fbpx

“Betejë nervash” në samitin e Minskut

Samiti në Minsk midis udhëheqësve të Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës është zhvilluar gjatë gjithë natës, në përpjekje për të arritur deri te një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit në lindje të Ukrainës, midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Samiti është ndjekur nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, homologu i tij ukrainas, Petro Poroshenko, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Francois Hollande.

Në orën 6:00 të mëngjesit, bisedimet në pallatin presidencial të Minskut kanë kaluar më shumë se 12 orë.

Agjencia e lajmeve Reuters ka cituar një burim të paidentifikuar diplomatik të ketë thënë se katër liderët do të nënshkruajnë një dokument për zgjidhje të konfliktit. Burimi nuk ka dhënë detaje për natyrën e dokumentit.

Agjencia TASS ka raportuar se dokumenti mbulon 12 ose 13 pika.

Para bisedimeve katërpalëshe, Poroshenko ka thënë se ato janë shansi i fundit për t’i dhënë fund konfliktit.

Katër udhëheqësit kanë mbajtur disa rrethe të bisedimeve me dyer të mbyllura, fillimisht midis tyre e më pas me ministrat e Jashtëm dhe ndihmësit e lartë dhe përsëri pa ndihmës.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka thënë se bisedimet “nuk janë të lehta dhe se po vazhdojnë”. Ajo po ashtu ka bërë të ditur se ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka shtyrë udhëtimin e planifikuar për në Brazil.

Për dallim, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se bisedimet janë duke shkuar “më mirë se shkëlqyeshëm”.

Ndihmësi i presidentit të Ukrainës, Valeriy Chaly, ka shkruar në Facebook se bisedimet mund të vazhdojnë edhe për së paku pesë ose gjashtë orë.

“Ne nuk duhet të largohemi nga këtu pa një marrëveshje për armëpushim të pakushtëzuar. Po zhvillohet një betejë nervash”, ka thënë ai.

Një burim i afërt me bisedimet ka thënë më herët se udhëheqësit shpresojnë të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët që bën thirrje për zbatimin e planit të paqes, të nënshkruar nga Kievi dhe separatistët në muajin shtator, po ashtu në Minsk.

Marrëveshja e Minskut është shkatërruar nga luftimet e përditshme dhe qindra luftëtarë dhe civilë të vrarë në katër javët e fundit.

Në fillim të bisedimeve, pamjet televizive nga vendi i ngjarjes kanë treguar Poroshenkon duke shtrënguar duart me Putinin.

Takimi është pjesë e një shtytjeje diplomatike, e iniciuar nga Merkel dhe Hollande.

Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se ndihmon me armë dhe ushtarë rebelët pro-rusë në lindje të Ukrainës. Rusia i mohon akuzat me gjithë faktin se Perëndimi thotë se ka prova të pakundërshtueshme për përfshirjen e saj ushtarake.

Konflikti ka shpërthyer pasi Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme gadishullin ukrainas të Krimesë, në mars të vitit të kaluar. Ky veprim ka pasuar rrëzimin e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovysh, pas disa muajsh protesta kundër regjimit të tij.

Kievi dhe qeveritë perëndimore besojnë se Rusia do që të dobësojë Ukrainën dhe ta mbajë atë jashtë NATO-s, duke mbajtur “konflikt të ngrirë” në lindje gjatë viteve që vijnë.

Mbi 5,400 njerëz kanë humbur jetën nga luftimet në lindje të Ukrainës, qysh në prill të vitit të kaluar.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close