Nga shtatori, kompanitë çdo muaj do të takohen me Ministrin e Ekonomisë

Çdo të hëne të parë të muajit kompanitë do të kenë mundësi të takohen me ministrin e Ekonomisë, Valon Saraçini në kuadër të projektit “Hapur me biznesin” që e fillon Ministria e Ekonomisë. Qëllimi i këtij projekti, i cili do të fillojë në shtator të këtij viti, është që përmes dialogut të hapur me sektorin e biznesit në vend të lehtësoj edhe më tej procesin e miratimit të rregulloreve dhe udhëzimeve që janë jetike për sektorin real.

Përmes projektit “Hapur me biznesin” do të lokalizohen të gjitha pikat administrative që vështirësojnë kushtet e drejtimit të një biznesi, ndërsa përmes komunikimit të rregullt do të hapet mundësia për zbatimin e shpejtë të risive që janë shumë të rëndësishme për sektorin e biznesit dhe që do të dalin nga nevojat e tregjeve. 

“Krijimi i një ekonomie më konkurruese, zhvillimi i sipërmarrësisë dhe inovacionit, si dhe përmirësimi i pozitës së kompanive në tregjet e huaja, është prioriteti kryesor i Ministrisë së Ekonomisë. Këto qëllime mund të përmbushen vetëm nëpërmjet partneritetit të përforcuar dhe dialogut të hapur me biznesin. Ne duam që të forcojë edhe më tej bashkëpunimin dhe në këtë mënyrë të veprojmë në mënyrë edhe më efektive, e gjithë kjo në interes të biznesit dhe përmirësimit të situatës ekonomike në përgjithësi”, tha ministri i Ekonomisë Valon Saraçini.

Në kuadër të projektit “Hapur me biznesin” kompanitë do të kenë mundësi të shfaqin sfidat e tyre dhe të propozojnë zgjidhje për të kapërcyer ato, për të dhënë idetë e tyre në lidhje me mundësitë e shkurtimit të mëtejshëm të afateve për procedura të caktuara, si dhe për të marrë informata shtesë se si të kenë qasje më të lehtë tek fondet IPA dhe linjat e tjera të kreditimit. Gjithashtu, ky projekt do të nxisë më tej mbështetjen teknike të ofruar nga Ministria e Ekonomisë për kompani të ndryshme nëpërmjet programeve të synuara.

Ministri Saraçini njoftoi se në kuadër të këtij projekti do të bëhen edhe sondazhe anonime si dhe hulumtime nëpër kompani, me qëllim të përmirësimit të punës së tyre dhe gjetjen dhe largimin e pengesave më të zakonshme për të bërë biznes. Gjithashtu do të bëhen kërkime mbi mundësitë dhe potencialin e kompanive dhe nevojat e tyre në mënyrë që të përmirësojnë biznesin.

Ministria e Ekonomisë edhe deri tani, në kuadër të kompetencave të saj ka zhvilluar takime të rregullta me komunitetin e biznesit. Si rezultat i kësaj, me kërkesë të komunitetit të biznesit janë miratuar disa ligje të reja dhe amendamente të atyre ekzistuese. Këto dispozita ligjore si Ligji për Shoqëritë Tregëtare, Ligji i falimentimit, Ligji për energjetikë, Ligji për Burime Minerare, Ligji për sistem një-sportelësh dhe aktet e tjera nënligjore janë ndryshuar në bazë të kërkesës së komunitetit të biznesit në kohë shumë të shkurtë, e gjithë kjo me qëllim që të krijohen kushte reale për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit.

Si rezultat i dialogut intensiv me komunitetin e biznesit është rritur edhe numri i kompanive që përdorin fondet e IPA-s dhe programet tjera për mbështetjen e biznesit.

Lajme të ngjashme

Back to top button