Vrasja e 3 studentëve myslimanë në SHBA, Erdogan kritikon Obamën

Recep Tayyip Erdogan ka kritikuar Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Sekretari e Shtetit John Kerry dhe zëvendëspresidentin, Joe Biden, për heshtjen mbi vrasjen e tre studentëve myslimanë në SHBA.

Presidenti i Turqisë tha se politikanët ishin përgjegjës për ngjarjen në vendin e tyre dhe duhet të mbanin një qëndrim lidhur me ngjarjen.

“Në qoftë se ju qëndroni të heshtur kur përballeni me një ngjarje të tillë, bota do të qëndrojë e heshtur ndaj jush”, tha Presidenti i Turqisë gjatë një vizite në Meksikë.

Më shumë se 5 mijë perosna morën pjesë në funeralin e tre të rinjve, të cilët u qëlluan për vdekje në Chapel Hill, North Carolina. Policia po vazhdon hetimet edhe pse tashmë një i dyshuar është i arrestuar, ndërsa familjarët pretendojnë se vrasjet kanë lidhje me besimin e tyre fetare.

Nga të dhënat e para të policisë, Craig Stephen Hicks, i dyshuar si autor i ngjarjes së të martës, ka vepruar pas “një grindje mes fqinjëve për parkim”. Të tre viktimat u qëlluan në kokë dhe gjetën menjëherë vdekjen. Ai ka bashkëpunuar me hetuesit, bëri të ditur policia këtë të mërkurë.

“Hetuesit tanë janë duke kërkuar mbi arsyen që e motivoi Hicks të kryejë një akt kaq tragjik dhe të pakuptimtë. I kuptojmë shqetësimet që ka nxitur kjo vrasje, në lidhje me mundësinë që ajo të ketë qenë vrasje prej urrejtjes, por do të vlerësojmë çdo provë dhe të dhënë, për të dalë në përfundimin nëse vërtet ka qenë kjo arsyeja”, tha shefi i policisë Chris Blue.

Megjithatë një prokuror tha të mërkurën se nuk ka asnjë provë se viktimat janë ekzekutuar për shkak të besimit të tyre fetar.

Erdogan është një mysliman i devotshëm, i cili ka qenë gjithnjë kritik ndaj trajtimit të myslimanëve që jetojnë në shoqëritë perëndimore. Marrëdhëniet e tij me administratën e Presidentit Obama kanë ardhur gjithnjë duke u tendosur pas konfliktit në Siri dhe në Irak.

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara janë aleatët në fushatën ndaj militantëve të Shtetit Islamik, por kanë qëndrime të kundërta në lidhje me taktikat e ndjekura në luftën ndaj militantëve. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button