Ademi: Mbetemi në qëndrimin se diçka duhet të ndërmerret në arsimin e lartë

Grupet e punës do të punojnë intensivisht në konceptin dhe tekstin e ligjit në tërësi dhe bashkërisht do të konkludojmë se nëse ka nevojë për miratim të ligjit të ri ose vetëm për ndryshime dhe plotësime të ligjit aktual. Me rektorin e UCM-së dakorduam që takimi i parë i punës të jetë të hënën, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi, i cili do ta kryesojë grupin e punës të Qeverisë.

Grupin e punës nga Rektorati i UCM-së do ta kryesojë rektori Velimir Stojkovski, ndërsa në përbërje të tij do të ketë përfaqësues për të cilët do të vendosë Rektorati ose Senati i Universitetit të Shkupit.

“Edhe mëtej mbetemi në qëndrimin se diçka duhet të ndërmerret në arsimin e lartë. Ky është konstatimi i përbashkët edhe nga takimet që i kishim me përfaqësuesit e universiteteve. Nuk do të tërhiqemi nga kritere më të fuqishme për profesorët, nuk do të tërhiqemi nga mekanizmat kontrollues për kontroll të diturisë së studentëve. Se nëse ai do të jetë provim shtetëror, nëse do të jetë ndonjë formë tjetër, megjithatë duhet të ketë mekanizma juridik të cilët do t’i kontrollojnë dituritë e studentëve”, deklaroi Ademi pas konferencës së USAID-it për e-arsim të kapshëm.

Pas takimit me grupin e punës të UCM-së, do të pasojnë takime edhe me përfaqësues të universiteteve tjera, duke i përfshirë edhe ata privat.

“Duam t’i dëgjojmë të gjithë dhe t’i inkudrojmë të gjithë universitetet dhe studentët në krijimin e politikave, por edhe në harmonizimin e tekstit përfundimtar të ligjit për arsim të lartë”, shtoi Ademi.

Tha edhe se është i pakuptueshëm reagimi i studentëve nga Plenumi studentor të cilët shpallën zona autonome në fakultetet me kërkesë që plotësisht të tërhiqen edhe ndryshimet më të reja të ligjit, me të cilat është anuluar zbatimi i dispozitave kontestuese.

“Gjithsesi, kanë të drejtë të protestojnë në forma të ndryshme, por në demokraci çdoherë është e lejuar që të reagohet deri në momentin kur nuk rrezikohen të drejtat e dikujt tjetër. Për momentin, mendoj se rrezikohen të drejtat e studentëve të tjerë të cilët nuk janë pjesë e grupit i cili proteston, sepse ata dëshirojnë të ndjekin mësimin. Ka reagime edhe nga studentë dhe nga prindër. Nga ana tjetër, i gjithë Universiteti është zonë autonome, nuk mund të jetë vetëm një klasë ose një fakultet”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Lajme të ngjashme

Back to top button