ARRITJA E VITIT NË MEDIA

FORUMI RINOR MTV2Forumi Rinor / TVM2 – Emision arsimor dhe debativ që trajton problemet, sfidat dhe perspektivat e të rinjve. Nominohet për sjelljen e perspektivës rinore të problemeve të ndryshme. Ndonëse në program shpesh ka të ftuar ekspertë, personalitete, programi shtron dhe debaton çështje nga këndvështrimi i rinisë. Në një vit me sfida për lirinë e shprehjes programi ishte edhe një tentativë e autorëve të rinj për të edukuar moshatarët e tyre për rëndësinë e debatit dhe mendimin e lirë.

 

 

 

inbox 7Web Magazina Inbox 7, nominohet për sjelljen para publikut të artikujve dhe teksteve gazetareske që kanë si synim punën hulumtuese dhe analitike nga gazetarët. Gazetaria hulumtuese, për të cilën kërkohen resurse të konsiderueshme, është e munguar në hapësirën mediatike nëpërgjithësi e në veçanti atë shqiptare. Inbox 7 synon të japë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim nëpërmjet botimeve online dhe më pas përhapjes së teksteve edhe nga media të tjera.

 

 

 

rruga drejtRruga Drejt… / Alsat M – nominohet për faktin se gjatë vitit 2014 ishte arena kryesore e debatit politik, jo vetëm shqiptar por për gjithë vendin. Në një kohë kur shënohen mungesë e hapësirave për debat dhe diskutime, programi solli përplasje mendimesh nga ekspertë, analistë, politikanë, konstitucionalistë, etj. në shërbim të publikut. Deklarata të dhëna në këtë program kanë ndikuar edhe debatin politik por edhe vendim-marrjen politike në vend. Me një shikueshmëri që nga java në javë vazhdon të qëndrojë bindshëm besnike e emisionit, “Rruga Drejt…” mbetet një nga programet më me peshë jo vetëm në arenën e mediave shqiptare, por edhe të atyre maqedone.

 

radio vatiRadio Vati – Nominohet për mbajtjen lartë të transmetimeve radiofonike, me një jubile të madh në 2014-tën. Radio Vati vitin e kaluar shënoi 20 vjet në eterin e Maqedonisë. Radhitet në mesin e radiove të para shqiptare në Shkup dhe Maqedoni, kurse dëgjueshmëria e lartë e kësaj radioje flet për prezencën e rëndësishme në tabllonë e medieve shqiptare. Viti 2014 i solli një çmim radios, në kuadër të Festivalit të radiove në Gjakovë “RadioFest”- ku morrën pjesë 23 radiostacione nga të gjitha trevat shqiptare,  Radio Vati  u shpërblye me çmimin e dytë  kryesor në kategorinë “Radio Reklama më e mirë”.

 

revista shenjaRevista Shenja – nominohet si  e vetmja revistë shqiptare që tenton të ngrejë në nivel më të larta jo vetëm mendimin por edhe vetë të shkruarin, si një nga mjetet më të rëndësishme komunikuese. Revista  sjell analiza dhe këndvështrime që pasurojnë debatin dhe spektrin e mendimit shqiptar. Tematikat nuk përfshinë vetëm Maqedoninë por shpesh çështjet shtrohen edhe nga një këndvështrim rajonal ku merret në konsideratë edhe trekëndëshi Shkup-Tiranë-Prishtinë. Autorë të teksteve që boton revista janë gjithashtu nga gjithë rajoni dhe me peshë në publicistikën shqiptare.

Lajme të ngjashme

Back to top button