A do të ndërmerr prokuroria publike masa adekuate për ‘Big Brother’ e Maqedonisë?!  

Pas publikimit të informacioneve të partisë opozitare LSDM lidhur me përgjimet, pritet që dëshmitë të dorëzohen në Prokurorinë publike do të fillojë hetimi.

Ekspertët shprehen se nëse prokuroria do të punojë në bazë të ligjeve dhe jo nën ndikimin partiak, atëherë do të kemi rezultate të sakta lidhur më e këtë rast i cili prek të gjithë shoqërinë.

Eksperti juridik, Jeton Shasivari konsideron se kjo është pasojë e zgjidhjeve absurde ligjore përplot zbrastësira të qëllimshme, ku në vend që të sigurohet kontrolli mbi policinë sekrete, ajo po i kontrollon të gjithë.

“Ky rast duhet të hetohet nga prokuroria publike e shtetit. Poashtu, edhe përmes komisioneve parlamentare të rregullta ose anketuese, mund të zhvillohen hetimet parlamentare të rastit në fjalë, aq më tepër kur, sipas ligjeve, parlamenti  i vendit dhe MPB ushtrojnë kontrollin dhe mbikëqyrjen ndaj policisë sekrete, edhe pse, siç shihet, në jetën reale edhe i pari i MPB-së është viktimë e përgjimeve. Konsideroj se, kjo është pasojë e zgjidhjeve absurde ligjore përplot zbrastësira të qëllimshme, ku në vend që të sigurohet kontrolli mbi policinë sekrete, ajo po i kontrollon të gjithë, pra edhe liderët partiakë, funksionarët shtetëror, gazetarët, afaristët, dhe mbi të gjithë qytetarët, duke cenuar privatësinë gjë që është tejet skandaloze për të drejtat e njeriut”, tha për Portalb, Shasivari

Ai shtoi se përgjimi eventual i mbi 20.000 qytetarë në RM, e shndërron vendin në “Big Brother”.

“Duke pasur parasysh se, në vendin tonë, mungon kontrolli juridik, politik dhe civil i policisë sekrete e cila përgjon paligjshëm, ajo po sillet në stilin “vetë agë-vetë pashë” dhe shndërrohet në pronare të jetës private dhe familjare të qytetarëve, sepse jo vetëm që i keqpërdor përgjimet, por e keqpërdor edhe sekretin deri tek i cili vjen përmes përgjimit të paligjshëm. Përgjimi eventual i mbi 20000 qytetarëve në RM, e shndërron vendin në “Big Brother”, ku zhduket vija ndarëse midis qytetarit dhe shoqërisë me jetën e tyre private dhe shtetit me jetën e tij publike”, shtoi Shasivari.

Analisti Sasho Ordanoski thotë se prokuroria publike e cila do të duhet të hetojë rastin duhet të tregohet shumë e kujdesshme dhe të bëjë punën e saj ashtu siç parashikohet me ligj dhe jo nën ndikimin e politikës.

“Pas publikimit të përgjimeve skandaloze që bëri opozita, menjëherë rastin duhet ta hetoj Prokuroria publike. Sa i përket hetimeve se a do të realizohen ato drejtë apo do ë mbulohen dhe manipulohen, varet nga puna e prokurorisë se a kryen hetimin në bazë ligjore, apo në bazë partiake”, tha për Portalb, Ordanoski.

Ai shtoi se skandale të ngjashme që ndodhin në vendet e zhvilluara perëndimore trajtohen shumë më ndryshe sesa te ne.

“Praktikat e vendeve perëndimorë lidhur me skandale të tilla janë që menjëherë ftohet persona e dyshuar në bisedë, fillon hetimi i rastit, si dhe në Parlament zhvillohet një anketë lidhur me skandalin. Unë së pari nuk e di se si Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e sidomos ministrja Gordana Jankullovska nuk ka dalë ende me qëndrim lidhur me përgjimin, duke pasur parasysh se edhe ajo ishte e përgjuar së bashku me Ministrin e Financave, Zoran Stavrevski. Mendoj se të gjitha dëshmitë duhet të prezantohen, nëse kryeministri Nikolla Gruevski dëshmon që kanë qenë të involvuar ndërkombëtarët atëherë le të tregojë dëshmitë, nëse jo atëherë duhet të sqarojë se si shërbimi sekret i Maqedonisë ka arritur të bëjë këto përgjime, kush ka dhënë urdhrin për to. Kjo gjë duhet të bëhet publike pasi që shumë persona të rëndësishëm dhe biseda personale janë përfshirë në të”, shtoi Ordanoski.

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti thotë se pas kësaj që ndodhi, nuk e di se a mund të thuhet se në Maqedoni ekziston e drejta e privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve.

“Për shkak të informatave që janë përgjuar një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë dhe ato përgjime u treguan publikisht, shprehi një shqetësim të madh dhe këtë shkelje të të drejtave dhe lirive të popullit e gjykoj ashpër, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për persona publik apo të tjerë. Kjo dukuri është shqetësuese dhe dëmton edhe të përgjuarit dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, tha Memeti.

Ai shtoi se si avokat i popullit nuk ka shumë mekanizma për të reaguar, deri sa ndonjë person nuk kërkon ndihmë dhe mbrojtje në këtë institucion.

„Avokati i Popullit në këtë rast mund të tregojë shqetësim dhe të kërkojë që të respektohen rregullat dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, por fatkeqësisht nuk mund të bëjë asgjë më shumë. Nëse eventualisht ndonjë person kërkon ndihmë dhe mbrojtje atëherë mund të fillojë procedurën për atë person”, shtoi Memeti.

Gjithashtu edhe Fondacioni Metamorfozis ka shprehur shqetësimin lidhur me skandalin e  përgjimeve të paautorizuara të qytetarëve, të realizuar nga disa persona të organizuar, duke keqpërdorur pozitën zyrtare në institucionet shtetërore.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Une kisha shtuar se edhe nè rregullimin e rendit shoqeror dhe ate te te ushqyerit , qeveria Vmro- Bdi e futen nen kontroll. Diktojn dhe eregullojn cdo ligj ne shtet sipas qejfit te tyre…
    BIG BROTHER 100%

Back to top button