Sikur të ishte fëmiu Yt!

Për çdo ditë nëpër rrugët e çdo qyteti të Maqedonisë, dhe posaçërisht dhe me theks të veçantë, duke I vënë qytetit të Tetovës, rrinë të shtrirë rrugëve, fëmijë të përkatësisë Rome.  Këta fëmijë, duket se qëndrojnë në gjendje të atillë për të obliguar moralisht kalimtarët-qytetarët të ndalojnë dhe të hedhin ndonjë denarë pranë tyre, si shenjë mëshire. Këta fëmijë shihen  të shtrirë varësisht kushteve kohore (diell, shi, borë).

Duke kaluar secilën ditë , për disa  vite me radhë, nga qendra e Tetovës e deri tek UEJL (Shtuli), gjen  situate të tilla të numërta.  Për çdo ditë e pyes  veten duke I shikuar të shtrirë , në gjendje mjerimi : A janë të sëmurë? A kanë ngrënë diçka? A kanë prindër? Përse rrinë të shtrirë në kushte klimatike të rënda? Kush I detyron ta bëjnë këtë gjë? Mos vallë janë të droguar? A e ndjejnë të ftohtin ose të nxehtin? A bën gabim nëse i afrohesh dhe  bisedon me të? A bën gabim nëse e merr dhe e dërgon në spital? A kujdeset dikush për këta fëmijë? Përse nuk reagon askush nga kalimtarët? Përse nuk reagon askush nga institucionet kompetente (Enti për punë dhe politikë sociale)…?

Sa është Etike që të shohësh fëmijë në rrugë të shtrirë dhe mos reagosh, si qytetarë, nënë, baba, motër, vëlla, gjysh, gjyshe…punëtorë social, arsimtarë?

A është më Etike që të hedhësh para në tokë për të, apo të reagosh në mënyrë tjetër për të (ta marrësh fëmijën, ta dërgosh në spital, ta ushqesh, ta dërgosh në institucion përgjegjës kujdestarie)? Nëse I hedh para çfarë do të arrish me këtë gjest? Do të dëshmosh se je dorëdhënë në sy të të tjerëve, duke lënë atë të ngrijë në rrugë? Do ta edukosh në këtë mënyrë, e ai herë tjetër nuk do të dalë më të veprojë siç ka vepruar? Do ia bësh shprehi bile. Do ia shtosh praktikën, kur do të mendojë se përditë më japin para, unë përsëri do të bëj të njëjtën gjë, duke menduar se ka njerëz të mëshirshëm. Në këtë mënyrë do të bëni të paaftë fëmijën për të ardhmen e tij duke e bërë njëkohësisht parazit. E nga paraziti pritet çdo gjë e keqe.

A është Etike që ta dërgoni në institucion përgjegjës kujdestarie? Ku do ta dërgoni se! A ekzistojnë institucione të këtilla në Tetovë dhe Maqedoni? Nëse ekzistojnë, kush punon në këto institucione? Sa janë të punësuarit (punëtorët social) të etikshëm? Sa janë ata të edukuar të merren me një problematikë të këtillë të shoqërisë? Përvoja tregon të veten.

Nëse I pyet ata (punonjësit e enteve sociale do të dëgjosh përgjigjen: kanë pru ligj për fëmijët që janë lypsarë rrugëve, që të paraqiten dhe të merren të dërgohen nëpër institucione përkatëse sociale, mirëpo ne nuk e zbatojmë ligjin pasi që ku do t’i dërgojmë kur ska vendqëndrim për të njejtët. Bihen ligje që janë të pa zbatueshme, për shkak të kapaciteteve mos ekzistuese në shtet.

Pos tjerash, përsëri mbetet pyetja drejtuar qytetarëve dhe punonjësve social: Cili do jetë përfundimi I këtyre fëmijëve? Do të vazhdohet të lihen shtrirë rrugëve të Tetovës? Do të lihen të manipulohen dhe malltretohen nga “kujdestarët “e tyre? Më mirë të edukohen apo t’I lihen fatit? Më mirë të mëshirohen duke u hedhur para e përsëri të lihen  rrugëve apo të reagohet në mënyrë përkatëse ndaj situatave të këtilla? Çka është më Etike të veprohet ndaj situatave të këtilla?

Kjo gjendje me të vërtetë është shqetësuese rrugëve të Tetovës. Është mjeruese dhe e dhimbshme. Gjendje kjo, sikur nuk prek asnjë nga kalimtarët dhe punonjësit social.

Fundja, të gjithë jemi krijesa më të mrekullueshme të Zotit. Të gjithë meritojmë trajtim të barabartë. Sepse të gjithë kemi një shpirt që dhemb njësoj.

Sikur fëmiu Juaj të jetë shtrirë në rrugë (duke mos ditur se ç’hall ka) si do të vepronit Ju?! 

M-r Hazize Jonuzi

Lajme të ngjashme

Back to top button