Atdheu i sakatosur!…

Nga Dionis Xhafa
 
Ikja e shqiptarëve të Kosovës larg atdheut përmes rrugëve ilegale nga Serbia, Hungaria e më tej drejt vendeve të Evropës Perëndimore është trishtim real për shtetin e Kosovës. Jo vetëm kaq, por është trishtim real për shqiptarët, që edhe kështu siç janë shtetet e banuara nga shqiptarët, e duan atdheun e tyre. Fenomeni i emigrimit masiv është edhe një mësim i mirë për politikanët në Prishtinë dhe në Tiranë që çdo ditë flasin për atdheun imagjinar, atë të përbashkëtin, të sakatosur ndër vite nga pjella e një politike të mbrapshtë.
 
Atdheu imagjinar
 
Ka qenë dhe mbetet ëndërr e kahershme e shqiptarëve, që truallin, atdheun e tyre ta kenë në një shtet të përbashkët. Në kushtet që ndodhemi, në dy shtete të banuara kryesisht nga shqiptarët, shtete të mbushura me korrupsion, nepotizëm, padrejtësi e një mijë të liga të tjera duket se ëndrra e shqiptarëve shfaqet e mjegulluar dhe projekton një atdhe imagjinar, që realisht nuk ekziston. Ëndrra e shqiptarëve së pari duhet të jetë ajo, se duhet fillimisht të bëhen shtetet, të jetojnë ndershëm dhe kryelartë me punë të pastër që do tiua lejonte infrastruktura e politikave të denja shtetërore. Kur dy shtetet, Shqipëria dhe Kosova të jenë bërë vërtetë shtete për tu jetuar, atëherë ia vlen të flasim për atdheun konkrret, atë të vërtetin.
 
Rruga e vështirë drejt Evropës
 
Shqipëria dhe Kosova i kanë drejtuar politikat shtetërore në shembujt e shteteve perëndimore,e derisa jemi pjesë e Evropës, drejt perspektivës evropiane. Ashtu sikundër Evropa dikur, që për të arritur këtë zhvillim dhe qytetërim që ka sot ka njohur përplasje të mëdha, edhe në “botën shqiptare” përplasjet drejt rrugës evropiane duket të jenë po ashtu të mëdha. Shqiptarët më së pari duhet të pranojnë gabimet e vetvetes, të hedhin pas krahëve të shkuarën dhe të drejtohen drejt vlerave që njeh Evropa. Vlerat më të çmuara të Evropës qëndrojnë në atë se qytetarët e saj kanë mësuar nga e shkuara, e megjithë problemet kanë krijuar shtete dhe kanë rritur rolin e shoqërisë civile përkundrejt politikës. E denjë është të marrim vlerat e Evropës në politikat e të bërit shtet.
 
Liria që na mungon
 
Një nga shkaqet e emigrimit masiv të shqiptarëve të Kosovës është mungesa e lirisë së individit. Me këtë, dua të them që mungon liria e individit përballë fuqisë së politikës, e cila ka depërtuar thuajse në çdo pore të shoqërisë. Është politika ajo e cila politizon njerëzit dhe i lë ata në errësirën e arsyes. Me siguri, shumica e atyre shqiptarëve që ikin sot nga Kosova bëjnë pjesë në atë kategori personash  që janë lënë jashtë sistemit politik të Kosovës. Andaj, është me nevojë që ndikimi i politikës në jetën e qytetarëve të jenë sa më minimal. Meqenëse flasim për lirinë e lëvizjes, është për të ardhur keq që shqiptarët e Kosovës kanë patur më tepër liri lëvizje në kohën e Titos sesa sot në kohën e Thaçit dhe të Mustafës.
 
Kosova Republikë!
 
Sot, ekziston si realitet Kosova e pavarur dhe Republikë. Me gjithë kundërshtitë e Serbisë dhe aleatëve të saj, është thuajse e pamundur që të ndalësh një shtet të bëhet i njohur ndërkombëtarisht, kur i duhen edhe pak njohje të jetë pjesë e OKB-së. Por, Kosova sot është një Republikë e brishtë dhe sa më tepër të konsolidohet aq më të vështirë do ta ketë Serbia të ndalë realitetin e Kosovës së pavarur. Që Kosova të mund të konsiderohet vërtetë Republikë, ka nevojë të ketë shtet në të gjithë territorin e saj. Që Kosova të mund të cilësohet vërtetë Republikë, ka nevojë për politika të drejta, që qytetari të mos ndihet i tradhëtuar dhe i pambrojtur. Po njëjtë duhet të ndodhë edhe në Shqipëri. Kur shqiptarët të jenë racionalë dhe politika të shërbejë vërtetë, përtej retorikave, atëherë “atdheu imagjinar” ka nevojë të shqyrtohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button