Ahmeti: Qeveria e re greke të angazhohet në tejkalimin e kontestit me emrin

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka takuar sot në selinë e partisë në Tetovë Ambasadorin e Greqisë në Maqedoni,  Haris Lalakos.

Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Lalakos diskutuan mbi zhvillimet politike në dy vendet tona dhe në rajon si dhe integrimin Euroatlantik të Maqedonisë dhe kontestin e emrit.

Kryetari Ahmeti përsëriti qëndrimin e theksuar ditë më parë që Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon ndërhyrjen e Brukselit në zgjidhjen e aferës së fundit me përgjimet në Maqedoni në mënyrë që të përfitohet besueshmëria e të gjitha palëve të përfshira në proces.

Në lidhje me çështjen e emrit, Kryetari Ahmeti shprehu pritjen që Qeveria e re në Athinë të angazhohet drejtpërdrejt në tejkalimin e kontestit me Shkupin që po na mban larg nga NATO dhe Bashkimi Evropian.

Bashkimi Demokratik për Integrim përkrah negociata të drejtpërdrejta sa më shpejt që është e mundur midis Maqedonisë dhe Greqisë në mënyrë që të zgjidhet ky problem që do të na mundësonte anëtarësim të menjëhershëm në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

Kjo është alternativa e vetme për vendin tonë që do të siguronte paqën, sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm si dhe do të mundësonte zhvillim ekonomik në vend bashkë me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndër fqinjësore.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button