Maqedoni, mbi 1500 persona ende marrin rroga dhe rinë në shtëpi

Vetëm 15% e të punësuarve në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit shkojnë në punë. Bëhet fjalë për rreth 1500 persona që presin sistemim në ndonjë institucion shtetëror. Ndërsa çdo vit në këtë dikaster vazhdojnë konkurse me mbi 500 punësime, ndryshon edhe numri i të punësuarve dhe të sistemuarve në ndonjë prej institucioneve publike. Sekretari shtetëror i këtij dikasteri, Ejup Alimi thotë së një fenomen i tillë është i pa evitueshëm pasi disa institucione refuzojnë të sistemojnë administratorët e pranuar. Por ka edhe raste kur vetë të pranuarit në punë nga qytetet e tjera, refuzojnë të sistemohen në Shkup, transmeton Alsat-M.

“Të gjithë të punësuarit marrin rrogë të plotë. Tani konkretisht për këtë muaj, shkurtin, 1500 të punësuar në sekretariat do të marrin rrogën. Pjesa dërmuese e të punësuarve, apo numër konkret kemi afro 300 të punësuar që punojnë në institucione të tjera por që rrogat i marrin nga ne, deri sa të transferohen mjetet apo të merret pëlqimi nga Ministria e Financave. Kemi institucione që deri tani nuk është ndonjë e pa thënë apo e panjohur për opinionin, që kanë hezituar t’i pranojnë, por qëndron problemi edhe deri tek ata, të pranuarit, pasi kemi të punësuar nga qytete të tjera dhe dihet se administrata kryesore është në Shkup, kurse ata hezitojnë të vinë këtu” tha Ejup Alimi, sekretar shtetëror në SIMO.

Avokati i Popullit Ixhet Memeti shpreh shqetësimin se ky fenomen i mbingarkimit do të krijojë telashe me zbatimin e ligjit të ri për administratorë, ku nëpunësit shtetërorë do të vlerësohen për punën e tyre. Sipas Memetit, sekretariati po krijon kategori të re sociale që paguhet pa punë.

“Edhe më herët e kam kritikuar qasjen e realizimit të këtij parimi. Duhet të ndërtohen mekanizma që do t’i detyrojnë organet të realizojnë dhe respektojnë atë si parim. Shtrohet pyetja a bëhet kjo? Jo! Pasi nuk ka mekanizma kontrollues të cilët do t’i detyrojnë organet të respektojnë këtë parim. Por e gjithë kjo varet prej vullnetit të mirë të atij që udhëheq me atë organ të caktuar. Kështu krijojmë një kategori sociale jashtë rregullave shoqërore” deklaroi Ixhet Memeti, Avokat i populli.

Me punësime në bazë të Marrëveshjes së Ohrit kryeson Tetova. Pas saj vjen Kumanova, Kërçova e Gostivari. Aktualisht janë nënshkruar vetëm 278 marrëveshje për sistemim të këtyre personave. Nga ana tjetër, për momentin vijon një konkurs i ri për 154 punësime të reja. Ndryshe edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, Maqedonisë i janë adresuar një varg kritikash sa i përket administratës shtetërore e cila siç theksohet jo vetëm e mbingarkuar, por edhe me nëpunës jo cilësor.

Lajme të ngjashme

Back to top button