Back to top button