fbpx

Ekonomia ruse drejt shkatërrimit

Kombinimi i çmimit të ulët të naftës me sanksionet ndërkombëtare ekonomike e ka futur industrinë ruse të naftës në një kaos të vërtetë.

Prodhimi i naftës në vend pritej të arrinte në 11 milionë fuçi në ditë brenda vitit 2019, por tani ky parashikim pritet të bjerë nën 10.5 milionë fuçi në pesë vitet e ardhshme.

Kështu thuhet në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, sipas të cilës prodhimi i naftës deri në vitin 2020 do të ketë rënë me 560 mijë fuçi në ditë.

“Kombinimi i rënies së çmimit të naftës me sanksionet ka pasur një impakt shkatërrues, ndërkohë që mungesa e aksesit në tregjet ndërkombëtare ka bërë që kompanitë ruse të mos e plotësojnë dot boshllëkun financiar të shkaktuar nga çmimi i ulët i naftës”, thotë ANE.

Prodhuesit më të mëdhenj të Rusisë, si Gazprom, Lukoil, Rosneft, u goditën në mënyrë direkte nga sanksionet perëndimore për shkak të përfshirjes së vendit në krizën e tejzgjatur ukrainase.

Shumë nga këto kompani janë detyruar të anulojnë ose të shtyjnë për më vonë projektet eksploruese për gjetjen e burimeve të tjera, ndërkohë që partnerët ndërkombëtar të Rusisë po tregohen të kujdesshëm për investime për aq kohë sanksionet janë ende në fuqi.

Ditën e hënë, Rosneft njoftoi se programi i saj i investimit për vitin 2015 do të mbetet në të njëjtin nivel sikurse vitin e kaluar, duke anuluar kështu angazhimin e mëhershëm për të rritur investimet me 30 për qind.

Ky njoftim erdhi pasi kompania franceze Total lajmëroi se do ta shtynte bashkëpunimin me Lukoil në perëndim të Siberisë dhe ndërsa ExxonMobil anuloi dy projekte të përbashkëta me Rosneft në Detin e Zi dhe në rajonin Bazhenov.

Por jo vetëm kaq, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë shkon më tej kur thotë se rreziqet për industrinë ruse të naftës janë në rritje. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close