DEMONTIMI I PËRBINDËSHIT

Sistemi shtetëror totalitar i ngjan një përbindëshi me shumë sy e veshë, që dëshiron gjithçka ta ketë nën kontroll – edhe vullnetin e individëve të cilin tenton t’ia nënshtrojë vullnetit të tij.

Në këtë sistem pushteti është nën kontrollin e një prijsi apo grupi të vogël, teksa të tjerët shërbejnë vetëm si dekor i atij pushteti.

Në këtë sistem pamundësohet autonomia e sferave shoqërore, sikurse: arsimi, kultura, arti, shkenca, shëndetësia, ekonomia, policia, gjykata, intitucionet religjioze etj. Kontrollohen sferat e komunikimit publik: shtypi, radioja, televizioni. Ndonëse thirret në familje, e dobëson institucionin e saj.

Ky sistem lufton kundërshtarët aktualë dhe grupet disidente, nëpërmjet dhunës, frikës e shantazhit. I lufton dhe demonizon kundërshtarët potencialë. Shpik armiq të jashtëm e të brendshëm, për të ngjall frikë e tension. I intereson privatësia e njerëzve, për të krijuar bindjen se gjithçka është nën kontroll, si në rastin me disidentit çek Milan Kundera, të cilit kalecët, për ta detyruar që ta braktiste atdheun, i kishin thënë se përse tek një pemë, gruas së tij, me një çorap të grisur, i dha një karamele!

Ia bënin me dije se ndiqej, se nuk kishte privatësi e intimitet, madje as në shtratin bashkëshortor.

Ky sistem synon kontrollin e mendimeve dhe ëndrrave, si te “Qorfermani” i Kadaresë.

I udhëhequr nga Truhinjot e Xhoni Abesët, si te “Festa e Cjapit” e M. Llosës, ka nevojë të dijë kush çka flet e çka mendon, sepse është paranoik.

Nuk e pranon personalitetin, që mendon me kokën e tij.

Nuk u beson njerëzve të dijes, sepse i konsideron si të pabesë.

Nuk e pranon thelbin e demokracisë dhe lirisë – të drejtën e të qenit disident ose të drejtën e kundërshtimit të së “vërtetës” zyrtare.

Nëse ndryshohen vetëm njerëzit që e udhëheqin, atëherë gjithçka përsëritet dhe sistemi mbetet i njëjtë.

Jo zotërinj, tha senatori romak, nuk dua që të zëvendësoj një prijës me një tjetër, por ta shpëtoj republikën. Në të kundërtën historia përsëritet me aktorë të rinj. Ndodh ashtu siç përshkruhet në veprën e Mesha Selimoviqit, te “Dervishi dhe vdekja” – sistemi i degjeneruar vazhdon të degjenerojë edhe njerëz të ndershëm.

Në sistemin “me më të barabartë se të barabartët”, si te “Ferma e kafshëve” e Oruellit, ku vlen logjika e njëfarë Luigji se “shteti jam unë”, vetëm zëvendësohet politikani i keq me një politikan potencialisht të keq.

Ky sistem gërryhet vetëm nga e vërteta që na bën të lirë.

Demontimi i këtij sistemi nënkupton rikthimin e privatësisë, përjashtimin e cenuesve të saj nga sfera publike e politike, krijimin e hapësirës për një jetë të dinitetshme.

Këtu fillon vështirësia, sepse praptorët ikin duke shkaktuar dëme. Megjithatë, prej këtu fillon zgjidhja e problemit.

Respektimi i të drejtës njerëzore për të menduar pa frikën se do të ndëshkohesh, do të thotë disfatë e hipokrizisë dhe frikës, por edhe triumf i mençurisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button