Rama: Reformë radikale në energji, nuk falen borxhet e ligjshme

Kryeministri Edi Rama deklaroi se në Shqipëri pjesa dërrmuese e infrastrukturës prodhuese, transmetuese dhe shpërndarëse e energjisë elektrike është ndërtuar në vitet ‘70- ’80, duke thënë se pjesa më e madhe e kësaj infrastrukture është rreth 40 vjeçare.

Në këtë argument ai tha se kjo infrastrukturë nuk përballon dot nevojat në rritje të qytetarëve.

Gjatë një takimi të organizuar nga Operatori i Shpërndarjes së Eenergjisë Elektrike për prezantimin e programit të “Rimëkëmbja energjetike”, kreu i qeverisë tha se infrastruktura e sektorit energjetik, krijon probleme në cilësinë e shërbimit.

Sipas tij gjithë kjo problematikë nuk mund të zgjidhet si me magji brenda dy vitesh, ndërsa shtoi se nëse të gjithë paguajnë për energjinë elektrike, nuk paguajnë taksa por paguajnë për të pasur mundësi që të kenë shërbim më të përmirësuar.

Kryeminsitri u shpreh se reforma në sektorin energjetik është vonuar pasi qeveritë e kalaura i kalonin “topin” qeverisë pasardhëse.

“Ka një objektiv pesë vjeçar për ta kthyer energjinë nga një hall të madh për shqiptarët në një burim fitimi për Shqipërinë. Reforma jonë për të liberalizuar në mënyrë radikale tregun e energjisë, për të çliruar konkurrencën në treg do të ketë sukses, sepse masat në kuadër të kësaj reforme na sigurojnë për këtë sukses. Është një operacion jashtëzakonisht i rëndë në një organizëm të kapur në të gjithë shtrirjen e vetë nga një kancer gërryes, që çoi drejt një kolapsi financiar për shkak të një liste të madhe borxhesh, detyrimesh të prapambetura dhe zullumesh të hatashme, Kompania do të kthehet në kompani lider në të gjitha aspektet. Për njerëzit e prekur nga përmbytjet si në jug dhe në veri do të ketë një qasje tjetër për ti lehtësuar”, u shpreh Rama.

Lidhur me faturat e paligjshme deklaroi se ato nuk u falën por u anuluan, por tha se nuk do të ketë më pazare për fshehje detyrimesh. Në këtë linjë deklaroi se, “Harrojeni, nuk falen borxhet e ligjshme”.

Në vijim Kryeministri tha se vetëm në janar të këtij viti humbjet janë 10% më pak se një vit më parë, shifra për të cilat u shpreh se kanë ndikim kolosal.

Ndërsa për arkëtimet deklaroise janë 120% më shumë dhe lidhjet e reja rreth 5 mijë ose 80% më shumë. Në këtë drejtim shtoi se kjo gjë ka sjellë 21 milionë euro më pak import, shumë e cila do të investohet për të modernizuar sistemin energjetik, duke e bërë Shqipërinë moderne dhe shtetin modern në këtë sektor strategjik.

12 milionë nga shuma prej 21 milionëve, tha ai, vijnë drejtpërdrejtë nga ulja e humbjeve.

Rama bëri me dije se afati për të përfituar nga shlyerja e detyrimeve pa kamatvonesë skadon më 28 shkurt, ndaj apeloi qytetarët që të mos humbin mundësinë por të shkojnë pranë sporteleve dhe të bëjnë aktmarrëveshjen.

Ai paralajmëroi se do të bëhet testim për të rekrutuar forca të reja specialistësh duke thënë se OSHEE nuk është qendër strehimi, por se është një kompani që ka nevojë për burime njerëzore të afta./NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button