Erdogan: Kemi në plan të ndërtojmë xhami në Kubë

Rexhep Tajip Erdogan është presidenti i parë turk që viziton Kubën, ku në deklaratat që bëri në Havana ai tha se Turqia ka në plan që të ndërtojë një xhami në Kubë.

Programin zyrtar në Havana Presidenti Erdogan e filloi duke vendosur një kurorë me lule në përmendoren e Hose Martinit, më pas ai u prit me ceremoni zyrtare në Pallatin Presidencial nga Kryetari i Shtetit, Raul Castro.

Më pas Erdoan zhvilloi një vizitë në sheshin ku ndodhet busti i Ataturkut, në Havana, dhe vendosi një buqetë me lule mbi pllakën ku ndodhet mbishkrimi në turqisht dhe spanjisht i fjalës së famshme të themeluesit të Republikës Turke “Paqe në Vend, Paqe në Botë”.

Më pas Erdogan vizitoi Sheshin e Ushtrisë dhe Muzeun e Qytetit të Havanës.

Presidenti turk këtu bëri deklarata, ku tha se duan të ndërtojnë një xhami në Kubë, e cila të pasqyrojë arkitekturën tradicionale të Turqisë.

Gjithashtu ai bëri të ditur se do të merren në konsideratë edhe vendet e rajonit në përcaktimin e destinacioneve të reja të Linjave Ajrore Turke.

Presidenti turk, në lidhje me nivelin e ulët të vëllimit tregtar Kubë-Turqi, nënvizoi se kjo buron nga sanksionet që zbatohen ndaj Kubës, të cilat nuk i vlerëson si të drejta në aspektin njerëzor dhe ndërgjegjesor.

Ndërkaq, sot Presidenti Erdogan realizon kontakte edhe në Meksikë, stacioni i fundit i turit të vizitave në tre vende të Amerikës Latine.

Në kuadër të programit këtu ai do të realizojë inaugurimin e Zyrës së parë të Koordinuese të Agjencisë turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në kontinentin e Amerikës.

Me këtë vizitë synohet të rritet edhe më shumë bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button