Të gjithë sytë nga Minsku, Poroshenko: Gati gjendja e jashtëzakonshme nëse s’ka marrëveshje

Të gjithë sytë janë nga Minsku i Bjellorusisë këtë të mërkurë, ku zyrtarë nga Rusia, Ukraina dhe grupet separatiste do të takohen për të shqyrtuar propozimet mbi një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë.

Pas një serie bisedimesh të nivelit të ulët, presidenti francez Francois Hollande dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, shpresojnë të përafrojnë qëndrimet e presidentit rus Vladimir Putin me atë të homologut të tij ukrainas, Petro Poroshenko, më vonë gjatë ditës.

Më herët, ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha për një radio franceze se Hollande e Merkel do të vendosin të shkojnë në bisedime bazuar mbi progresin që do të jetë bërë në negociatat paraprake, megjithatë përfaqësues të të dy udhëheqësve të Gjermanisë dhe Francës konfirmuan se ata do të marrin pjesë në bisedimet e Minskut.

Një zëdhënës i Kremlinit konfirmoi gjithashtu se Putin do të udhëtojë drejt Minskut të mërkurën, për të qenë gjithashtu pjesëmarrës. Samiti i shumëpritur vjen në një moment kur konflikti sa vjen e përkeqësohet në Ukrainën lindore, që ka marrë shumë jetë civilësh.

Duke folur në një takim të kabintetit qeveritar gjatë së mërkurës, Poroshenko tha se samiti ishte “më i rëndësishmi deri më tani, që do të zhvillojë ai si president”, raporton agjencia ukrainase e lajmeve “Ukrinform”.

Presidenti tha gjithashtu se së bashku me ligjvënësit ukrainas është gati të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme anembanë vendit, nëse “veprime të mëtejshme të papërgjegjshme” do të çojnë në përshkallëzimin e konfliktit. “Do të varet gjithçka nga rezultatet e samitit, nëse do të ndalim agresorët përmes diplomacisë, apo do të zgjedhim një regjim tërësisht të ndryshëm”, është cituar të ketë thënë Poroshenko.

Pamjet televizive tregojnë se edhe Denis Pushilin, lider i vetëshpallur i Republikës Popullore të Donjeckut, dhe Vladislav Deinego, lider i vetëshpallur i R.P. të Luhanskut, kanë shkuar në Minsk për bisedimet që mbrëmjen e së martës, duke dhënë edhe deklarata për reporterët e pranishëm. Edhe monitorues nga OSBE kanë qenë të pranishëm në takimet paraprake.

Gjithçka mbetet të pritje të samitit, ku liderët pjesëmarrës kanë ende shumë rrugë për të zhvilluar deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Zyrtarët francezë dhe gjermanë kanë shprehur frikën në lidhje me perspektivën e paktë të arritjes së konsensusit, duke thënë se bisedimet mund të zgjasin edhe gjatë orëve të vona.

Objektivi kryesor i këtyre negociatave me nismën e të ashtuquajturit “grupi Normandisë” (Francë-Gjermani-Rusi-Ukrainë) është tërheqja e armatimeve të rënda, krijimi i një zone çmilitarizuese dhe një status të ri për zonën Donbas në Ukrainë, që përfshin Luhanskun dhe Donjeckun. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button