Dikur braktisën Gjermaninë për Kosovën, e tash Kosovën për Gjermaninë!

Populli i Kosovës gjithnjë është ballafaquar me padrejtësi të mëdha dhe çdoherë ka qenë cak i lakmiqarëve shovinistë të cilët punuan pa rreshtur për zotërimin e këtyre tokave Dardane.

Pa u kthyer shumë mbrapa në histori, vetëm 16 vjet më parë, pas shumë vuajtjeve nga regjime të ndryshme serbe, e tek më vonë nga ai i kasapit të ballkanit, kriminelit Slobodan Millosheviç, populli ynë u përball me një tentim spastrimi etnik nga forcat serbe të cilat shkaktuan gjenocid dhe se nuk kursyen as civilë duke përfshirë fëmijë, gra dhe pleq, por që prap nuk ia dolën qëllimit, falë qëndresës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  atyre të rinjëve e të rejave që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Shumë njerëz treguan atdhedashurinë për vendin në këto kohë të vështira, secili në mënyrë të vet dha diçka  si kontribut për çlirimin e Kosovës. Vendi ynë poashtu është i njohur për një mërgatë të madhe në vendet e Bashkimit Europian, dhe që assesi nuk mungoi ndihma e tyre për vendlindje. Bashkëatdhetarët kur panë gjenocidin që po ndodhte në Kosovë, lanë çdo gjë dhe u zotuan të gjithë rreth një qëllimi që ishte kthimi në atdhe, për të marrë pjesë  në luftën heroike të UÇK-së për lirimin nga zgjedha e regjimit serb.  Falë vullnetit, angazhimit, luftës së drejtë, ndihmës së aleatëve tanë për të cilët jemi mirënjohës, arritëm që ta fitojmë betejën.

Këtë  betejë historike të luftetarëve të UÇK-së me regjimin e Millosheviçit e përcaktoi beteja e atdhedashurisë me nacionalizmin, dhe fitoi atdhedashuria që është produkt i domosdoshmërisë për të jetuar i lirë dhe për të luftuar çdo përmasë të munguar të lirisë, ndërsa humbi nacionalizmi që është pjellë e domosdoshmërisë për të qëndruar në pushtet apo për të marrë pushtet.

Tash po bëhen 16 vjet që po jetojmë të lirë dhe 7 vjet që jemi shpallur shtet i pavarur, ditë për të cilat kemi ëndërruar. Por vendi ynë është duke u ballafaquar me një ikje masive të qytetaërve në përgjithësi e të të rinjëve në veçanti, dhe që është diçka e dhimbshme për gjithë secilin nga ne. Kjo ikje po bëhet në mungesë të kushteve ekonomike dhe lodhjes së  qytetarëve nga mosgatishmëria  e qeverive  të pasluftës për krijimin e vendeve të punës dhe bërja e shtetit jo përspektiv. Rrugët që po i marrin qytetarët në përgjithësi dhe veteranët e UÇK-së në veçanti janë kryesisht për në Gjermani, shtet ky të cilin e braktisën shumë prej tyre në vitin 1998-99 dhe u kthyen të jepnin jetën për Kosovën. Tash prap po kthehen atje dhe shumë të dëshpëruar që po e lënë atdheun e tyre për të cilin sakrifikuan gjithçka që kishin. I kuptoj hallet që kanë, e kuptoj gjendjen jo të mirë ekonomike, e kuptoj mosbesimin që është krijuar në institucione dhe me dhimbsen shumë kur i shoh çdo ditë stacionet plotë dhe pas pak orësh bosh.

Por megjithatë ikja nuk është zgjidhje, për atë u bëjë thirrje të jenë optimistë, të mos dorëzohen sepse nuk u dorëzuam edhe në ditët më të vështira, të punojmë  për këtë vend sepse ky është vendi ynë dhe së bashku do të arrijmë ta ndryshojmë këtë gjendje të dhimbshme, sepse po se bëmë ne, kush do ta bëjë ?

Lajme të ngjashme

Back to top button