Adami, këtu është!

Adami, këtu është!

E marr guximin t’i komentoj një akademiku. Sigurisht  dikush do të  nënqeshë. Megjithatë, përsëri marr guximin…!

Gjithë shkrimi i akademikut Mehmet Kraja: “Ku ishe ti, Adam”? reflekton dhe është shkrim mbi “mëkatin”, që ne si shoqëri i kemi bërë vetës. Gënjeshtrat, mashtrimet, intrigat, dredhëritë, e të gjitha të tjerat, nuk janë pos tjerash përveç se “mëkate”.

Vetë pyetja: “Ku ishe ti, Adam”?’ tregon  tashmë që ne kemi takuar atë dhe e njohim  në këtë kohë- ku tani jetojmë. E pyesim se ku ishe, apo përse u vonove, ose  përse qëndrove aq shumë në të kaluarën? Dhe i themi m’u në sy Adamit që ti je përgjegjës për këtë katrahurë sociale e politike. T’i themi Adamit:  “Shiko se ç’ke bërë?

Akademkiu e fajëson Adamin duke qortuar vetë shoqërinë. I flet Adamit nëpërmjet pasardhësve të tij, dhe pasardhësve të tij nëpërmjet Adamit. Mirëpo gabimi në këtë rast është i dyfishtë.  Sepse Adami, është përfaqësues i vetë vetës së tij e mëkatit si individ i veçantë në histori, dhe shoqëria është vetë përgjegjëse për fatin e saj, dhe po brenda shoqërisë, po gjithësecili individ është përgjegjës për fatin e tij dhe secili ka po mëkatin e tij.

Akademiku  u tregua i sinqertë për titullin e huazuar,  “Ku ishe ti Adam”. Tregoi që e ka huajtur nga një roman i Hanjri Bellit  që fajëson Adamin njeriun e parë – babain e njerëzimit për atë që ka ndodhur në Gjermani gjatë kohës së nazizmit. Dhe po me këtë tregon se shoqëria në të cilën jetoj nuk ka kapacitete morale të më gjykojë për këtë “plagjiaturë”.

Të nisesh nga gjykimi që e gjithë shoqëria  nuk ka kapacitete morale që ta gjykojë për titullin e një libri besoj që është e vetëkuptueshme, por në këtë rast e parëndësishme. Mirëpo, të nisesh nga gjykimi universal siç pohon akademiku se: “Të gjithë gënjejmë dhe të gjithë jemi viktima të gënjeshtrës; të gjithë mashtrojmë dhe njëkohësisht jemi viktima mashtrimit”, është jo paragjykim për vetë shoqërinë njëherësh, por dhe për vetën e tij.  Në këtë gjykim të tij me “të gjithë” përfshihem unë e tjetri, së bashku me atë që gënjen e mashtron, apo tjetri i cili nuk gënjen e nuk mashtron futet në ‘një thes’ me mua që gënjej e mashtroj. Të thuash: “të gjithë gënjejnë e mashtrojnë”, nuk është gjë tjetër pos është një moto prej një gënjeshtari. Por, jo të gjithë gënjejnë e mashtrojnë dhe jo të  gjithë nuk kanë kapacitete morale për të gjykuar.

Por, Adami ku ishte? Adami ishte në parajsë por u dëbua nga aty nga për shkak se mëkatoi duke ngrënë nga pema e njohjes së ndaluar. Dhe si ndëshkim  Zoti e solli këtu – në Tokë, andaj:

Adami, këtu është!

Dhe nuk mund ta fajësojmë. Edhe pse me mëkatin e parë të tij – mëkati erdhi në botë qoftë si koncept, vlerë apo kategori. Ta fajësosh Adamin, nuk do të thotë që ke fajësuar gjithë  shoqërinë, e shkuar më tej- njerëzimin, por vetë Adamin.  Njeriu i veçantë, pra, unë, tjetri, secili për vetën e tij  është pjesëmarrës me mëkatin origjinal (mëkatin e parë të Adamit) vetëm e vetëm  nëpërmjet marrëdhënies tonë me Adamin, por jo dhe nëpërmjet marrëdhënies së tij primitive me mëkatin. Pra, çdo mëkat i individit të veçantë, është mëkat i tij, dhe jo i Adamit. Kësisoj, ta fajësosh Adamin, për mëkatin e gjithësecilit, është e gabuar dhe shikuar moralisht bie edhe vetë në mëkat duke fajësuar Adamin që nuk ka bërë asnjë mëkat. Porse, llogaria e mëkatit duhet të kërkohet nga secili individi që ka rënë në mëkat (së paku nga vetja e tij). Adami nuk ka gjeneruar mëkate të tjera siç pretendohet në pyetjen: “Ku ishte ti, Adam”?

