Mustafa dhe Vuçiq nënshkruan marrëveshjen për drejtësi

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar një marrëveshje për drejtësinë. Këtë e konfirmoi pas takimit që ka zgjatur deri në orën dy pas mesnate përfaqësuesja e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini, e cila po ashtu për herë të parë ishte prezente në këto takime të filluara nga paraardhësja e saj Chaterine Ashton. Mogherini ka kofirmuar nënshkrimin e marrëveshejs për drejtësi me fjalët se “ky është një rezultat i mrekullueshëm në rifillimin e dialogut Beograd – Prishtinë! Faleminderit të dyja palëve”.

“Dy kryeministrat përmbyllën një kapitull kritik, gjë që mundëson përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Mustafa dhe Vuçiq kanë rënë dakord edhe për parandalimin e lëvizjeve ilegale të qytetarëve”, kumtoi Mogherini. Sipas komunikatës zyrtare të Mogherinit, kryeministrat Mustafa dhe Vuçiq janë pajtuar që të punojnë së bashku për disa çështje rajonale, duke përfshirë ndaljen e imigrimit masiv nga Kosova, raporton KTV.

“I shpreha përkrahjen time të plotë të dy kryeministrave për më shumë progres në rrugët e tyre respektive kah BE-ja”, thuhet në komunikatë.

Marrëveshja për gjykatën në veri

Takimi ka zgjatur më shumë se katër orë. Kryeministri Vuçiq doli i pari para gazetarëve dhe tha se me kryeministrin Musfata kanë rënë dakord për funksionimin e gjykatave në veri të Kosovës dhe për përbërjen etnike të tyre, numrin e prokurorëve dhe gjykatësve. “Kjo është në favor të serbëve, sepse mundëson përfaqësimin proporcional dhe pamundëson mbivotimin e tyre”, theksoi Vuçiq, i cili bëri të ditur se në gjykatën në veri të Mitrovicës do të ketë nëntë prokurorë serbë dhe nëntë shqiptarë. Marrëveshja parashikon zgjidhjen e organdeve juridike edhe në komunat e tjera të veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Mustafa nuk foli për numra. Por, sipas tij, përfaqësimi në gjykata do të mundësojë funskionomin e drejtësisë edhe në veri të Kosovës. “Me këtë marrëveshje është mundësuar funksionimi i gjykatave në tërë vendin. Në këtë mënyrë është mundësuar shtrirja e sovranitetit në tërë Kosovën”, tha Mustafa.

Funksionimi i gjykatave dhe sistemit të drejtësisë ishte edhe arsyeja përse takimi i parë Vuçiq-Mustafa zgjati kaq shumë. Sa i përket temave të tjera, Mustafa tha se kësaj radhe nuk ka pasur kohë të bisedohet shumë për tema të tjera. Por shtoi se “pala kosovare nuk do të pranojë të bisedohet për çështje, të cilat e prekin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.

 Shpërbërja e strukturave paralele

Kryeministri i Kosovës tha se një prej detyrave primare është shpërbërja e strukturave paralele serbe dhe në veçanti forcave të ashtuquajtura “civilna zastita” (Mbrojtja Civile), që konsiderohet si forca kryesore paralele që pamundëson funksionimin e organeve juridike të Kosovës në veri të vendit. Homologu i tij Vuçiq ka bërë të ditur se në takimet e radhës do të bisedohet edhe për pasuritë e Serbisë në Kosovë, por pa saktësuar nëse me këtë mendon edhe për Trepçën, për të cilën kohët e fundit ka pasur debate dhe protesta të shumta në Kosovë. Por Mustafa theksoi se nuk do të ketë bisedime për tema të tjera pa shpërbërjen e strukturave paralele serbe në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button