Ndahet nga jeta gazetari i “New York Times”, David Carr

Një prej gazetarëve më të respektuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Carr, i njohur për humorin dhe stilin e tij luftarak, por edhe për mënyrën sesi arriti të dilte nga varësia ndaj drogës, vdiq ditën e djeshme.

Carr u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare. Ai ishte pjesë e stafit të gazetës prestigjioze “New York Times”. Gazetari, i cili mbulonte medien, u rrëzua dje në redaksinë e gazetës dhe u deklarua i vdekur pak pasi mbërriti në spital. Shkaku i vdekjes së Carrit nuk është bërë ende i ditur.

Ai iu bashkua gazetës njujorkeze në vitin 2002 për të shkruar përgjithësisht për ngjarjet në botën e medies, përpara se të krijonte një rubrikë të përjavshme ku analizonte jetën dhe evolucionin e medies.

Në një shënim nga redaktori i gazetës, Dean Baquet, Carr përshkruhej si “gazetari më i mirë i medieve të brezit të tij, një njeri i shquar dhe gazmor, i cili ishte një nga udhëheqësit e redaksisë tonë. Ai ishte kampioni ynë më i madh, dhe pasioni i tij i pafund për gazetari dhe për të vërtetën, do t’i mungojë familjes të “The Times”, lexuesve të tij rreth botës, dhe njerëzve që e duan gazetarinë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button