Uji rrezikon Shkodrën, hapen tre portat e Fierzës

Pas përmbytjeve në Jug të vendit, sytë tani janë drejtuar në zonat veriore, pasi është rritur ndjeshëm frika për një përmbytje në Shkodër. Rritja e prurjeve në kaskadën e Drinit ka detyruar Korporatën Elektro-Energjitike që të hapë portat e Hidrocentralit të Fierzës dhe Vaut të Dejës.

Kjo ka sjellë dhe pasojat e para, pasi është vënë re prezencë uji në Ultësirën e Nënshkodrës dhe kjo ka rritur frikën për një rikthim të përmbytjeve. Vetë autoritetet janë shprehur se shkarkimi nga HECE-t po bëhet në mënyrë të kontrolluar dhe nuk ka asnjë rrezik për përmbytje. Por sipas banorëve është vënë re prezencë uji në disa hektarë tokë në Obot, por që nuk ka pasur probleme në banesa.   Për këtë arsye, dje pasdite, Fierza ndaloi së shkarkuari, ndërkohë që portat mbetën të hapura për Hidrocentralin e Komanit dhe Vaut të Dejës. KESH ka bërë të ditur se niveli i ujit në Fierzë është 292.12 metër dhe janë vënë në punë të katërta turbinat. Në Koman niveli është 173.59 metër dhe dje është shkarkuar me një intensitet prej 300metër kub ujë në sekondë.

Ndërsa në Vaun e Dejës niveli arrin në 74.88 metër, ndërsa shkarkimet janë 840 metër kub në sekondë.  Përmbytje të konsiderueshme ka pasur edhe në fshatin Goricë të Komunës Ana e Malit. Vetë banorët kanë thënë për mediat, se rreth 70 hektarë tokë janë mbuluar nga uji. Vetë ata shprehen se përmbytjet kanë ardhur nga Lumi Buna, niveli i të cilit është rritur ndjeshëm që pas hapjes së portave të hidrocentraleve. Shumë prej tyre kanë qenë të revoltuar, pasi kanë thënë se nuk kanë marrë asnjë paralajmërim nga qeveria që të merrnin masa në rast përmbytjesh. Megjithatë, përfaqësuesit e KESH janë shprehur se në veri nuk ka asnjë rrezik për përmbytje.

Situata në Jug   Sa i përket Jugut të vendit dhe zonave që u prekën më shumë nga përmbytja, situata është drejt përmirësimit. Në Novoselë të Vlorës uji është tërhequr pothuajse tërësisht dhe banorët janë rikthyer në banesa. Shumë prej tyre kanë filluar punën për pastrimin e shtëpive dhe riparimin. Ata kanë kërkuar ndihmën e shtetit, pasi pretendojnë se dëmet janë të shumta. Situata është disi më problematike në qarkun e Fierit, pasi në disa fshatra ka ende prezencë të ujit. Një rrezik tjetër që shihet tani është ai i ujërave të zeza, pasi në Darëzezë përmbytja ka sjellë daljen e këtyre ujërave në sipërfaqe dhe shumë banorë janë të rrezikuar.   Sakaq, kanë vijuar operacionet në ndihmë të banorëve, duke shpërndarë ushqime, si për ta ashtu edhe për kafshët. Një reagim ka pasur mbi situatën edhe nga Ministria e Brendshme, e cila kundërshtoi zërat për një çarje në kanalin e kullimit të Nartës. Sipas ministrisë, nuk ka pasur asnjë çarje dhe rrezik për përmbytje në këtë zonë. MB deklaron se në kanalin e Nartës janë dërguar mjetet e nevojshme si skrepa dhe fadroma për të pastruar pjesë të caktuara të kanalit, që janë bllokuar pjesërisht si dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme që të evitohet çdo rrezik i mundshëm në ditët e ardhshme. /sotnews

Lajme të ngjashme

Back to top button