fbpx

Neziri: Me projekte të përbashkëta për përmirësim të bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri sot mori pjesë dhe kishte paraqitje në Konferencën e organizuar nga Lidhja e Odave ekonomike të Maqedonisë, në të cilën u diskutua lidhur me bashkëpunimin ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, përkatësisht të rajonit të Pollogut dhe atij të Korçës, në kuadër të IPA Programit për bashkëpunimin ndërkufitar.

Në konferencë ku morën pjesë Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, Aivo Orav, Ministri i Pushtetit Lokal Lirim Shabani dhe përfaqësues të sektorit të biznesit nga Maqedonia dhe Shqipëria, ministri Neziri tha se pret që nga kjo konferencë të nxiten diskutime midis përfaqësuesve të pushtetit qendror, pushtetit vendor dhe sektorit të biznesit, për potencialet  për bashkëpunim mes bizneseve, duke pasur paraqysh politikat dhe masat të cilat i ka ndërmarrë Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria  me qëllim të përmirësimit të kushteve për bashkëpunim, me theks të veçantë në lidhjet ekonomike mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

‘Unë do të doja të theksoj pikërisht rëndësinë që ka Programi IPA për bashkëpunim  ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, një nga katër programet  ku bën pjesë Maqedonia, qëllimi kryesor i të cilit është që të nxisë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin, sidomos në rajonet kufitare dhe paraqet një interes të përbashkët për dy vendet tona, duke inkurajuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në këto rajone’, tha Neziri duke shtuar se dy vendet duhet të kontribuojnë në nxitjen e zhvillimit ndërkufitar në fushat ekonomike, mjedisore dhe sociale, me theks në promovimin e turizmit, zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit, në menaxhimin me burimet natyrore dhe ekosistemet, si dhe shkëmbimin kulturor midis njerëzve dhe institucioneve.

‘Edhe pse sektori i biznesit sot do të paraqet  shembuj pozitivë të rritjes së bashkëpunimit ndërkufitar, unë do të doja të përqëndrohem tek mundësitë e realizimit të projekteve të përbashkëta rajonale për zhvillimin e sipërmarrësisë, të cilat mund të financohen pikërisht nga programi IPA. Një nga projektet e mundshme të përbashkëta ndërkufitare është sipërmarrësia e të rinjve, qëllimi i të cilit do të ishte inkurajimi i  frymës sipërmarrëse në mesin e të rinjve nga shkollat e mesme në zonat kufitare. Me këtë projekt do të përfshiheshin disa shkolla të mesme në rajonet kufitare, ndërsa mësues të trajnuar do të punonin me grupe të nxënësve në tema që janë të lidhura me sipërmarrësinë, pastaj krijimin e ideve të biznesit dhe në fund shëndrimin e tyre në plane konkret të biznesit’,  tha ministri Neziri.

Ministri i Pushtetit lokal Lirim Shabani tha se do të punojë për të intensifikuar komunikimin ndërmjet pushtetit qendror, atij lokal dhe subjektet e biznesit me qëllim që bashkërisht të bëhet përmirësimi i kushteve për të bërë biznes. Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Avio Orav theksoi rëndësinë e dialogut, dhe rolin e Odave ekonomike në promovimin e interesave të sektorit të biznesit, para institucioneve.

Në Konferencë, pas pjesës zyrtare u zhvillua  panel diskutim me përfaqësues nga pushteti qendrorë dhe ai lokal, ku u diskutua për mundësitë për bashkëpunim të biznesit, legjislacionin aktual dhe drejtimet e ardhshme për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve, ndërsa gjatë panelit të dytë u përfshinë përfaqësuesit e sektoreve të biznesit, të cilët paraqitën kapacitetet e tyre, përvojën dhe potencialin për bashkëpunimin me Shqipërinë.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close