Emigracioni, Zvicra “mes zjarrit”: Të kufizojë lëvizjen e lirë, apo të respektojë traktatet me BE

Qeveria zvicerane propozoi këtë të mërkurë një projektligj për kufizimin e emigracionit nga vendet e BE-së pas një referendumi të zhvilluar, por bëri të ditur se përpara miratimit të tij do të kërkojë bisedime me Bashkimin Europian, në mënyrë që të mos shkelë traktatet bilaterale, përfshi edhe lëvizjen e lirë të njerëzve.

Një vit më parë, zviceranët votuan për të vendosur kuota emigracioni, në një referendum të kërkuar prej partisë së krahut të djathtë “Partia Popullore Zvicerane”. Rezultati i tij u kundërshtua ashpër nga qeveria vetë, nga bankat zvicerane, por edhe nga prodhuesit e drogave apo industrive të tjera, të cilat mbështeten kryesisht në krahun punëtor të kualifikuar nga BE.

Votimi i shkaktoi një problem qeverisë sesi të menaxhojë emigracionin përmes vendosjes së kuotave, por pa irrituar Brukselin, që ka deklaruar se çdo kufizim i fluksit të punonjësve nga BE do të shkelte traktatet që mbulojnë një rang të gjerë çështjesh, përfshi ato të bashkëpunimit ekonomik dhe teknologjik, shkëmbimet agrikulturore, aviacionin dhe trafikun tokësor dhe hekurudhor.

Zëdhënësja Maja Kocijancic tha se BE do ta shqyrtojë projektligjin dhe do të studiojë përputhshmërinë e saj me marrëveshjen BE-Zvicër sa i takon lëvizjes së lirë të popujve. “Bashkimi Europian pret nga Zvicra të respektojë detyrimet që i lindin prej kësaj marrëveshjeje”, tha ajo.

Qeveria ka planifikuar të vendosë kuota vjetore për numrin e emigrantëve të lejueshëm për të hyrë në Zvicër, tha presidentja Simonetta Sommaruga, por pa dhënë detaje. Punëmarrësve do t’u kërkohet të favorizojnë shtetasit zviceranë kur punësojnë njerëz në stafet e tyre, sipas projektligjit, e megjithatë do të ketë përjashtime në disa punë të caktuara, të cilat rezultojnë të vështira për t’u realizuar prej tyre.

Zvicra nuk është vend anëtar i BE-së, por ka pranuar efektivisht parimet e saj në lidhje me lëvizjen e lirë të punonjësve, si pjesë e 7 traktateve që ose respektohen të gjitha, ose shkelen të gjitha.

Të huajt përbëjnë rreth 24 përqind të popullsisë së Zvicrës, sipas shifrave të fundvitit 2013, një prej proporcioneve më të mëdha ndër ekonomitë e vendeve perëndimore, ndërkohë që ka qenë 15 përqind rreth 30 vjet më parë. Emigracioni i ligjshëm është rreth 1 përqind në vit, thuajse dyfishi i Gjermanisë. Qeveria ka 3 vjet kohë për të kthyer në ligj rezultatin e referendumit të shkurtit të vitit 2014. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button