Rudina Hoxha: Suksesi vjen pas 10 dështimeve (Intervistë)

Rudinën e intervistojmë për të na dhënë një shembull se si duhet të duket gazetaria. Ajo thotë se zhvillimi në gazetari varret nga zhvillimi i shtetit. Shumë intervistë praktike që do të ju ofrojë informacion për profesionin dhe misionin e gazetarit! Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe të tjerët!

Intervistoi: Venhar Ramadani

Ju keni lidhje dhe keni punuar me shumë media në Shqipëri. Cili është misioni i gazetarit?
R.Hoxha:
Misioni i gazetarit është të raportojë me drejtësi se si po shkojnë gjërat për qytetarët e vendit të tij, të nxjerrë në dritë fakte që populli nuk i di, të depërtojë në qoshet e errëta të shoqërisë dhe të hedhë dritë. Shqiptarët e lexojnë shumë shtypin e ky i fundit duhet të jetë një burim i besueshëm për ta.Do të shtoja se gazetarët kanë edhe misionin e frymëzimit të shoqërisë duke shkruar për shembuj e modele të veçantë të cilët mund ti ndjekin në jetë. Këtu gjej rastin të falenderoj VIZIONE.info e cila po e bën një gjë të tillë. 

Portalet informative sot e kanë ndryshuar mënyrën e informimit dhe kanë lënë pas mënyrat tjera të informimit. A mendoni se është e shëndetshme kjo për misionin e gazetarisë?
R.Hoxha: Mendoj se është e mirë për gazetarët sepse ato informohen më shpejt se ç’po ndodh. Por ama kjo formë e re e informimit është një test psikologjik dhe intelektual për gazetarët në përgjithësi dhe ato digitalë dhe ‘freelance’ në veçanti, të cilët duhet të rendin për ta botuar shkrimin sa më shpejt të jetë e mundur. Kthehet në një garë të vërtetë. Njëkohësisht nevojitet edhe kreativitet. Pra, është koha të tregojnë se çfarë dimë të bëjmë. 

Nga viti 2012 ju mbuloni ngjarje të rëndësishme në Shqipëri për media ndërkombëtare. Sa është interesimi i mediave ndërkombëtare për Shqipërinë dhe cilat janë sfidat e profesionit?
R.Hoxha: Para shumë vitesh, Shqipëria nuk dihej se ku binte. Por sot gjithshka ka ndryshuar – nga një vend i humbur në një vend në zhvillim. Shqipëria mbetet një vend, interesi ndaj të cilës, nuk mbaron kurrë. Kompania amerikane, që ka marrë përsipër brandimin e Shqipërisë, StrawberryFrog, nënvizon se ndryshe nga bota ku çdo gjë është e modernizuar në atë mënyrën standarte, Shqipëria ofron atë që të huajt e kërkojnë sot me qiri: origjinalitetin. Për ta thënë pak më troç: kur po bëja një shkrim për Gjirin e Lalzit, i cili është vetëm 35 km larg nga Tirana, takoj edhe një finlandeze e cila kishte blerë një vilë në këtë resort. Kur e pyes se çfarë të pëlqen kaq shumë këtu? Ajo mu përgjigj “Teksa po ngisja makinën për të ardhur këtu, një lopë më preu rrugën. Kënaqësi e papërshkruar! Gjëra të tilla nuk i gjen më në vendin tim…” Sfida e profesionit të gazetarit? Të lexosh midis rrjeshtave… 

A është profesion me perspektivë gazetaria?
R.Hoxha: Mendoj fort se po. Gazetaria ecën krah për krah me zhvillimin e vendit. Është e pazëvendësueshme dhe e pakufizuar.

Keni qenë pjesë e forumit Alpbach. Të lutem na trego vlerën dhe mënyrën se si mund të arrijnë të rinjtë pjesmarrjen në këtë forum?
R.Hoxha: Faleminderit për këtë pyetje. Forumi i integrimit “Alpbach” është eksperiencë ‘fillim, mbarim’. Si gazetare, do të thoja se është një eksperiencë unike. Një udhëtim që të jep mundësinë të mësosh pafund, të takosh njerëz tepër interesantë nga të gjitha fushat, të shkëmbesh ide me ekspertë dhe profesionistë të spikatur si dhe ta shikosh veten në situata të ndryshme. Me një fjalë I jep një dimension të madh horizontit dhe intelektit tënd. Alpbach, i shpallur si fshati më i bukur në Europë, ta ‘shkrin’ zemrën me bukurinë e tij. Ja rekomandoj këtë mundësi të gjithë të rinjve. Në Maqedoni, operon Club Alpbach Macedonia ku të rinjtë mund të marrin të gjithë informacionin e duhur për ta bërë ëndërrën e tyre realitet. Qendra të tilla informacioni ekzistojnë edhe në Shqipëri dhe Kosovë. 

