Rebalanc “i heshtur” për t’iu shmangur debatit “të nxehtë” kuvendor!

Në vend të rebalancit të buxhetit që duhe të marrë vizë nga deputetët e Kuvendit – vetëm vendim intern i qeverisë për rishpërndarje të parave buxhetore! Sipas informatave të “Portalb”-it, nuk përjashtohet mundësia që qeveria të mos propozojë riformatim të arkës shtetërore, por të shkojë me njërin nga këto dy skenare: i pari, të bëjë rinshpërndarje të parave nga një ministri në tjetrën me vendim të qeverisë ose i dyti, të bëjë barazim të llogarive në fund të vitit, duke e miratuar Llogarinë përfundimtare të Buxhetit. Sipas njohësve të kësaj fushe, kjo nuk do të thotë se nuk ka nevojë për rebalanc, por se garnitura në pushtet dëshiron t’i ikë debatit të ashpër në Kuvend për mënyrën e harxhimit të parave, që përsëri do t’i aktualizonte ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 2012.

Ministri i financave, Zoran Stavreski konsideron se nga të dhënat për të hyrat dhe të dalat buxhetore në gusht do të varet se a do të bëjë qeveria “korrigjime” në buxhet. 

Sipas ekonomistëve dhe deputetëve që i anketoi “Portalb”-i, nevoja është e padiskutueshme. Ja qëndrimet e tyre:

Seadin Xhaferi, profesor universitar:

“Reabalanci i buxhetit është i pashmangshëm. Arsyeja kryesore, sipas meje, janë zgjedhjet lokale, gjegjësisht harxhimet e qeverisë gjatë fushatës zgjedhore dhe premtimet se do të rriten pensionet. Taktizimi aktual është vetëm “lojë” e pushtetit. Buxheti nuk mund të durojë pa mos u riformatuar arka shtetërore. Paratë janë harxhuar, ndoshta do të ketë edhe marrje të huave të reja. Sipas meje, reper do të jenë të dhënat për harxhimet buxhetore për këtë muaj, dhe prej tyre do të varet se si do të zhvillohen punët”, sqaron për “Portalb”-in profesori universitar, Seadin Xhaferi.

Ai konsideron se Maqedonia, edhe pse bën pjesë në grupin e vendeve me nivel të matur të ngarkesës me borxhe, megjithatë do të duhet të kihet kujdes me tempon e mëtutjeshme të marrjes së borxheve.  

Izet Zeqiri, ish-deputet, profesor universitar:

“Ka nevojë për rebalanc të buxhetit për shkak se nuk mund të realizohen investimet e planifikuara, veçanërisht investimet kapitale publike. Qeveria tani blen kohë, aktiviteti ekonomik zvogëlohet ndërsa në buxhet derdhen gjithnjë e më pak para nga tatimi kryesor i TVSH-së. Ky buxhet nuk mund të durojë deri më fund të vitit. Sipas vlerësimeve të mia rebalansi do të ndodhë në shtator dhe do të bëhet shkurtimi i investimeve kapitale”, sqaron për “Portalb”-in, profesori universitar, Izet Zeqiri.  

Ai konsideron se Maqedonia ka një nga buxhetet më jotransparente dhe se në mënyrë plotësuese gjendja është vështirësuar për shkak se akoma nuk është zgjidhur problemi me ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 2012.

Safet Bishevac, deputet:

“Rebalanci i buxhetit do të ishte pasojë logjike e harxhimit të tepërt pa mbulesë nga ana e pushtetit. Dështuan investimet kapitale, ato ishin atu i pushtetit për reformat e mëdha në ekonomi. Sërish dështuan vlerësimet dhe parametrat kyçe ekonomike. Poashtu, tani kokëdhimbje paraqet edhe fakti se buxheti nuk mbushet ashtu siç planifikonte pushteti, që e vërteton faktin se gjendja ekonomike në vend është e keqe”, deklaroi për “Portalb”-in deputeti Safet Bishevac.

Edhe më tej ai konsideron se buxheti aktual është jokushtetues për shkak të mënyrës se si u miratua më 24 dhjetor 2012.

“Ky është buxhet jokushtetues, gjegjësisht është sjellë në mënyrë jokushtetuese, me përdorim të forcës që të mbahet në pushtet garnitura aktuale. Ai buxhet jo vetëm që nuk është kushtetues, por edhe është keq i planifikuar, dhe për këtë arsye imponohet nevoja për ribalancim të harxhimeve”, vlerëson deputeti Bixhevac.

Marjanço Nikollov, deputet:

“Gjendja është e turbullt. Sipas meje, ky pushtet mund të shkojë deri atje sa që edhe mund të mos propozojë rebalanc, por dallimin në llogarinë buxhetore ta “hekurosë” në fund të vitit, me miratim të Llogarisë përfundimtare të buxhetit. Ligji për buxhet është ndryshuar. Deri para disa kohësh, qeveria mundej të bënte shpërndarje të parave buxhetore vetëm me vendim të qeverisë, por në lartësi prej 6 për qind të mjeteve të përgjithshme buxhetore. Sipas meje, tani rregullat janë më të dobëta, që krijon situatë për kontroll të dobët të mënyrës së menaxhimit të buxhetit”, thotë për “Portalb”-in deputetit Marjanço Nikollov.

Ai konsideron se skenari i vitit të kaluar për rritjen e deficitit buxhetor me vendim të qeverisë është i rrezikshëm për ardhmërinë ekonomike të Maqedonisë.

“Kjo do të ishte diçka e keqe, çdo rritje e deficitit buxhetor, do të thotë edhe rritje e borxheve të shtetit, që do të çojë deri te ngarkesa e buxheteve të ardhshme. Në qoftë se qeveria propozon rebalanc të buxhetit, ne në debat përsëri do ta rikthejmë çështjen për atë se si u miratua buxheti i këtij viti më 24 dhjetor 2012”, thotë deputeti Nikollov.

Zoran Stavreski, ministër i financave:

“Do të presim të shohim se si do të kalojë gushti dhe atëherë do të shohim se a ka nevojë të bëhen korrigjime të caktuara. Por, ajo që është më e rëndësishme është se në tërësi, realizimi i buxhetit dhe i të hyrave është në kuadër të asaj që është planifikuar”, vlerësoi ministri për financa, Zoran Stavreski.

Ai thotë se tashmë përgatitet buxheti për vitin 2014. 

“Unë, së bashku me Ministrinë për financ dhe me ministritë e tjera jemi të fokusuar në përpilimin e buxhetit për vitin 2014. Tashmë i kemi filluar përgatitjet dhe bisedimet me ministritë. Në të njëjtën kohë do të punohet edhe në kornizën afatmesme, gjegjësisht në buxhetet indikative për vitet 2015 dhe 2016”, deklaroi ministri Starvreski. 

Ajo që e hapi dilemën për rebalanc të domosdoshëm është niveli i deficitit buxhetor. Sipas të dhënave të Ministrisë për financa, në shtatë muajt e parë ose deri në fund të korrikut janë harxhuar 80%  të mjeteve që janë planifikuar me edficitin buxhetor. Poashtu, edhe një pjesë e të ardhurave treguan zvogëlim, veçanërisht ato që vijnë nga Tatimi i vlerës së shtuar.

Aneta Dodevska, Portalb  

Lajme të ngjashme

Back to top button