Memeti: Institucionet kompetente të ndalin urgjentisht përgjimin ilegal

Pas prezantimit të aferës së përgjimeve nga LSDM-ja, Avokati i Popullit Ixhet Memeti, kërkoi që nëse vërtetohet afera, institucionet kompetente të ndalin urgjentisht përgjimin ilegal. Ai njëkohësisht u bëri apel të përfshirëve që të kenë kujdes dhe të mos ndërhyjnë në privatësinë e qytetarëve.

“Ashpër e gjykoj këtë që ndodh në Maqedoni, kjo është çmenduri. Nuk e di tani në Maqedoni a mund të flasim për të drejtën e privatësisë. Nuk e di a mund të flasim më për siguri juridike të qytetarëve. Çfarë i ngelë Avokatit të Popullit përveç se të apelojë, të kërkojë, që të vënë mendjen kushdo që të jetë. Mos u bëjnë dëm qytetarëve, mos tentojnë që përmes shkeljes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve të arrijnë ndonjë përfitim për vete. Vlerësoj se duhet të ndalet kjo mënyrë e veprimit”, tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Ka reaguar edhe Shoqata joqeveritare Civil, e cila kërkon dorëheqje dhe përgjegjësi nga funksionarët e lartë shtetërorë të cilët e kanë urdhëruar përgjimin e qytetarëve.

“Në secilin shtet normal, skandal i tillë rezulton me të paktën lëkundje e fortë e Qeverisë, nëse jo edhe dorëheqje e plotë e Qeverisë. Dhe kuptohet përveç asaj, kërkohet edhe përgjegjësi penale, sepse diçka e tillë nuk është e lejuar në cilëndo demokraci në botë. Secili që është prekur nga ky skandal i stërmadh, duhet patjetër ta kërkojë drejtësinë e tij nëse është i dëmtuar. Ndërsa secili që ka qenë i përfshirë në çfarëdo lloj mënyre në këtë skandal, si urdhërdhënës ose realizues, duhet të mbajë përgjegjësi”, u shpreh Xhabir Deralla, Organizata Civil.

Avokati i Popullit Ixhet Memeti dhe numri një i organizatës Civil Xhabir Deralla përkujtojnë se e drejta e privatësisë është e garantuar me ligj dhe konventa ndërkombëtare, ndërsa cenimi i saj dënohet me Kodin Penal.

Lajme të ngjashme

Back to top button