Çfarë gjërash keni mësuar në jetë për këto vite?
R.Hoxha: Vërtetë i jam mirënjohëse jetës dhe Zotit që më ka dhënë mundësi të shumta të mësoj mjaft brenda një kohe të shkurtër. Ajo që kam parë dhe kuptuar anekënd botës së zhvilluar është se kur vendos të bësh diçka, bëje si duhet. Sa i takon profesionit, kam mësuar se në botë ekziston telefoni, krahu dhe miqësia për të hipur në majë. 

Si i hapni perspektivat për jetën?
R.Hoxha: Ekziston një trekëndësh i artë: dije, punë dhe fat. Asnjë nga këto tre brinjë nuk ekziston pa njëri-tjetrin. 

Cili është sekreti juaj i suksesit?
R.Hoxha: Që suksesi vjen pas 10 dështimeve. Për disa edhe pas vdekjes… 

Kush mund ta ketë fajin për pa punësinë që aktualisht në një shtet (Maqedoni) mund të jetë mbi 35%?
R.Hoxha: Papunësia është një e keqe e madhe e një kombi. Përveç se është një pasojë edhe e krizës globale financiare që e mbarë bota po përjeton sot, papunësia është përgjegjësi e qeverisë dhe e mosorganizimit të mirë të punës së saj zinxhir. 

Si i merrni kritikat dhe si mund të ndikoj kritika në punën tuaj?
R.Hoxha: Kritikat e shëndetshme janë të vlefshme kudo, jo vetëm në punë por edhe në familje, në shkollë e kudo. Pa kritikë, nuk ka ecje përpara. Unë i vë notën 10 kritikave të shëndetshme dhe i falenderoj ata që i bëjnë ato. 

Nëse do të mund t’i jepnit vetes suaj në moshë më të re ndonjë këshillë, cila do ishte ajo? Cila është këshilla që i jepni të rinjve?
R.Hoxha: Të mos humbja asnjë sekondë. Ndoshta të ecja me një ritëm akoma më të shpejtë duke u fokusuar vetëm tek objektivi kryesor. Të rinjtë duhet ta përdorin Internetin në mënyrë të zgjuar sepse të ofron mundësi të paimagjinueshme. Të hap disa porta që të dukeshin më parë tepër të rënda për tu hapur. 

A mendoni se prindërit kanë patur ndikim në karrierën tuaj? A duhet të rinjtë të konsultohen me prindërit për hapat në karrierë?
R.Hoxha: Po, patjetër. Ata më kanë ndihmuar shumë që të arrij objektivat e mija. Pa to nuk do të kisha ecur deri këtu ku jam. Konsultimi me prindërit është i rëndësishëm ndonëse vendimin final në karrierë e bëjmë ne pasi konsultohemi me intuitën dhe pasionin tonë.

Si inspiroheni? Ku dhe si duhet të inspirohet rinia?
R.Hoxha: Unë frymëzohem kur ndjehem e lirë. Të pasurit njohuri dhe horizont, të bëjnë të ndihesh entuziaste dhe e frymëzuar. Tek lexoj për jetën dhe kontributin e njërëzve të mëdhenj, unë frymëzohem shumë. Në libra, duhet ta gjejë frymëzimin edhe rinia. Edhe udhëtimet brenda dhe jashtë vendit janë një dozë e mirë frymëzimi. 

Cili është filmi dhe libri juaj i preferuar?
R.Hoxha: Është një film Italian i vjetër – “Il voce della tempesta” (Zeri i shtrëngatës). Është një himn i veçantë për dashurinë. Sa i takon librave, mua më pëlqen të bëj një miksim të gazetarisë me biznesin sepse edhe studimet e mia në Amerikë kanë qënë për gazetari të avancuar dhe sipërmarrjen e lirë. Kështu, unë preferoj shumë Charles Handy me librat e tij të mrekullueshëm si “Gods of Management” dhe “Understanding Organizations”.
Shumë interes kam edhe për sipërmarrësit e spikatur në fushën e farmaceutikës . Një libër tepër interesant mbetet: “Science Lessons: What the Business of Biotech Taught Me About Management” nga Gordon Binder. 

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button