Rregullimi i trotuareve në rrugët e Dibrës nevojë e kohës

Pushteti vendor i Dibrës në saje të angazhimeve të tjera, nisi edhe me rregullimin dhe riparimin e trotuareve nëpër rrugët e qytetit.

Do të bëhet rregullimi i trotuareve në rrugën “Vellko Vllahoviq”, në afërsi të shkollës fillore “Penestia”, në një sipërfaqe prej 1350 m2, si dhe riparimi i trotuareve në rrugën “Atanas Iliç”, në një sipërfaqe prej 950 m2. 

“Rregullimi i trotuareve ishte nevojë e kohës. Në këtë projekt, për fillim, do të merremi me vendosjen e  kanalizimeve atmosferike dhe trasimin e trotuareve e më pas do të vendosim pllaka bekatoni, si dhe punë të tjera finale. I gjithë investimi kushton rreth 40 mijë euro”, theksoi kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.

“Para disa ditëve u bë edhe trasimi i rrugës në afërsi të ish-ndërmarrjes “Progres”, deri  te rruga e liqenit, e ashtuquajtur  rruga e Udovës”, theksoi kryetari Lata.

“Qëllimi ynë është që Dibra të marrë pamjen e një qyteti modern, sipas standardeve evropiane. Përpiqemi të bëjmë maksimumin tonë edhe pse ka shumë punë për të bërë”, theksoi për “Portalb”-in, kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button