fbpx

Armëpushimi në Ukrainë, rusi Pushkov në PPE: Lufta mund të zgjerohet

Lufta mund të vijojë gjatë, por dhe të zgjerohet. Kështu kërcënoi përfaqësuesi i Dumës ruse, Alexey Pushkov, i ftuar në komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian, në Strasburg.

“Është një luftë që mund të vazhdojë për një kohë të gjatë e në nivel të ulët intensiteti, siç ka ndodhur që prej shtatorit deri në fillim të janarit, me shpërthime të përqëndruara të luftimit. Por, mund të jetë edhe një luftë që mund të zgjerohet dhe të nisë të përfaqësojë një problem me të vërtet madhor për sigurinë europiane. Nëse armëpushimi nga ana e Kievit garantohet prej vendeve europiane, BE a çfarëdo, kjo mund të ishte një përgjigje. Në anën tonë, Rusia mund të ushtrojë një ndikim mbi kryengritësit, në mënyrë që të jetë një armëpushim i qëndrueshëm dhe jo që shkelet menjëherë më pas”, tha Alexey Pushkov, kreu i komitetit për Çështje Ndërkombëtare në Dumën ruse.

“Ju thoni se ne nuk jemi më partnerë strategjikë. Arsyeja për këtë është se regjimi juaj, aktualisht është militarizuar zoti Pushkov. Ju doni luftë, apo jo? Sepse po të mos doni luftë, mjafton të mos bëni luftë. Kjo është në dorën tuaj. Nuk e ka as Europa, as Kievi, përgjegjësinë për këtë luftë”, tha Cristian Dan Preda, eurodeputet rumun në PPE.

Komiteti i Jashtëm europarlamentar u shpreh pro sanksioneve shtesë, sidomos për separatistët e përkrahur nga Moska, ndërsa seanca plenare diskutoi mbi Ukrainën në prani të Përfaqësueses së Lartë, Mogherini.

“Nuk mund të përballojmë sërish turpin e Kosovës. Ne nuk duhet të përsërisim gabimet e bëra”, u shpreh kreu i grupit liberal, Guy Verhofstadt. Gjatë debatit në Strasburg, ai argumentoi se “BE nuk mund të presë Amerikën për të zgjidhur problemet që hasen në tokën europiane”.
Përgatiti: Arta TOZAJ / Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close