Arrestohet autori i shpërthimeve në Tiranë (Video)

Policia në kryeqytet ka arrestuar një 30-vjeçar si të dyshuarin kryesor për vendosjen e tritolit në shpërthimet e ndodhura në Tiranë tri ditë më parë.

Alfred Qefaliaj është personi i vënë në pranga. Ai është banor i Linzës, andej nga pamjet tregonin se erdhi edhe autori me biçikletë që shfaqet në pamjet e publikuara nga policia.

Përveç 30-vjeçarit, policia ka ndaluar edhe 6 persona të tjerë si të dyshuar për vendosjen e tritolit tek farmacia e babait të ministrit të Brendshëm si dhe ndaj komisarit të policisë.

Po ashtu një 26-vjeçar është ndaluar me akuzën e pengimit të hetimeve. Emirjon Gjuta, në emrin e të cilit ishte një nga numrat e telefonit të përdorur në shpërthime nuk ka bashkëpunuar për identifikimin e autorit të shpërthimeve.

Dyshimet

Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme rezulton se Alfred Qefalia është arrestuar në fund të vitit 2013 për “Armëmbajtje pa leje” si dhe “dhënien ndihmë të një shtetasi të dënuar”.
Për akuzën “Armëmbajtje pa leje” ai është arrestuar dhe një ditë pas shpërthimeve për të cilët do të akuzohet. Më 11 shkurt 32-vjeçari u arrestua në flagrancë rreth orës 16.30, në rrugën ”Njazi Meka”, pasi u kap me pistoletën tip ”Zastava”.
Nga kontrolli në banesë, iu bllokua një armë zjarri tip ”Shotgan” një veshje antiplumb, 26 fishekë pistolete, 19 fishekë armë gjahu dhe dy dylbi për armë zjarri. Por, në një kohë që policia ende nuk ka asnjë komunikatë për shtyp për arrestimin e autorit kryesor të dyshuar për shpërthimet, për të cilat akuzohet i njëjti emër, mundet që të kemi të bëjmë me dy persona të ndryshëm me identitet të njëjtë. Kjo pasi mes tyre nuk korrespondon mosha./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button