fbpx

Sot është më vështirë të jesh gazetar!

Lutfi  Dervishi, është lektor në universitetin e Tiranës, në departamentin e gazetarisë. Ai,  po ashtu, është trajner në institutin e medias në Shqipëri. Dervishi, ka aktivitete mjaft të ngjeshura, si drejtues publik dhe ka mbajtur fjalime të shumta në konferenca dhe universitetet e Tiranës si dhe jashtë vendit. Më tepër se 20 vjet përvojë në media, e preferojnë atë, po ashtu,  komentator politik për mediat publike në Shqipëri dhe redaktor në gazetën “ Times “ në Tiranë.  Ka ofruar trajnime dhe ekspertizë në: marrëdhënie publike, komunikimin strategjik, marrëdhëniet me median, teknologjinë e re dhe median sociale, etika e medias, komunikimi me mediat…  

Intervistoi: Dijana Gj. Dukaj

Portalb: Fillimisht do  doja të Ju pyesja si u gjendët në rrugën e gazetarisë?
L.Dervishi: Jam diplomuar më 1991 në fakultetin gjeologji miniera, dega shpim në qershor të vitit 1991! Gjashtë ditë pas marrjes së diplomës nisa punë si gazetar i sektorit politik në gazetën e sapo themeluar Republika! U bë një konkurs për dy vende pune dhe nisa punë si gazetar! ‘Tabela e Mendelejevit’ për gazetarë ishte bosh sepse shumica e gazetarëve të kohës braktisën profesionin! Përgjithësisht,  në gazetat e reja u punësuan të rinj. Në atë kohë mendoja se dija gjithçka, por më shumë se dija mund të them se ishte fati që  shtresoi rrugën drejt gazetarisë! Trajnimet e shumta brenda dhe jashtë vendit të ofruara me bujari nga vende si Britania Madhe, SHBA, Danimarka etj…bënë që  me kalimin e kohës të kuptoja se jo vetëm që nuk kisha ditur pothuaj asgjë nga ky zanat, por edhe se dija në gazetari nuk merret njëherë e përgjithmonë, por duhet përditësuar.

 Portalb: Media, dita- ditës  është duke ndryshuar. Si do ta komentoni Ju shprehjen se mediat e reja “ vrasin “ ato të vjetrat. A vlen kjo për gazetarinë tradicionale?
L.Dervishi:  Deri më tani askush nuk ka vrarë kënd! Edhe gazeta, edhe radio, edhe televizioni edhe media on line, edhe media sociale janë gjallë! Sigurisht nuk ka më situata monopol dhe secili përpiqet të zërë  vend dhe të zgjerojë gardhin për vete. Më shumë se për ‘vrasje’ do të thoja bëhet fjalë për bashkëpunim/integrim. Sot, për shembull,  emisionin e radios mund ta shohësh në you tube apo facebook, gazetën ta lexosh në celular, televizorin ta ndjekësh në kompjuter apo ipad.

Portalb: Sot, Interneti ka shtrirjen më të gjerë, pothuajse në çdo kënd të planetit. Në kushtet  ekzistuese,  sa do të vazhdojë të ekzistojë media e shkruar sipas mendimit tuaj?
L.Dervishi: Media e shkruar ka vite që po shkon drejt rrudhjes! Disa thonë se e ardhmja e saj do të jetë drejt periodikëve, javorë apo mujorë, sepse misioni fillestar për të dhënë lajmet e ditës është marrë nga të tjerë, televizionet 24 orë me lajme apo faqet on line! Media mund të ketë sukses vetëm nëse do të jetë e specializuar dhe do të ofrojë cilësi.

Portalb: Mediat kanë gjithnjë  nevojë për gazetarë. Cilat nga profilet gazetareske i mungojnë  mediave në përgjithësi  më së tepërmi?
L.Dervishi:  Media ka probleme strukturore, ose është komerciale, e që punon për interesa të pronarëve, ose është publike që punon për qeverinë! Mungon media e pavarur, që punon për interesa të publikut  dhe, si zhanre,  mungon gazetaria investigative, reportazhet, etj! Në përgjithësi vuan cilësia! Gazetarët që punojnë nuk kanë shumë kohë për të bërë gazetari të mirë.

