Ali Ahmeti u bë i gjallë!

Ali Ahmeti u bë i gjallë. Ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav e zgjoi nga gjumi. Sikur deshi t’i thotë, zgjou se ke përgjegjësi para shqiptarëve.
Ahmeti u rikthye ne opinion dhe sërish na dëshproi keqas. Është e pamundur ky njeri të hap gojën e mos t’ia fut kot. Pas takimit me ambasadorin Orav tha se BDI vepron pa emocione dhe nuk zhgënjehet.
O Zot i Madh, si mund të flet ky njeri për emocionin kur ka humbur çdo lidhe me realitetin. Si ia mba goja këtij njeriu të flet për zhgënjim, kur është personi që ka zhgënjyer më shumë shqiptarët.

Na tha se BDI na punuaka me kokë të ftohë, analizon dhe studion çdo veprim dhe nuk do t’i shkaktojë dëmë askujt.
Për çfarë pune flet ky njeri?! Cilin premtin nga zgjedhjet e fundit e ka realizuar? Si mund të flet ky njeri për kokë të ftohë, kur s’po na bind se ka aftësi për të rezonuar me kokë.

Për cilat analiza dhe studime flet ky i humbur? Kur ka publikuar BDI ndonje analizë dhe studim për problemet më të dhimbshme të shoqërisë shqiptarëve në Maqedoni? E mos të flasim për zgjidhjet që kanë ofruar!
Cila është analiza dhe studimi që BDI ka bërë për gjendjen e vërtetë me papunësinë dhe varfërinë te shqiptarët? Cfarë analize dhe studime kanë bërë BDI për shtetin e të drejtës, krimin e organizuar dhe korrupsionin? Ku është analiza dhe studimi për cilësinë e arsimit në shkollat dhe universitetet në gjuhën shqipe? E dinë Ali Ahmeti se cfarë shërbimesh shëndetësore kanë votuesit e tyre? I dinë pasojat e ndotjes që shkakton Jugohromi për qytetarët e Pollogut? Zoti na ruajt kush flet për analiza dhe studime!!!

Këto shqetësime të shqiptarëve janë punë të vështira që s’mund t’u bëjnë ballë gënjeshtarët dhe mashtruesit. Këto punë nuk mund t’i bëjnë njerëzit që nuk e kuptojnë se çfarë përgjegjësie është të përfaqësosh interesave e qytetarëve që të kanë votuar. Njerëz që nuk e kuptojnë këtë mision të shenjtë, nuk mund të jenë veçse të padijshëm, të papërgjegjshëm dhe të korruptuar deri në fyt. Njerëz që janë shëndruar në shërbetorë të disciplinuar të djallit! Njerëz të humbur!

Sikur kjo të mos mjaftonte, Ahmeti na tha se nuk do bëjë asnjë veprim që do shkaktojë dëm. Cfarë veprimi mund të bëjë një spektator? Ky nuk shikon se askush për asgjë nuk e pyet dhe se është defaktorizuar tërrësisht duke i lejuar kryeministrit Gruevski të nëpërkëmbë interesat e shqiptarëve? Cfarë dëmi tjetër pret ky njeri të na shkaktojë më shumë? Nuk mjaftojnë dëmet, dështimet, zullumet dhe poshtrimet deritashme?!

Gjëja më e tmerrshme që tha sot Ali Ahmeti është se nuk shqetësohet për rreziqet që mund të sjellë situate e re e krijuar në Maqedoni pas publikimit të aferës së përgjimeve. S’ka si përshkruhet kjo papërgjegjësi e Ahmetit veçse sikur boksieri në nokdaun, të cilit moti referi ka pushuar t’i numrojë kurse ai sillet sikur ende është në ring. Nëse ky njeri është aq i papërgjegjshëm, do jemi edhe në sikur ai i papërgjegjshëm me të ardhemn tonë?

Të vetmën gjë të arsyeshme që tha Ahmeti sot ishte se opozita duhet të publikojë të gjitha materialet komprometuese për qeverinë. Por një gjë është e paqartë, prej ku ky guxim i Ahmetit të përballet me korrupsionin e bashkëqeverisjes me VMRO? Përveç nëse nuk ka marrë garancione nga opozita maqedone se krimi i tyre nuk do publikohet, sepse as LSDM nuk do hiqte dorë nga shërbimet e një klase të paaftë dhe të korruptuar kinse shqiptare si këta të BDI-së në një bashkëqeverisje të ardhme.

Më herët te qarqet nacionaliste maqedone vlente sllogani, vetëm shqiptari i vdekur, është shqiptar i mirë. Tash si duket klasa e tyre politike është edukuar dhe këtë sllogan e ka zëvendsuar me një të ri: Vetëm shqiptari i paaftë dhe i korruptuar, është shqiptar i mirë! Nëse vazhdojmë t’i tolerojmë, na qofshin për hajr. E imja ishte të paralajmërojë sepse e ndiejë se kam përgjegjësi ndaj pjellës që i takoj! Kaq mundem! Ju veproni si të doni!

Lajme të ngjashme

Back to top button