Samiti në Minsk, palët bien dakord, armëpushim më 15 shkurt

Armëpushim në Ukrainë duke nisur nga data 15 shkurt është rezultati i bisedimeve të zhvilluara në Minsk mes Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti rus Vladimir Putin, në përfundim të negociatave maratonë që nisën mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytetin biellorus dhe vazhduan mëngjesin e së enjtes, për më shumë se 13 orë.

“Kemi arritur të biem dakord mbi disa pika thelbësore”, ka thënë Putin pas takimit. Ndërsa homologu i tij Poroshenko ka njoftuar tërheqjen së shpejti të armatimeve të renda.

Nga ana tjetër, presidenti francez Francois Hollande ka vlerësuar se bëhet fjalë për një “akord serioz”, por ende nuk ka një marrëveshje për të gjitha pikat. Ndërsa për kancelaren Merkel, “akordi i arritur jep shpresë”.

Bisedimet kishin në fokus arritjen e një armëpushimi, tërheqjen e armatimeve të rënda nga zona lindore e Ukrainës dhe krijimin e një zone të demilitarizuar.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, për momentin janë dy pengesat që nuk lejojnë arritjen e një marrëveshjeje të plotë.

E para është demarkacioni i vijës së frontit, me Kievin që refuzon të lëshojë zonën e Debalstevos duke tërhequr disa mijëra ushtarë të rrethuar nga rebelët.

Ndërsa e dyta është statusi i ardhshëm i rajoneve separatiste, për të cilat po bëhet një përballje e hekurt mes Poroshenko dhe Putin mbi shkallën e autonomisë që do të ofrohet.

Ndërkohë, janë nëntë civilët e vrarë dhe 25 ata të plagosur në bombardimet e kryera në 24 orët e fundit në territoret e kontrolluara nga separatistët e republikës së vetëshpallur të Donetskut.

Lajmin e ka bërë të ditur një prej liderëve të rebelëve, Eduard Basurin, që ka saktësuar se tre civilë janë vrarë nga plumba artilierie të qëlluar gjatë natës.

Duket se zhvillimet e Minskut kanë vënë në lëvizje shefat e diplomacive të vendeve perëndimore, të cilët kanë ndryshuar në minutat e fundit axhendat e tyre.

Kështu, ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius ka anuluar takimin e planifikuar për sot me homologun britanik Philip Hammond, me të cilin do të zhvillojë një bisedë telefonike për një shkëmbim opinionesh mbi krizën ukrainase.

Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier ka vendosur të qëndrojë më gjatë në Minsk, duke shtyrë një mision diplomatik në Brazil.

Faza e parë e procesit, që zgjati 13 orë, ishte ndoshta dhe më e gjata e karrierës së Putin, Poroshenko, Merkel dhe Hollande. Për të katër liderët ai ishte një luftë e vërtetë nervash.

Mësohet se presidenti rus Putin theu një laps, duke tradhëtuar kështu nervozizmin që përpiqej ta fshihte. Momenti u kap nga disa fotografë dhe tashmë ka bërë xhiron në internet./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button