Adami, tek Gjeneza në Bibël, është i përjashtuar dhe nxjerrë krejtësisht  nga vetë historia njerëzore. Sepse vetë Jezusi kishte marrë të drejtën t’i fshinte  mëkatin Adamit. Kështu që nuk kërkohet llogari tek Adami, por tek Jezusi. Andaj, më e përshtathme do të ishte të kërkohej llogari e  t’i parashtrohej pyetja:

Ku ishe ti,  Jezus?

Jezusi mori me vete mëkatin e Adamit dhe  gjithë mëkatet e njerëzimit. Adami është  i vetmi individ i cili nuk mori pjesë në histori sepse pa të nuk ka më mëkat. Kështu që Jezusi duke marrë mëkatin e Adamit dhe gjithë njerëzimit mëkati i parë i ardhur në botë nuk vie nëpërmjet Adamit, por mëkati vie nëpërmjet  mëkatit. Dhe ky koncept mitik i naivitetit i nxjerrë nga Bibëla, është po i njejti koncept naiv i nxjerrë në shkrimin e akademikut: “Ku ishe, ti Adam”?  Edhe pse pa mëkat përsëri:

Adami, këtu është!

Ishte gjithmonë në mesin tonë. Ne të tjerët të gjithë jemi “adamë të vegjël”. Duke përfaqësuar mëkatet tona e përgjegjësitë. Por, me gjithë këtë shkrim estetik të akademikut i cili dorën në zemër do të më linte edhe më shumë  përshtypje pa masë po të parashtrohej pyetja: “kush”, dhe jo “çfarë”.

Po, z. Mehmet Kraja, na thuaj: “Kush janë miqtë e juaj”? Që vetë i quan miq në vend se t’i quaje armiq! Kush janë këta që janë bërë  drejtues institucionesh, anëtarë komisionesh, bordesh, e pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të shkatërrimit të vlerave. Kush janë këta plagjiatorë me damkë e mbrojtësit të tyre-kush janë? Kush janë zjarrëvënësit e të ashtuquajturit shpëtimtarë të botës? Kush janë po këta karrieristë, poltronë, militantë partiakë, e sherbëtor pa dinjitet? Kush janë ata që nuk të lënë vend e janë bërë shumicë? Kush janë ata kombëtarë e ndërkombëtarë që u bënë bashkë e çmoralizuan shoqërinë? Po “vagabondët me shkollë” e këta  proveniencë rurale, me këmbët me bajga, që deri para pak kohësh e bënin nevojën pas gardhit, na thuaj- kush janë?  Kush janë këta armiqë të shtetit e shoqërisë që i quani miq? Dhe përsëri  them që:

Po, Adami, këtu është!

Dhe ka emër. Adam i thonë!  Po kush janë këta pasardhës të Adamit që kanë emra, dhe ne e dimë se kush janë.’’ Dhe thoni: “kjo ka pak rëndësi”… “JO”!… Është rëndësi jetike për vendin e atdheun tonë që t’i dijmë kush janë këta  tradhëtarë  të cilët duhet të jenë prapa grilave që ne nuk ua dimë emrat. Dhe ju ende fajësoni Adamin duke e pyetur se ku ishe? Dhe ju ende fajësoni Adamin për migrimin e ekzodin? Ju fajësoni Adamin dhe për liberalizimin? Ju fajësoni Adamin dhe për Vetëvendosjen që është  e obesionuar me mitet që krijon vetë dhe për çudi e quani dhe lëvizje ilegale e si bashkëpjesëtare e “AAK”-së dhe “Nismës”, për bashkëmarrje të pushtetit?! Dhe këtu përsëri fajtor na qenka Adami?  Adami nuk është fajtor mund ta pyesim vetë. Ja, shiko:

Adami, këtu është!

Dhe, fare në fund  i gjithë ky shkrimi im, nuk është gjë tjetër porse një  “plagjiaturë” e inspirim nga Soren Kierkegaard, dhe vepra e tij “Koncepti i Ankthit”, si një vepër fundamentale e filozofike mbi Adamin dhe Mëkatin, dhe unë jam në gjendje të them se shoqëria në  të cilën jetoj ka kapacitete morale e që besa dhe intelektuale të më gjykojë për këtë.

Kështu që z.Mehmet Kraja, ju vetë keni bërë mëkat, duke fajësuar Adamin, për të gjitha mëkatet e shoqërisë e politikës, pa bërë ai asnjë mëkat.

Ja mund ta pyesim:

Adami, këtu është!

Lajme të ngjashme

Back to top button