USHT nuk paguan profesorët, studentët testohen me komisione!

Studentët e USHT-së në Shkup, ankohen se profesorët me të cilët kanë mbajtur ligjëratat nuk vinë në provime dhe se ato të njëjtat mbahen me komision të formuar nga vetë Universiteti. Kjo dukuri përsëritet disa vite me radhë dhe shumë pak studentë dhe profesorë marrin guximin ta denoncojnë publikisht rastin.

Studentët thonë se komisionet e formuara testojnë studentët simbolikisht, dhe anëtarët e tyre nuk kanë lidhje me lëndën që komisionojnë dhe studentin që testojnë.

“Ky fenomen sa vjen e përhapet. Profesorët na kanë treguar arsyet se përse nuk mund t’i mbajnë provimet. Pra, mungesa e rrogave. Tani janë formuar komisione të cilat testojnë studentët simbolikisht, anëtarët e të cilëve nuk kanë lidhje me lëndën që komisionojnë dhe studentin që testojnë. Kjo bie në kundërshtim me statutin e universitetit por edhe me ligjin për arsim të lartë. Ka raste ku nga 6 lëndë, 4 prej tyre studenti është detyruar ti kalojë përmes komisionit. Këto komisione nuk i testojnë studentët por thjeshtë i kalojnë, duke i lënë pasoja të mëdha. Pritet që ky fenomen të rritet dhe profesorët e pakënaqur të largohen, pasi që shumë profesorë me muaj nuk janë paguar për punën e tyre”, tha për Portalb, Adrian Kerimi, student.

Nga ana tjetër profesorët të cilët nuk paraqiten në provime kanë një arsye, dhe ajo është mospagesa e honorarëve nga ana e Universitetit.

“Sa i përket lëndëve për të cilat provimet jepen me komision, kjo ka të bëjë sipas përvojës time, për shkak se profesorët që kanë zhvilluar mësimin në lëndë të ndryshme, nuk i mbajnë provimet për shkak të mospagesës së tyre, prej gati dy vjetësh.

Sinqerisht, çfarë do argumenti të jepet, është e pafalshme dhe më së paku joserioze që të lihen mësimdhënësit pa u paguar. Një gjë e tillë lere që nuk i ngjan një institucioni serioz, por mbi të gjitha heq çdo entuziazëm dhe përkushtim të profesorëve. Nëse ka vetëm pak përgjegjësi ndaj shoqërisë, një gjë e tillë nuk do të lejohet sepse pasojat do të jenë (në fakt janë) serioze për atë që krijohet nga universiteti”, tha për Portalb, profesori Nazim Rashidi.

Ai shtoi se tani me ligjin e honorarëve edhe të paguhen borxhet, profesorët do të marrin rreth 40 për qind më pak rrogë.

“Situata bëhet edhe me dramatike, sepse pagesat e pa marra nëse edhe paguhen sot, do të duhet ti nënshtrohen rregullave të reja të tatimit. Kjo gjë bën që më shumë se gjysma e profesorëve të USHT të marrin rreth 40 për qind më pak honorare. Një gjë e tillë as që i mbulon harxhimet që ata kanë bërë e lere më të bëhet fjalë për paga normale. Po për çfarë akademizmi flasim ne kur profesorët duhet të mendojnë për ekzistencën banale?

Është për të ardhur keq, se shumica e profesorëve heshtin. Heshtin edhe ata që janë të punësuar të rregullt. Të cilët madje para disa muajsh bënë presion që tu ulen honoraret që nuk i marrin profesorëve të jashtëm. Ndonëse në komoditet, duke marrë rrogën dhe gjithë benifitet prej një personi të punësuar për 12 muajsh, u pengonte paga “e madhe” e honoraristëve që bëjnë në mos më shumë, punë sa ata.  Në këtë situatë kur profesorët e jashtëm nuk i mbajnë provimet, në formë proteste, drejtuesit vendosin komisione. Kjo gjë ka problemet e veta sepse komisionet nuk kane ndjekur studentët, nuk dinë vijimësinë e lëndës dhe ngrihen dyshime për mënyrën e vlerësimit”, shtoi Rashidi.

Rashidi shtoi se sa i përket administratës aty s’mund të them gjë, por është shqetësim i përgjithshëm tashmë, i studentëve, prindërve dhe më gjerë se gjërat nuk mund të lihen në këtë nivel shqetësues, jo vetëm ndaj profesorëve por dhe gjithë shoqërisë.

Ndërkaq nga USHT refuzojnë të tregojnë arsyen e mos pagesës së profesorëve si dhe largimin e tyre nga ky institucion. Të kontaktuar nga Portalb, ata refuzuan të komentojnë rastin. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button