fbpx

MODEL I PAMUNDUR BASHKËJETESE

Platoni e kuptoi para dy mijë e pesëqind vitesh se shteti më i mirë është ai që ofron më shumë liri, më shumë të drejta, më shumë mirëqenie jete. Mjerisht, epoka që i fali njerëzimit njërin prej modeleve të qytetërimit u pasua nga mendësia e gijotinës mesjetare, e cila zbriti trurin njerëzor n’fundbark dhe shkaktoi krime monstruoze në emër të perandorit dhe në emër të Perëndisë.

Sa kuptimplote dhe e freskët tingëllon thënia e Platonit edhe pas aq kohësh, tamam si e adresuar për Maqedoninë e banuar prej racash të vjetra e të reja, vendorësh e ardhacakësh, nëpërkëmbësish e shpirtrobërish të konceptuar për indianë ballkanikë, të denjë për përçmime turlifare.

Për kësi shkretëtirash foli Siorani: “Provo të jetosh i lirë – do ngordhish urie!” Dhe pati të drejtë, sepse shteti ynë i dashur xhuxh sillet superfuqishëm dhe synon disiplinimin rend me rend të çdonjeriu e institucioni, të gjithsecilit që nuk tumir udhët qorre të kryeministrit faraon, i cili, ashiqare: nuk e di përse këputet zullumi?

Në turrin pa krye Luigji XIV nuk kursen askë: as tjetrin – as të tijin. Të gjithë njësoj survejohen, përgjohen, poshtërrohen dhe janë të dyshimtë, sepse një është Dielli që ka marë mësyshë vetveten dhe është bërë, siç shprehen sharrjanët: i gzaut ka mendja.

Në rethana të këtilla s’ka si të mos lindë pyetja: ia vlen apo jo investimi në këtë babilon bodrumesh të tipit maqedonas, të pajtueshëm me interesat e dy etnive kyçe të saj, me udhë të ndryshme dhe joharmonike zhvillimore, me të kaluar kacagjeluese, me kërkesa dhe pritje të ndryshme nga e ardhmja e mjegullt që entuziazmon vetëm somnabulët që mund t’i pandehin për privilegj etnie postet fiktive n’pushtetet e hurit e t’litarit.

Thënë kah del shpirti: fort si gri duket shpresa e një të ardhmeje pa hegjemoni predominimesh etnike, gjuhësore, religjioze…, pa shilka dhe prapaskena të kushtueshme, që, kush e di sa herë na kanë kthyer te seftja e bashkëjetesave të pamundshme. Sado që duket qeshite, kojshitë tanë nuk e duan as biçim shtetin e të barabartëve vetëm në letra, sepse i tuten si djallit mundësisë së humbjes së privilegjeve dhe lezeteve pa fund, që ofron statusi i popullit hyjnor.

Shqiptarët, në anën tjetër, që nuk lanë pa provuar asnjë përpjekje për të qenë zot në vatrat e të parëve, po zhdehen opiumesh dhe duan të jetojnë në shtet etnishë të barabarta në të gjithë dimensionet, në një hapësirë demokratike si ajo e disa vendeve perëndimore – si Zvicra, Belgjika, Kanadaja… Relikti që më nuk vin në shprehje është respekti i njëanshëm, i imponuar nga frika e kërbaçit, statuset e betonuara dhe drejta e askushit për t’caktuar përjetësisht dozat e kërmillta të rritës së tjetrit. Kjo, sepse edhe përkundër të gjithave, shqiptarët e këtij nënqielli po e mundin shpirtin e rrobit, po e kapërcejnë moshën e miturisë dhe, gjithsesi: nuk do të durojnë në pakufi të mbahen për dore si të retarduar.

Megjithatë, bilmezllëkut nuk i dihet. Këtu bën Ballkan dhe ujku vëtëm qimen e ndërron.

Dreq o punë! Sërish po ma trazon vrerin ai amaneti i Konfuçies: “Ata rrugët e të cilëve janë të ndryshme s’mund të bëjnë plane të përbashkëta”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Reflektim me vend, z.Fatmir , jemi nacionalitet i pa fat,vuajm nga padituria,kryeneqësia,përulsia,tempramenti i pavend etj.etj…

Back to top button
Close