fbpx

Nuk ndalen bombardimet në Ukrainë, rebelët sulmojnë Donjeckun e Luhanskun

Një valë e re bombardimesh u raportua në qytetet e Donjeckut dhe Luhanskut, të kontrolluara prej rebelëve në lindje të Ukrainës, vetëm një ditë pas arritjes së marrëveshjes në Minsk të Bjellorusisë, që parashikon vendosjen e armëpushimit më 15 shkurt.

Deri tani nuk ka të dhëna për viktima. Të dyja zonat në fjalë ndodhen shumë pranë vijës së frontit, ku separatistët prorusë përballen prej muajsh me forcat e Kievit.

Armëpushimi i arritur nga bisebimet maratonë të së enjtes në kryeqytetin bjellorus duhet të hyjë në fuqi mesnatën e së shtunës. Bashkimi Europian e paralajmëroi Moskën me sanksione të mëtejshme, nëse armëpushimi nuk respektohet.

Edhe pse më pak intensive se ditët e shkuara, bombardimet e orëve të para të ditës në Donjeck janë arsye për shqetësim, ndërsa predhat që tronditën Luhanskun mbrëmjen e djeshme erdhën në kohën e shtimit të luftimeve në këtë rajon.

Marrëveshja e paqes, e arritur me shumë mund pas negociatave 17-orëshe mes presidentit rus Vladimir Putin, atij ukrainas Petro Poroshenko, shefit të Elizesë Francois Hollande dhe kancelares gjermane Angela Merkel, mbetet i rrethuar me dyshimin: sa do të zbatohet vërtet ajo.

Rebelët e firmosën paktin që parashikon edhe tërheqjen e armatimeve të rënda e shkëmbime të burgosurish, por sërish ka çështje thelbësore që kërkojnë zgjidhje. Vetë Merkel, ujdinë e Minskut e përshkroi si “një rreze shprese”, as më shumë, e as më pak se kaq. “Është shumë e rëndësishme – u shpreh kancelarja gjermane, – që fjalët të pasohen nga vepra”.

Raundi i ri i sanksioneve të BE-së me ngrirje asetesh e ndalime udhëtimi për 19 rusë dhe separatistë ukrainas, përgjigje ndaj dhunës në qytetin port të Mariupolit në muajin janar, do të hyjë në fuqi të hënën, pavarësisht marrëveshjes së paqes. Paralajmërimi i Merkelit ishte se masat e bllokut mund të zgjerohen akoma më shumë, po nuk u zbatua armëpushimi ashtu siç është rënë dakord.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close