Portalb: Liria e medias, është njëra ndër kushtet më të përfolura në shoqërinë e sotme bashkëkohore.  Cili është niveli i arritur i kësaj lirie në botën e sotme mediatike, e në kuadër të kësaj edhe i mediave shqiptare?
L.Dervishi: Nuk mund të flitet për liri të medias në një vend ku gazetarët punojnë në kushtet e varfërisë dhe frikës, nuk mund të flitet për liri në media kur pronarët e mediave nuk janë të lirë! Një zhvillim tejet pozitiv mbetet media sociale (facebook, tëitter, instagram etj)  sepse njerëzit janë më të lirë për t’u shprehur.

Portalb: Ju si gazetar, si njeri me aq përvojë në jetën mediatike, cili është opinioni juaj për gazetarinë e sotme krahasuar me atë të nga  periudha e kaluar, jo fort  e largët?

L.Dervishi: Misioni mbetet i njëjtë. Sfidat janë më të shumta. Në fillim të viteve 90 ishte pak më thjeshtë. Situata ishte bardh e zi! Sot interesat janë më të kamufluara, më të fuqishme; në vitet 90-ta, radio ishte radio, gazeta gazetë dhe televizioni televizion! Sot kemi internetin, konvergimin e mediave, median e re dhe median sociale! Njerëzit komunikojnë pa ndërmjetësinë e medias tradicionale dhe po kthehen vetë me median sociale si ‘pushtet i 5″, për të mbikëqyrur punën e 4 pushteteve të tjera. Në fillim të viteve 90-ta, ‘tabela e Mendelejevit’ ishte bosh dhe nuk ishte problem të nisje punë si gazetar! Sot ‘tabela’ është plotësuar dhe ka gazetarë të pa punë! Në fillim,  tregu merrte edhe gazetarë mesatar, sot ka vend vetëm për më të mirët! Kriza ekonomike dhe zhvillimet e teknologjisë e kanë bërë më të vështirë si hyrjen ashtu edhe qëndrimin në këtë zanat!

Portalb: Çfarë do të thotë  të jesh gazetar në kohën e sotme. Sidomos në rajonin të cilit ne i përkasim?
L.Dervishi: Sot është më e vështirë të jesh gazetar. Gazetaria nuk është profesion që të bën të pasur, por sigurisht është nga profesionet më të respektueshme! Sfida sot është që mungon mjedisi që nxit karrierën dhe profesionalizmin në gazetari! Mbizotërojnë interesat ekonomike të botuesit ose interesat politike të qeverisë apo partive politike!

Portalb: Në një takim me studentët e gazetarisë, mes tjerash, kini pohuar se  secili njeri që ka një celular në dorë mund të jetë gazetar ( reporter). Sipas mendimit tuaj, sa është e favorshme kjo për gazetarinë si profesion?

L.Dervishi: Në kuptimin e reporterit po! Por kjo nuk do të thotë se nuk ka më nevojë për shkollë gazetarie apo gazetari! Përkundrazi, në kohën kur informacioni duket se nuk mungon dhe shpesh i ngjan cunamit, nevoja për profesionistë është në rritje! Nëse deri dje gazetarët thonin çfarë ka ndodhur? ku ka ndodhur? Sot këtë gjë mund ta thotë gjithkush që ka një celular në dorë. Detyra e gazetarëve zhvendoset pak dhe  ata duhet  t’i  japin përgjigje pyetjes: Pse? Si? Dhe kjo nuk është e lehtë jo më për gazetarinë qytetare, por edhe për ata profesionistë.

Portalb: Ju, jeni gjatë në media, njeri i publikut. Madje, në kushte dhe rrethana shpesh herë jo të volitshme. Cila është arritja juaj më e madhe  në angazhimin tuaj si profesionist?

L.Dervishi:  Nuk kam ndonjë arritje si profesionist. Ndoshta e vetmja gjë që më pëlqen më shumë rreth këtij zanati është mundësia që më jepet për të ndarë përvojën me studentë, gazetarë të rinj e kolegë.

Portalb: Mesazhi juaj për gazetarët e rinj të cilët e shohin këtë profesion si të “shenjtë “ ?

L.Dervishi: Jini kurioz. Shkruani duke menduar interesin e njerëzve.  

Tags

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close