Parlamenti miraton punësimin e 3 mijë vullnetarëve

Shumica parlamentare ka miratuar propozim ligji për punësim të rregullt të vullnetarë, atyre që deri tani kanë punuar me kontrata në vepër apo kontrata autoriale në ndonjë prej institucioneve shtetërore. Ligji përfshinë mbi 3 mijë persona që kanë punuar më honorarë apo si vullnetarë së paku 3 muaj , deri në fund të 2014-tës.

“Mund të them se qeveria e Maqedonisë ka menduar gjithnjë për të rregulluar statusin e këtyre personave por e dimë të gjithë se si ka qenë periudha e kaluar dhe ekonomia e Maqedonisë, e rajonit me borxhet dhe krizën ekonomike. I tërë procesi i transformimit do të zhvillohet në periudhë prej dy vjetësh gjegjësisht deri në fund të muajit shtator të vitit 2016 ”, deklaroi Krsto Mukovski, deputet i VMRO-së.

“Ne si deputetë dhe si grup parlamentar mendojmë se preket pikërisht ajo kategori e qytetarëve që ka nevojë të rregulloje statusin e vet, pasi që bëhet fjalë për një kategori të moshës së re prej 20 deri në 30 vjet, kategori  e qytetarëve që janë të përgatitur me shkollim superior të cilët me të vertëtë vetvetiu që kanë vendosur të jenë vollonterë nëpër institucione shtetërore, kanë përdëftuar se fatin dhe ardhmërinë e vetë e shohin në këtë shtet”, tha Rafiz Aliti, deputet i BDI-së.

Por deputetët e pavarur vlerësojnë se bëhet fjalë për ligj të vonuar e që tani miratohet për qëllimet politike.

“VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni tashmë 9 vjet janë në pushtet dhe kategoria e vullnetarëve vazhdimisht është e keqpërdorur.  Paramendoni kemi mjekë, infermiere apo arsimtarë që punojnë si vullnetarë për 5 vite. Imagjinoni ka mbaruar fakultet të mjekësisë dhe është vullnetar  5 vjet me shpresë se tani do të punësohet”, tha Roza Topuzova Karevska, deputete e pavarur”.

“Shpreh dyshimet e mija se përkatësia politike do të jetë njëri prej kritereve për punësim, dyshoj se do të respektohet edhe kriteri i profesionalizmit… Kriteri në baze të gjatësisë se të qenurit në një institucion është një kriter i mirë por keni institucione ku ky kriter nuk mund të respektohet pasi ka persona që punojnë aty nga 5 vjet por do të shprehem në mënyrë vullgare, luajnë derën e marrin rrogën”, theksoi Lubica Buralieva, deputete e pavarur.

Punësimi i personave me marrëdhënie të rregull pune do të zhvillohet në tre faza, e para që me hyrjen në fuqi të ligjit, pjesa e dytë do të punësohen në fillin të dhjetorit të këtij viti dhe personat e fundit që do të punësohen do të marrin kontratë të rregullt në shtator të vitit të ardhshëm/Alsat-M

Lajme të ngjashme

Back to top button