Portalet proqeveritare maqedonase akuza Zeqirit, reagon SHGM

Portalet maqedonase të afërta me pushtetin aktual e shpallin Muhamed Zeqirin armik të partisë së Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE-së. “Promovues i përhapjes së urrejtjes ndaj politikave të VMRO-së”, e kanë quajtur disa portale të afërta me Gruevskin, kryeredaktorin e televizionit Alsat, menjëherë pas transmetimit të emisionit “Rruga drejt” në të cilën i ftuar ishte lideri i opozitës Zoran Zaev. Përkundër shikueshmërisë rekorde dhe vlerësimeve pozitive nga vetë qytetarët përmes komenteve të tyre nëpër rrjetet sociale, portalet e afërta me pushtetin konstatojnë të kundërtën.

“Opinioni nuk i mori përgjigjet e nevojshme, sepse gazetari Zeqiri nuk i parashtroi pyetjet”, shkruajnë portalet në fjalë të cilat për nga titulli dhe përmbajtja, që në shikim të parë bëjnë të qartë se janë produkt i një qendre të cilat madje i sugjerojnë kryeredaktorit të Alsatit Muhamed Zeqiri edhe disa pyetje që sipas qejfit të tyre do të duhej t’ia parashtronin Zoran Zaevit.

Kishte edhe tentime indirekte për të kërcënuar Zeqirin në forma të ndryshme siç është edhe vetë pyetja që parashtrojnë portalet ku thuhet: A mundet që dikush të publikojë materiale për Zeqirin? Këto shkrime i ka dënuar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, duke i vlerësuar si skandaloze dhe tentim për të shantazhë. Kryetari i SHGM-së thotë se kritikat për punën e personave publik, përfshirë këtu edhe të gazetarëve, janë të pranueshme, por  të njëjtat sipas Selmanit duhet të kenë një gjuhë korekte dhe qëllim të mirë, si dhe ti shërbejnë debatit publik për çështje me interes të përgjithshëm.

“Fakti që ky shkrim kundër kryeredaktorit të Alsatit është botuar në mënyrë të sinkronizuar në disa media që mbështesin politikën e kësaj qeverie dhe gjuha që përdoret në këtë shkrim më bën të dyshoj që qëllimi i këtij shkrimi nuk është kritika qëllim mire, kritika me qëllim që opinioni të informohet më mirë, por ka qëllim që ta diskreditojë kryeredaktorin e Alsatit dhe t’i shërbejë propagandës politike të partisë në pushtet. Në këtë shkrim skandaloz të botuar në këto media unë shoh një gjuhë shantazhi që përdoret kundër Muhamedit dhe për ne si Shoqatë e gazetarëve është e papranueshme dhe e dënojmë me forcë”, tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së./Alsat-M/

Lajme të ngjashme

Back to top button