Kina, përfituesja më e madhe nga konflikti SHBA – Rusi

Kina duket se është përfituesja më e madhe e përballjes mes Moskës dhe Perëndimit, shkruan revista amerikane “Time”.

Mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Brukselit me Rusinë nuk kanë ndihmuar presidentin rus, Vladimir Putin, por Kinën, vlerëson e përjavshmja amerikane “Time”. Pekini nuk është dakord me masat anti-ruse të marra nga Perëndimi, ndërkohë që Moska sa vjen e orientohet gjithnjë e më shumë drejt Orientit.

Kështu Kina ka mundësinë të marrë një qëndrim më të fortë në marrëdhëniet tregtare bilaterale me Moskën, pa hequr dorë nga përmirësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe Europën.

As Europa nuk përfiton nga kjo situatë. Revista thekson se në këtë kontekst debati që po zhvillohet në Perëndim për mënyrën se si t’i përgjigjet politikës ruse në lidhje me Ukrainën, po shkakton tensione të rënda brenda aleancës transatlantike duke u bërë një problem gjithnjë e më i vështirë për t’u fshehur.

Mosmarrëveshjet mes vendeve perëndimore në lidhje më furnizimin e mundshëm të Kievit me armë reflektojnë një konflikt më të thellë thekson revista. “Objektivi kryesor i strategjisë amerikane nuk është të mbrojë Ukrainën por të ndëshkojë Rusinë”, thuhet në shkrim.

Në këtë rast të ndëshkosh Rusinë do të thotë të ndëshkosh Europën. “Megjithatë Rusia përfaqësoi pothuajse 10 % të tregtisë totale të BE në 2013-ën, gjë që e shndërron atë në partnerin e tretë më të madh të BE-së, për shkak se shumë vende europiane varen ekonomikisht nga energjia ruse.

Lajme të ngjashme

Back to top button